Shpëtimi i hebrejve në Shqipëri do të përfshihet në kurikulat mësimore
Shqipëria zyrtare mendon të përfshijë në kurikulat arsimore atë që prej disa institucioneve, apo historianëve, brenda e jashtë vendit, njihet si “shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët”, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ka folur gjatë një ceremonie zhvilluar në Ministrinë e Jashtme, me rastin e ditës ndërkombëtare të Holokaustit. “Transmetimin e kësaj pjese të historisë tek brezat dhe gjeneratat më të reja, ministri e quajti sfidë. Ndaj, për këtë arsye, tha ai, “gjatë vizitës sonë në Izrael para pak javëve ne firmosëm së bashku me një institut të rëndësishëm, një program që do të mundësojë përfshirjen e kësaj historie në kurrikulat e arsimit”, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare. Ky është një fakt që është prekur dhe nga historianë të ndryshëm dhe nuk dihet mirë sesi do të përfshihet në kurikulat mësimore, ku prej kohësh vërshojnë virtytet e shqiptarëve si tekst i paredaktueshëm i së vërtetës. Mund të vihet re lehtë në tonin që pati fjala e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, të cilit nuk i lejohet të ekzagjerojë emocionalisht për kësi temash: “E drejta për të jetuar është një e drejtë thelbësore e njeriut, ndaj refuzimi i dëgjimit të klithmës në ndihmë të tjetrit, nuk mund të justifikohet në pamundësi ekonomike dhe as përligjet për të krijuar ndasi të reja. Sot, ne shqiptarët kemi ç’të tregojmë, diçka të zakonshme për ne, por diçka të jashtëzakonshme për ata që shpëtuan dhe për ata që përkujtojmë sot. Në ato kohëra të errëta, shqiptarët qëndruan ballëlartë para historisë”, tha ai(http://www.ata.gov.al/perkujtimi-i-viktimave-te-holokaustit-bushati-shqi...).
Historia është komplekse dhe nuk pranon logjikën drejtvizore. Për të sjellë një argumentim që e pranon finalen e shpëtimit të hebrejve në Shqipëri, por jo romantikën që kërkon t’i japë politika, po sjellim këtu atë që shkruan Bernd Fischer, një historian që pranohet si autoritet në studimet mbi Shqipërinë e kohës së Luftës:
“...Me ardhjen e gjermanëve gjendja për hebrejtë u përkeqësua disi. Pushtuesit e rinj gjermanë filluan duke pyetur për listat e të gjithë hebrejve në Shqipëri si nga komuniteti hebre, ashtu edhe nga regjimi kukull i Mehdi Frashërit. Kjo kërkesë ishte, padyshim, një shenjë ogurzezë, sepse në rrethana të tjera një veprim i tillë ishte hapi i parë drejt arrestimit, shpërnguljes dhe zhdukjes së komuniteteve hebre. Por listat nuk iu dhanë gjermanëve as nga Komuniteti hebre shqiptar, as edhe nga regjimi kukull dhe gjermanët nuk e ndoqën më këtë çështje. Hezitimi i tyre për të vepruar në këtë mënyrë mund t’i dedikohet, pjesërisht, Herman Neubacherit, ish-kryebashkiak i Vjenes, i cili u bë përfaqësuesi special për Ballkanin i Ministrisë së Jashtme Gjermane dhe njëkohësisht përfaqesuesi personal i Ministrit të Jashtëm Gjerman Joachim von Ribbentrop në Shqipëri. Për një periudhë kohe ai qe figura më e fuqishme në Shqipëri. Përgjegjësia e tij ishte ta mbante Shqipërinë me një numër të vogël trupash gjë të cilën, ai e pranoi, kërkonte bashkëpunim real. Ai këmbënguli në një shpallje të re të pavarësisë së Shqipërisë dhe insistoi se Gjermania respektone pavarësinë kurdo të ishte e mundur. Neubacher doli me atë çka ai e konsideroi se ishin dy kategoritë e reja në ligjin ndërkombëtar, “neutraliteti relativ” dhe “sovraniteti relativ”. Ndërkohë që një pjesë e kësaj ishte me siguri fasadë, gjermanët vepruan në mënyrë të qartë në Shqipëri, ashtu siç e diktuan interesat e tyre – pushtimi Gjerman i Shqipërisë pati, relativisht, pak shenja fashizmi. Shtypi vendas pati një liri të konsiderueshme, Reichsfuhrer Heinrich Himmler u ndalua përkohësisht të krijonte një divizion Shqiptar Ëaffen SS, nuk pati organizata fashiste dhe nuk u kërkua punë e detyruar. Dhe ajo çka është e rëndësishme për qëllimet tona sot, ka të bëjë me faktin se hebrejtë nuk u përndoqën. Ata, natyrisht, që u ndjenë shumë më pak të sigurtë me gjermanët dhe shumë prej tyre – sidomos hebrejtë e huaj (sipas vlerësimeve të vitit 1943 ata ishin afërsisht 800 nga Austria, Gjermania, por edhe nga Polonia, Bullgaria dhe Jugosllavia) – qëndruan të fshehur, të mbrojtur njësoj nga myslimanët, ortodoksët dhe katolikët shqiptarë. Nuk njihet asnjë rast kur ky besim të jetë tradhëtuar, nuk dihet asnjë rast kur një hebre të jetë ekspozuar tek gjermanët, dhe nuk dihet, gjithashtu, asnjë rast i një familjeje pritëse shqiptare që të ketë kërkuar shpërblim për shërbimin.
