Tërhiqet Ministria e Kulturës, eshtrat e Ibrahim Kodrës nuk do të lëvizin nga Ishmi
Eshtrat e Ibrahim Kodrës nuk do të zhvarrosen nga Ishmi, aty ku edhe piktori prehet prej 10 vitesh. Ceremonia e rivarrimit në Tiranë të kodrat e liqenit artificial pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës e parashikuar për të premten e 12 Shkurtit është anuluar. Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, thuhet se dy ekzekutuesit e testamentit të piktorit, njëherash përfaqësuesit e Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Behgjet Pacolli dhe Fatos Faslliu, kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë ose Durrës. Tërheqja e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, vjen pas kundërshtimit që të afërmit e piktorit, banorët e Ishmit dhe komunitetit të piktorëve i bënë vendimit të saj për t’i zhvendosur eshtrat e Ibrahim Kodrës nga vendi i lindjes. Argumenti i tyre ishte se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar ku piktori i njohur ndërkombëtarisht të ketë shprehur vullnetin e tij për t’u varrosur në Tiranë. Në njoftimin e saj Ministria e Kulturës e quan rezistencën e banorëve të Ishmit të paarsyeshme, madje i akuzon ata se pamundësuan realizimin e amanetit dhe nderimin e Ibrahim Kodreë me një monument të ri në Tiranë.
Add new comment