Modeli kroat për antikorrupsionin, axhenda e LSI-së dhe Byroja e Hetimit si kartë rezervë
Reforma në Drejtësi është me gjasë kushti i ekzistencës së koalicionit aktual qeverisës. Kjo u bë e qartë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një interviste të paradisa ditëve deklaroi se nëse ajo nuk miratohet, marrëdhënia me Lëvizjen Socialiste për Integrim, prishet. Pika kritike e kësaj marrëdhënieje që po merr shkas nga “lexime” të ndryshme të draftit të të propozuar nga ekspertët, është njësia antikorrupsion, e cila së fundmi, është shoqëruar me propozimin e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Sidoqë palët po përpiqen të shtiren se diskutimin po e bëjnë në parim dhe për parime, lufta është vetëm një: kontrolli i hetimit penal për veprën e korrupsionit. Duke parë te ky ngërç një luftë dhe rivalitet të korruptuarish, që operojnë në frikën se nesër mund të jenë thjesht dhe vetëm koka turku, apo peshqesh për një publik të uritur për viktima politike, vlen të shihet sesi po ecet drejt pazarit që ende nuk po mbyllet dot.
Ndryshimet në kursin e qëndrimeve për Byronë janë njëra anë. Por sot ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, përfaqësues i LSI-së në qeveri, ka folur nga Gjermania ku ka qenë për një vizitë. Manjani ka theksuar tre gjëra: nevojën për ekspertizë gjermane dhe “transkriptim të legjislacionit gjerman në Shqipëri me synim krijimin e një klime të mirë për biznesin gjerman”. Një ofertë kjo për palën gjermane që ka hasur vështirësi në Shqipëri. Së dyti, nevojën për Konsensus në hartimin e reformës në drejtësi, që siç tha ai në intervistën për “Deutsche Welle”, e ka ndarë edhe me kolegët gjermanë. Dhe së treti, që për njësinë antikorrupsion të adoptohet modeli kroat, me një prapashtesë që ka rëndësi: Në këtë rast nuk ka kundërvënie me mendimin amerikan.
“Më lejoni të them se Byroja e Hetimit nuk është thembra e Akilit në reformë. Thembra e Akilit është një betejë permanente me korrupsionin në Shqipëri. Dhe lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e një Byroje Hetimi. Çështja është se si të ndërtojmë një institucion që nuk e shmang përgjegjësinëe hetimit, si deri më sot. Ekspertiza gjermane nuk ka qenë e përjashtuar. Ajo që kemi biseduar këto ditë është kërkesa ime që modeli kroat të jetë sa më prezent në Shqipëri, që është një model i cili ka funksionuar atje. Dhe ne nuk kemi pse të shpikim rrotën, sepse e kanë shpikur të tjerët para nesh. Nga kjo pikëpamje, ai model që Gjermania ka dhënë në Kroaci është krejt i mirëpritur edhe në Shqipëri dhe nuk ka ndonjë ndasi të modelit amerikan apo evropian. Edhe evropianët, edhe amerikanët janë në bord. Amerikanët janë dakord me këtë qasje, ndaj nuk kemi ndonjë përplasje kulturash. Përkundrazi gjërat janë komplementare. Ajo që duhet të bëjmë ne është kjo: që të bindim veten njëherë e mirë, që me një marrëveshje konsensuale t'i hapim rrugë nëpërmjetndryshimeve kushtetuese reformave më të thella që do të pastrojnë sistemin. Parakushti që këto ligje të zbatohen është konsensusi”, tha Manjani.
Ku konsiston modeli kroat dhe ku ndryshon ai me propozimin e bërë në Shqipëri?
“Në Kroaci, Këshilli i Prokurorisë është institucion më vete brenda Prokurorisë së Përgjithshme i përbërë nga 11 anëtarë, 7 prej të cilëve janë prokurorë. Këshilli drejtohet nga një anëtar nga radhët e prokurorëve. Ndryshe nga modeli kroat, Prokuroria Antikorrupsion në Shqipëri mendohet të funksionojë si një institucion i pavarur, pa asnjë varësi nga Prokuroria e Përgjithshme”( http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=318018). Siç mund të vihet re e njëjta kërkesë që sot bëhet nga ministri i Drejtësisë është bërë edhe nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Lalla në janar, gjatë vizitës së tij në Kroaci.
Duke parë këtë shqetësim të LSI-së është e qartë se brenda suazës së reformës, nevoja për të cilën nuk mund të kundërshtohet, po zhvillohet një betejë. Vizita e John Kerryt ishte një pikë mbështetëse për socialistët e Edi Ramës, pasi edhe marketimi i saj u krye në një mënyrë të tillë, që i la dy aktorët e interesuar, Sali Berishën dhe Ilir Metën, jashtë axhende. Leximi i hollësive të tilla vlen, pasi ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka shprehur disa herë publikisht qëndrimin se “reforma në drejtësi është porosi për të nga Departamenti i Shtetit”. Pra reforma sidoqoftë do të bëhet.
Në vijim të kësaj sjelljeje që po mbahet për draftin, i cili pret mendimin e Komisionit të Venecias më 11 mars, vetiu arrihet në interpretimin se kërkesa kushtëzuese për konsensus është arma me të cilën LSI-ja sot kontrollon çdo “radikalizëm” të Edi Ramës në reformën për drejtësi. Pasi ka votat në Parlament. Ai çalon logjikisht pasi nuk ka sesi një akt legjislativ siç është reforma të quhet i zbatueshëm vetëm nëse ka konsensus. Z. Manjani bën një faull të vetëdijshëm, pasi mjafton vetëm rasti i Kushtetutës për të kuptuar se kjo nuk është e vërtetë.
Duke risjellë këtu deklarimin e Ramës për “prishje të koalicionit nëse nuk kalon reforma”, atëherë është e dukshme se presioni me kartën e konsensusit nuk ecën dot gjatë. Në këtë prizëm edhe përfshirja e shpejtë e Byrosë së Hetimit si projektligj që e njeh atë njësi në varësi të Ministrisë së Brendshme, është me gjasë një kartë rezervë në kushtet kur Ilir Meta mund të thotë “jo”. A janë protestat, tensionet me presidentin dhe ndryshimet në qeveri pjesë e kësaj loje? Ndoshta, por çdo gjë do të zgjidhet më 11 mars. Nëse Venecia miraton propozimet, marzhi i manovrës është i vogël për Metën dhe Berishën, që kundërshtojnë sot formulat e “pavarësisë së hetimit penal”. Rruga finale që mbetet, ajo e kalimit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është shumë e ndërlikuar, pasi me draftin e tanishëm, është propozuar që Gjykata Kushtetuese të mos ketë të drejtë rrëzimin e propozimeve që çojnë në ndryshime kushtetuese. Paradoksi në rrafshin politik këtu arrin kulmin: është e pritshme që një drejtësi e re të cenojë status quonë politike dhe të ndikojë edhe në zgjedhjet që po afrojnë. Siç po ecin punët, këtë proces po e menaxhon një kryeministër që ka përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë njerëz të inkriminuar,të cilët me gjasë edhe dalin nga Kuvendi pas zbatimit të ligjit për dekriminalizimin.
Add new comment