Muxhahedinët e Iranit dhe “dora servile” e Shqipërisë për SHBA
“Sa herë që SHBA ka kërkuar që të mbyllë një punë të pistë diplomatike, prej vitesh një vend i panjohur ka ngritur besnikërisht dorën: Shqipëria”. Kështu niste artikulli i “Los Angeles Times”, i datës 10 nëntor 2013 kur në Shqipëri sapo kishte plasur lajmi se qeveria e kryeministrit Edi Rama, vetëm 3 muaj në pushtet, kishte pranuar të merrte armët kimike të Sirisë.
Pranimi i ish-të burgosurve ujgurë në Guantanamo dhe grupit disident të muxhahedinëve ishin dy punët pista të SHBA-së që “LA Times” rendiste në artikullin e saj.
Pak ditë më parë Shqipëria ngriti sërish dorën për të pranuar të paktën edhe 2000 muxhahedinë të tjerë. Një lëvizje që solli në Tiranë sekretarin e Shtetit, John Kerry dhe rizgjoi zemërimin e Iranit.
Pa hyrë në debatin nëse ky grup rrezikon apo jo sigurinë kombëtare të vendit, dua të ndalem në anën diplomatike të kësaj gafe të radhës. Pasi padyshim, kjo është një tjetër gafë e rëndë diplomatike e Shqipërisë në dekadën e fundit.
Në këtë situatë, natyrshëm lind pyetja: Përse Shqipëria?! Rumania dhe Maqedonia ishin dy vende të tjera që shiheshin si destinacione të mundshme për muxhahedinët, por në fund të dyja refuzuan. SHBA që është iniciatore e zhvendosjes së këtij grupi nga kampet e Irakut për në Shqipëri, nuk ka pranuar të marrë asnjë muxhahedin të vetëm.
Arsyeja? Marrwdhëniet me Iranin janë rivendosur pas shumë vitesh ndërprerjeje dhe arritja e marrëveshjes për programin bërthamor do të rrisë pozitat e këtij vendi në Lindjen e Mesme.
Pothuajse të gjithë liderët e vendeve të fuqishme të Bashkimit Europian kanë udhëtuar së fundmi drejt Teheranit ku kanë rënë dakord për marrëveshje miliona dollarëshe. Një veprim i tillë është ndërmarrë edhe nga vendet e rajonit tonë, si Greqia. Pa diskutim që Irani është një fuqi në rajonin e tij dhe i pasur me burime natyrore prandaj çdokush kërkon të ketë marrëdhënie sa më të forta me republikën islamike pas heqjes së sanksioneve.
Ndërkohë, Shqipëria jo vetëm që nuk po ecën me hapin e vendeve të Europës dhe SHBA-së, por ndërmori një veprim që do të bllokojë marrëdhëniet me këtë shtet. Irani nuk mund të konsiderohej më një “mollë” e ndaluar për Shqipërinë. Sot SHBA është vendi më i interesuar për të pasur marrëdhënie me atë shtet.
Por, përveç përfitimeve ekonomike që mund të kishte Shqipëria në një bashkëpunim të mundshëm me Iranin, çështja e Kosovës është një tjetër problem që diplomacia jonë ka krijuar me pranimin e muxhahedinëve.
Irani nuk e ka njohur Kosovën dhe me shumë mundësi nuk ka për të ndryshuar qëndrim as në të ardhmen. Gjithashtu, shtete fqinje të tij veprojnë po njësoj. Refuzojnë të pranojnë realitetin e ri të krijuar në Ballkan që prej vitit 2008.
Dëshira për t’u dukur përpara aleatit të madh dhe inferioriteti i madh që shoqëron prej 25 vitesh diplomacinë shqiptare sjellin këto gafa diplomatike. Sot gjithnjë e më shumë analistë, që janë po kaq gafaxhinj, flasin për një rritje të rolit të Shqipërisë në rajon, por këto vendime tregojnë të kundërtën.
SHBA dhe sa Gjermania, së fundmi po kërkojnë të rrisin deri në një farë mase rolin e Shqipërisë në Ballkan, kjo për të arritur një barazpeshë me Serbinë që i ka sytë nga Rusia, por është e qartë se ky rol është tërësisht artificial.
Diplomacia shqiptare nuk rresht së treguari mungesën e profesionalizmit të saj. Jam i bindur se një “jo” ndaj Amerikës për muxhahedinët nuk do i prishte marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ndonëse pas armëve kimike, kjo do të ishte “JO”-ja e dytë e madhe. Por në të dyja rastet është dukshme se më shumë se një presion i Uashingtonit, kemi të bëjmë me një servilizëm të Tiranës.
E përse SHBA duhet të refuzojë “dorën që i shtrihet” sa herë ajo ka nevojë të mbyllë një punë të pistë?
Shënim: Mbërritur në adresën elektronike nën autorësinë Artist Pena
Comments
Plako pa ameriken ska Kosove
Plako pa ameriken ska Kosove te pavarur.
Mqs je kaq i mire ne diplomaci besoj se e kupton qe tanime jemi ne nje moment qe po rrikthehet Lufta e Ftohte, ndermjet Amerikes dhe Rusise.
dhe Bota pak e nga pak po ndahet ne Pro Amerikan dhe Kunder Amerikan. ne kete Lufte te re Shqiperia dhe Shqiptaret jane ne vije te pare sepse jane ende ne gjendje Lufte kunder Serbise. Po ashtu Irani eshte ne vije te pare nga pala kundershtare.
Interesat shqiptare dhe Interesat Iraniane jane diametralishte te kunderta ne menyren se si bota po ndahet tani.
Nuk jemi Greqia ne, nuk jemi as Rumania , As maqedonia.
Ne rradhet e pare nuk jemi te krishter si keta , dmth per politikanet e ketyre vendeve marrja e gjith ketyre grupeve muslimane ka kosto shume te madhe politike.
dhe en rradhe te dyte nuk e kemi luksin e Greqis, teknikishte vendi jone ose gjysma e tij, nuk jan teresishte te pavarur e vetmja gje qe na garanton pavaresin e Kosoves jan trupat amerikane aty. Keshtu qe me sovranitet te cunguar , eshte normale edhe do pranojme diktatin amerikane edhe per keto pune.
Add new comment