Teatri Kombëtar, Pandi, Çuli dhe Mirela
Pas ndodhisë së shëmtuar në ambientet e Teatrit Kombëtar, ku drejtori i institucionit u bë protagonist i një sherri me një gazetar kulture ose një spektator të “padisiplinuar”, qarkullojnë disa versione të ngjarjes. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të nënvizohet se konflikti mes Çulit dhe gazetarit Eni Shehu nis qysh prej shfaqjes “Vdekja e Maratit” me regji të Arben Kumbaros. Në atë kohë, Eni Shehu pati denoncuar audicionet formale, të cilat Çuli i prezantoi si risi të reformës së tij. Pyetjes së Eni Shehut në konferencën e shtypit për audicionet, Çuli i ishte përgjigjur: A do ndonjë vizë? Duke nënkuptuar se gazetari ishte i droguar dhe nuk duhej marrë seriozisht. Veset e “pretenduara” për Enin dhe veset e “pranuara” të Çulit, sigurisht që nuk janë virtyte, por në rastin e Enit rëndësi ka lajmi, i cili është plotësisht i vërtetë. Audicionet në Teatrin Kombëtar janë fasadë. Bashkë me zhurmën mediatike të kësaj historie është ngritur pyetja: Pse drejtori i TK-së duhet të merret me spektatorët e “padisiplinuar”? Kjo pyetje ka një përgjigje që lidhet me ditët e para të punës së Çulit si drejtor dhe aplikimin e ideve të tij për reformën e TK-së.
Prej se është krijuar TK-ja, në listën e punonjësve ka ekzistuar një pozicion pune: përgjegjës salle. Personi i punësuar në këtë pozicion kishte si detyrë menaxhimin e spektatorëve dhe nevojave të tyre, sistemimin në ulëse, sjelljen e tyre gjatë shfaqjes, orientimin nëpër lozha etj. Prej shumë vitesh në këtë pozicion punonte Pandi Toçe. Ky emër është i njohur për qytetarët e Tiranës, pasi Pandi Toçe vdiq verën e kaluar teksa i shpëtoi jetën një adoleshenti te Liqeni Artificial. Vdekja e tij, përveç tronditjes që i shkaktoi familjes dhe të afërmve, u kujtoi shqiptarëve se në këtë vend mund të vdesësh edhe duke dhënë jetën për të shpëtuar një jetë. Pakkush e di se Pandi në atë kohë ishte i papunë, sepse Çuli e pushoi, me pretekstin se në TK ishte i punësuar edhe vëllai i tij, aktori Vangjel Toçe. Arsye qesharake, por shkak i mjaftueshëm që të pushohej nga puna një kryefamiljar, një burrë në moshë dhe në fund një prind.
Kështu Çuli e nisi reformën në TK duke pushuar “përgjegjësin e sallës”, njeriun që duhej të merrej edhe me spektatorët e “padisiplinuar”. Kur ndodhi kjo, shumë artistë shprehën pakënaqësinë e tyre, sepse Pandi nuk dukej se ishte ndonjë pengesë serioze për reformën e Çulit. Në atë kohë MK-ja kërkonte shkurtime në TK dhe që Çuli të tregonte operativitet, nisi nga Pandi dhe e pasoi reformën e tij me dy-tri pushime aktorësh nga puna. Këta të fundit, pasi i fituan gjyqet, do t’i marrin TK-së një dëmshpërblim sa gjysma e buxhetit vjetor për produksione të TK-së, por kjo është një histori tjetër “suksesi” e Çulit dhe e reformës së tij. Duke u kthyer te historia e Pandit, sot them se askush nuk mund ta parashikonte se Çuli në atë kohë, përveç reformës dhe pozicionit të drejtorit, paska pasur ambicie të punonte si “përgjegjës salle” në TK. Kjo gjë nuk duhet të na habisë. Çuli në fakt punon në tri vende pune (aktor, drejtor dhe regjisor) dhe natyrshëm mund të punojë edhe si “përgjegjës salle”. Mesa duket këtë frymë e ka përhapur në institucion përderisa asistenti i tij, i cili është aktor, por punon part-time edhe si truprojë.