Hebrejtë e Kosovës – ose të “Shqipërisë së Re”, siç u quajt nga shumë veta gjatë luftës – qenë pa fat. Shumë hebre nga Kroacia dhe Serbia kërkuan strehim në Kosovë. Megjithëse në fillim u trajtuan mirë, shumë hebre u kthyen në fund në Beograd ku dhe u ekzekutuan. Edhe italianët përmbushën kërkesat gjermane në Kosovë, duke hartuar listat e hebrejve. Për pasojë shumë prej Hebrejve u arrestuan dhe të tjerë u dërguan në Shqipëri me marifete të ndryshme, duke përfshirë, me sa duket, faktin se ata kishin tifon dhe se kishin nevojë të dërgoheshin në një spital në Shqipëri. Ata që ishin me fat për t’u përfshirë në këtë grup pothuajse u liruan menjëherë. Por shumë të tjerë nuk ishin me aq fat. Divizioni SS Skanderbeg, të cilin e organizoi Himmleri në Kosovë në pranverë të vitit 1944, arrestoi 281 hebre dhe i dërgoi në një kamp në Prishtinë para se ata të transportoheshin për në Reich. Të tjerët iu shtuan atyre më vonë, nga 400 hebre që u dërguan në kampin e përqendrimit të Bergen Belsen , vetëm rreth 100 prej tyre mundën të mbijetojnë.
Kushtet për hebrejtë në Shqipërinë e Vjetër do të bëheshin, gjithashtu, më të rrezikshme. Në shtator administrata civile gjermane pothuajse ishte shkrirë dhe pushteti – ajo çka kishte mbetur – iu transferua Generalit SS Joseph Fitzhum, i cili, ashtu si edhe Neubacher, ishte nga Vjena ku ai kishte qenë shef policie. Por ndryshe nga Neubacher, sidoqoftë, ai ishte veçanërisht racist arrogant, urrejtja e të cilit ishte e drejtuar jo vetëm kundër hebrejve, por edhe kundër Shqiptarve në tërësi. Fitzhum shpesh kishte hedhur poshtë me ashpërsi insistimin e Neubacherit për respektimin e “sovranitetit relativ” të Shqipërisë.” Përfundimisht duket se Fitzhum urdhëroi që hebrejtë e Vlorës të arrestoheshin dhe të transportoheshin drejt Reichut bashkë me Gjermanët që tërhiqeshin. Në të vërtetë, sidoqoftë, avancimi i partizanëve e prishi këtë plan dhe hebrejtë shpëtuan.
Në analizën përfundimtare, 100% e hebrejve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta – madje edhe 60% e hebrejve të Kosovës gjithashtu mbijetuan nga lufta. Konfrenca e Ëansee vlerësoi se në Shqipëri në vitin 1941 ishin 200 hebre, shifër e cila ka të ngjarë të jetë e pasaktë. Është vlerësuar se në fund të luftës në Shqipëri ka pasur 1800 hebre – një arritje e shënuar dhe e pakonkurrueshme në Ballkan dhe ndoshta në Europë si tërësi”( http://www.trepca.net/2004/04/040413_bf_henrejte_shqiperise.htm).
Add new comment