Intervista/Monitorimi inteligjent i transaksioneve nuk ka të bëjë me deklarimin dhe mbledhjen e TVSH-së*

Postuar në 29 Janar, 2016 15:19

Për Ardjana Shehi, avokat në Kalo&Associates, përpara se të shkohet më tej me propozimin e pakërkuar për ndërtimin e një platforme teknologjike të TVSH-së, duhet të bëhet një përditësim i analizës së problemeve me të cilat jeton sot sistemi i mbledhjes dhe administrimit të tatimeve (përfshirë TVSH-në). E rëndësishmë për të, si avokate, është që në rast se shoqëria e huaj, për shkak të shërbimeve që do të kryejë, do të mbajë edhe të dhëna konfidenciale, personale ose jo, duhet të garantohet zbatimi i të drejtave përkatëse të tatimpaguesve sipas legjislacionit fiskal dhe ai i mbrojtjes së të dhënave personale, etj..

Qeveria parashikon të japë me PPP sistemin e teknologjisë për të dhënat fiskale (TVSH) që duket se ka ardhur nga një propozim i pakërkuar?
Cili është opinioni juaj? Po formën e saj për ta zhvilluar si partneritet të tillë?

Fakti që është një propozim i pakërkuar nuk duhet parë si një pengesë për të mos shkuar më tej, pra, si pengesë për ta vlerësuar nëse duhet pranuar si ide apo jo. Çështja është që për të vazhduar më tej me këtë propozim, duhet që para së gjithash të bëhet një përditësim i analizës së problemeve me të cilat jeton sot sistemi i mbledhjes dhe administrimit të tatimeve (përfshirë TVSH-në). Pasi të bëhet vlerësimi (edhe pse këto vështirësi nuk mund të kalohen vetëm me përfshirjen e strukturave përkatëse shtetërore dhe pa kosto shtesë) mund të vazhdohet me idenë që përmirësimi i gjendjes ekzistuese të bëhet edhe nëpërmjet kontraktimit të një shërbimi shtesë përkatës me privatët ose nëse mund të përdoret një prej formave të Partneritetit Publik-Privat.
Nga deklarimet e bëra në media këto ditë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave shpjegohet shkurtimisht se çfarë synohet, por nuk bëhet transparente dhe nuk thuhet qartë çfarë vështirësish dhe nevoje konkrete ka në sistemin e mbledhjes dhe administrimit të tatimit përkatës. Nuk kuptohet qartë çfarë shërbimesh konkrete do të kryejë shoqëria private, e cila do të zgjidhet me tender të hapur dhe cilat nga vështirësitë e sotme do të mund të gjejnë shërim vetëm nëpërmjet kontraktimit të shoqërisë private për shërbimin e synuar.
Gjithsesi, mund të them që bazuar në informacionin në dispozicion të publikut, nuk jam e qartë se cili do të jetë pozicioni i shoqërisë private fituese, që do të kryejë shërbimet e synuara. Kur të përpunohen termat përkatëse të referencës do të ketë më shumë qartësi. Për momentin duket sikur flitet për ndërtimin e një platforme, e cila si tipar do të ketë edhe ‘monitorimin inteligjent’ të transaksioneve që do të kryhen në tregun shqiptar, gjë që do të shmangë manipulimin e mundshëm të deklarimit të transaksioneve për qëllime të TVSH-së sipas dëshirës së tregtarit dhe që si pasojë do të ketë ndikim në deklarimin më real të tatimit përkatës (pra, edhe në rritjen e rezultateve në mbledhjen e këtij tatimi). Ky monitorim në vetvete nuk ka të bëjë me vetë procesin e deklarimit dhe të mbledhjes së TVSH-së.

Ministria e Financave deklaroi se ky është një model i huazuar sipas skemës së Portugalisë dhe Danimarkës. A mendoni se ky sistem do të jetë efektiv dhe do të eliminojë të gjitha mangësitë që janë hasur?

Nuk kam dijeni për këto sisteme, por në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes siç e përmenda më sipër, para së gjithash duhen bërë transparente problemet e sotme reale të sistemit të mbledhjes dhe administrimit të TVSH-së dhe vendi që do të ketë operatori privat në këtë sistem, në mënyrë që gjithkush të bindet për vlerën e shërbimit që synohet të merret nga një strukturë private.
Nëse detyra e operatorit privat do të jetë si më sipër, atëherë ka kuptim që të kontraktohet një subjekt privat nëse qëllimi është edhe që të mos dublohet asnjë nga detyrat që me ligj duhet të kryhen nga strukturat e administratës tatimore.
Nëse do të pranohet që të kontraktohet një kompani private për qëllimin e kuptuar të mësipërm, një çështje tjetër që duhet mbajtur në kujdes janë kredencialet e shoqërisë fituese të prokurimit përkatës, sa e besueshme do të jetë për ta bërë siç duhet këtë shërbim dhe për të mos ndërhyrë në informacionin e monitoruar të transaksioneve, etj.
Një çështje tjetër është që nëse shërbimi që do të kryhet nga shoqëria private është sipas kuptimit të mësipërm, tatimpaguesit duhet domosdoshmërisht që të dinë dhe të kenë informacionin që po ‘survejohen’ për transaksionet e deklarimet e tyre. Kjo duhet të jetë e ditur publikisht në mënyrë që të mos kemi si pasojë shkeljen e të drejtave përkatëse ligjore e kushtetuese. Në rast se shoqëria e huaj, për shkak të shërbimeve që do të kryejë, do të mbajë edhe të dhëna konfidenciale, personale ose jo, duhet të garantohet zbatimi i të drejtave përkatëse të tatimpaguesve sipas legjislacionit fiskal dhe ai i mbrojtjes së të dhënave personale, etj.

Si e vlerësoni mënyrën e shpërblimit të partnerit privat?

Mënyra dhe sasia e shpërblimit të kompanisë private nuk duhet të jetë kriteri për të vlerësuar nëse duhet kontraktuar apo jo për qëllimet e synuara. Procesin përkatës vendimmarrës do ta parashikoja me këtë rrjedhë: Pasi të bëhet vlerësimi i mirë, i nevojave përkatëse ekzistuese, etj., pasi të bëhet edhe llogaritja e pritshmërive sasiore të ndërhyrjes së strukturës private (pra, pasi të llogaritet sa për qind do të rritet mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga shërbimet konkrete që do të kryejë shoqëria private fituese), atëherë mund të kalohet në fazën e llogaritjes së mënyrës dhe shumës së shpërblimit të shoqërisë private.
Nga informacioni që kemi në dispozicion duket se ende nuk dihet nëse ndërhyrja e synuar do të sjellë të ardhura (teorikisht duket që po) dhe sa të ardhura shtesë do të sjellë ndërhyrja në sistemin ekzistues të shërbimeve që do të kryejë shoqëria që do të kontraktohet.
Fillesë e të gjithë procesit përkatës, edhe për sa i përket mënyrës së kontraktimit të subjektit privat, duhet të jetë edhe vlerësimi nëse në bazë të legjislacionit në fuqi mund të përdoret partneriteti publik-privat për shërbimet e synuara dhe në sektorin e synuar duke qenë se lista e punimeve/shërbimeve dhe e sektorëve, ku mund të përdoret partneriteti publik-privat është shteruese.

*Titulli origjinal: "TVSH: Të garantohet zbatimi i të drejtave të tatimpaguesve dhe ai i mbrojtjes së të dhënave personale"

"Monitor"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.