2
Të nesërmen e ngjarjes, Mirela (ministre Kulture) në një reagim të saj na kujtonte të shkonim në teatër dhe se duhej të ishim mirëkuptues dhe mbështetës ndaj artistëve, se ata punojnë në kushte të vështira. Ky apel është realisht ajo që një ministër Kulture duhet të bëjë, mbështetja e artistëve. Por jo vetëm në “Facebook”. Nuk është çështja ta thotë, por dhe të veprojë. E thënë kjo nga Mirela tingëllon pak ironike. Po bëhem më konkret.
Me reformën e Çulit të vulosur nga Mirela, artistëve të TK-së iu hoq shpërblimi për figurën artistike. Ky mekanizëm financiar e uli me 30-40% mbështetjen financiare të artistëve (aktorë, regjisorë, skenografë etj). Prej vitit 1998, kur ministër Kulture ishte Kryeministri i sotëm Rama, ky mekanizëm zbuti krizën e madhe financiare ku ranë këto profesione kaq fisnike. Sot nuk duket se kriza e këtyre profesioneve ka kaluar dhe ky vendim, në fakt nuk reformoi, por rrënoi financat e artistëve dhe familjeve të tyre. Pasi ia hoqi këtë mbështetje, Mirela na bën apel për kushtet e vështira të artistëve.
Reforma e Çulit e vulosur nga Mirela në TK nuk ua ktheu artistëve 90% të biletave. Ky angazhim ishte një nga mundësitë më të mira për rritjen e buxhetit të TK-së, i cili nga viti në vit zvogëlohet. Mendoj se kur flasim për reforma nuk nënkuptohen vetëm shkurtime vendesh pune, shkurtime fondesh. Reformat duhen shoqëruar me mekanizma dhe politika stimuluese që favorizojnë krijimtarinë. Po Mirela në vend që të merret me këto çështje, bën apel për kushtet e vështira të artistëve.
Këto ditë, Mirela foli edhe për sallën e re, ku qeveria do të zhvendosë TK-në deri sa të ndërtohet një sallë dinjitoze. Unë nuk di të jetë konsultuar dikush nga komuniteti nëse do të jetë e mundur që një ambient industrial të kthehet në një sallë të denjë për TK. Nuk është çështja vetëm te ndërtesa dhe hapësira e spektatorëve, por tek akustika (problem tepër i vështirë), oxhaku i skenës, xhepat e saj etj. Përpjekja e fundit për ndërtimin e një salle teatri u bë te Piramida, gjë e cila rezultoi një katastrofë dhe një nga ideatorët ishte vëllai i Mirelës, Arbeni. Si përfundim, pasi u hoqi shpërblimet, nuk u dha 90% i premtuar dhe projekton një zhvendosje pa garanci. Mirela kërkon të shkojmë në teatër dhe t’i mirëkuptojmë artistët, sepse punojnë në kushte të vështira. Pyetja është: Kush i pruri në këto kushte dhe a po punon Mirela që t’i përmirësojë ato?
3
Është e habitshme se si të gjithë drejtuesit e sotëm të institucioneve kulturore sillen pak a shumë si pronarë të tyre. Papritur, sapo i marrin në dorë këto institucione, u hipën një frymëzim për krijimtari sa nuk ndalen, duke shfrytëzuar të gjitha burimet dhe mbështetjen e duhur për të arritur maja në krijimtarinë e tyre artistike. Rasti i fundit është premiera e Çulit në TK, ku u vendos rekord 3.5 muaj për realizimin e një premiere, kur koha normale është 1.5 muaj për një produksion. Kjo, siç thashë më lart, ndodh me shumë drejtues institucionesh. Megjithëse janë zgjedhur për të menaxhuar krijimtarinë e të tjerëve, ata i shërbejnë krijimtarisë së tyre. Ndaluni për një moment dhe do të shikoni se ky është një paradoks që ndodh çdo ditë. Dikush mund të thotë se në këto institucione, krijimtarinë e zgjedhin bordet dhe jo drejtorët. Mund të jetë dhe kështu, por nuk e kuptoj p.sh. se si repertorin e TK-së mund ta zgjedhin pesë gazetarë. Interesimit tim për këtë anomali MK (Ministria e Kulturës) iu përgjigj se TK (Teatri Kombëtar) është institucion i pavarur dhe ministria nuk ndërhyn. Nëse është i pavarur, si shpjegohet atëherë që në bordin e TK-së voton këshilltarja për median e ministres së Kulturës. Mos vallë si një garanci për pavarësi institucionale? Drejtori Çuli nuk ka asnjë koncept kuratorial që të justifikojë repertorin e TK-së. Iniciativa për dramën shqipe, propaganduar me bujë, përfundoi si një flluskë sapuni, sepse nuk ishte një program i vërtetë nxitës për dramën shqipe, por thjesht lexim në vapën e korrikut.
Kur nisi punën, Mirela pati diskutime dhe biseda të shpeshta me përfaqësues të komunitetit të artistëve. Dy vjet pasi u bë ministre nuk ka më asnjë takim, debat, forum apo ndonjë formë publike për shkëmbim idesh. Madje edhe në daljet televizive Mirela preferon monologun në vend të dialogut. E keni vënë re se Mirela flet si drejtuese fondacioni: Kemi dhënë para këtu dhe atje, ky institucion ka arritur këtë apo atë sukses. Nuk flet për politika, por për financime. E gjithë energjia e MK-së është drejtuar nga institucionet shtetërore dhe nuk ka asnjë iniciativë për skenën e pavarur apo audiencat e reja. Flitet për ndërtesa dhe rikonstruksione, por nuk mendohet se çfarë do të shihet në ato skena. Flitet për kalendarë të përbashkët me Kosovën, por nuk flitet për bashkëprodhime. Asnjë strategji se si do ia dalim që produktet tona artistike t’i bëjmë kompetitive në skenat ndërkombëtare për të dalë më në fund nga izolimi kulturor. Nxjerrja e TK nga ETC (Konventa Europiane e Teatrit) menjëherë sapo Mirela mori detyrën, është një dëm katastrofik, që e thellon këtë izolim. Flitet për të rinj në art, por jo për art të të rinjve.
Mirela sapo mori në dorë MK-në shkatërroi Qendrën e Artit, të vetmin sukses politik të artistëve pas viteve ’90. Proces i nisur kur ministër Kulture ishte Edi Rama. Ky institucion u jepte vetë artistëve mundësi të ndanin buxhetin e tyre, duke ulur influencën e ministrit dhe të politikës. Mirela e mbylli me pretekstin se kishte korrupsion. Në atë kohë pati akuza për korrupsion në shumë ministri, por asnjëra nuk u mbyll. Në fakt, mbyllja e Qendrës së Artit i dha mundësi vetë Mirelës të ketë kontroll të plotë mbi të gjithë mekanizmin e shpërndarjes dhe mbështetjes së projekteve. Përzgjedhja dhe financimi i projekteve bëhet, sipas Mirelës, nga një kolegjium i përbërë prej specialistë të ministrisë. Askush nuk e di se cilët janë dhe çfarë kualifikimi kanë për gjykimin e veprave të artistëve profesionistë. Sigurisht që duke qenë punonjës të ministrisë, liria e tyre për zgjedhje fillon dhe mbaron te shijet e ministres, e cila e drejton këtë kolegjium.
Një fakt. Viti 1998-2000, Edi Rama, ministër Kulture, në Tiranë vepronin pesë kompani të pavarura teatri (OAZ, PUBLIMEDIA, PO, PRINCI I VOGËL, ATELIER 31). Viti 2013-2015, Mirela Kumbaro, ministre Kulture, në Tiranë veprojnë 0 kompani të pavarura teatri.
Ndoshta nën shembullin e reformave të thella, si ajo në Arsim dhe Drejtësi, ka ardhur koha që sistemi të zgjedhë drejtuesit e institucioneve dhe jo politika. A është e mundur kjo? Shembulli i Çulit, i politizuar çdo ditë e më shumë, nuk lë vend për shumë optimizëm.
Në mbyllje, pak matematikë për Mirelën dhe ata që i ka zënë histeria e shitjes 100% të biletave në TK: Kur një salle i heq gjysmën e ulëseve (nga 540 në 270), shitjen e biletave mund ta bësh më shpejt, por kjo s’do të thotë që janë shitur më shumë. Regjisori Çuli mund të ketë realizuar një shfaqje shumë të mirë dhe kjo gjë duhet përgëzuar, madje dhe mbështetur, por drejtori Çuli duhet të dijë se suksesi i një shfaqjeje nuk propagandohet si rendimenti i misrit me kv/ha.
Shqip
Add new comment