2 prill 1991 - 21 janar 2011
Janari i pestë kaloi. Një pjesë e mediave e pasqyroi gjerësisht, një pjesë tjetër dhe katër kryetarë shoqatash të tyre, u morën me “mbrojtjen e gazetarit” mistrec që ngacmoi “Tri motrat” e Hervin Çulit. Iku pra dhe ky 21 janar për t’ia lënë vendin halleve të tjera të përditshme. Reforma në drejtësi, ekonomia, Shengeni, të gjitha të rrezikuara. Të gjitha në buzë të greminës. (“Po. Na falni se harruam. Është edhe Teatri Kombëtar në rrezik të madh!”) Por le të kthehemi tek një shkrim, ndoshta më i guximshmi dhe më seriozi që u botua këtë pesë vjetor lidhur me atë ngjarje të tmerrshme.
Mendoj se është momenti për ta bërë këtë punë, d.m.th t’i analizojmë më gjakftohtësisht ato që u thanë për atë ditë. E kam fjalën për shkrimin e Andrea Stefanit “Ylli i përgjakur (dhe SMS-të e mia me ambasadorin amerikan për 21 janarin)” të botuar tek gazeta “Dita”. Autori analizon ngjarjen nga një këndvështrim shumë interesant. Veç të tjerave, në atë shkrim ku autori e cilëson me përcaktorin e duhur “yll i përgjakur” një nga autorët e 21 janarit, më ka bërë përshtypje edhe diçka tjetër: Aty, për së pari, lexuesi ftohet seriozisht të perceptojë më qartë rolin e ambasadorëve të huaj (të SHBA-së në këtë rast, Arvizu) ndaj ngjarjeve të rënda kriminale dhe autorëve të tyre tek ne. Ilustrohen me shembuj konkretë luhatjet dhe ambiguiteti i qëndrimeve të tyre për krimet e pushtetarëve tanë, sjellje që kontrastojnë dukshëm me ato të Perëndimit, për ngjarjet në vendet e veta.
Por në shkrim kishte edhe diçka, në dukje e vogël, por që mua personalisht, ma prishi pak shijen e asaj analize të bukur. Pikërisht fjalia: ““21 janari” është edhe ribotimi i “2 prillit” shqiptar në demokraci”, që ndodhet në këtë paragraf:
“Sot është 21 janar, 5 vjet nga dita tragjike e një masakre ku u vranë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. “21 janari” është Tienanmeni, Tahriri apo Timishoara shqiptare. Por edhe më keq. Është edhe ribotimi i “2 prillit” shqiptar në demokraci. Drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vet. Sepse drejtësia nuk ekziston në Shqipëri. Premtimeve për një hetim gjithëpërfshirës ja zuri vendin një hetim selektiv që la jashtë fokusit përgjegjësit kryesorë politikë të këtij krimi ekuivalent me dështimin e shtetit”.
Për këtë çështje unë mendoj pak ndryshe nga Andrea Stefani. 21 Janari nuk është ribotimi i 2 Prillit të 1991-t, sepse ky i fundit nuk ishte as Tienanmeni, as Tahriri apo Timishoara shqiptare. Ai ishte diçka tjetër.
2 Prilli i para 25 vjetëve ka ngjashmëri, por jo aty ku thotë ai. Ashtu si pas 20 vjetësh, edhe më 21 janarin e 2011-s, u vranë në mes të ditës në bulevard po katër qytetarë. Kaq dhe nuk ka asnjë lidhje tjetër midis mënyrës së hetimit dhe gjykimit të të dy ngjarjeve. Pra ka vetëm një ngjashmëri me numrin e të vrarëve, katër, dhe asnjë ribotim. Sigurisht, është diçka tjetër që i lidh këto dy ngjarje, por ajo nuk është fotokopje apo ribotim siç thoni ju. Ajo është e njëjta kopje. Është karta e identitetit që mban në xhepin e tij shtetasi Sali Ram Berisha. Të tjerat janë krejt ndryshe.
Më 2 prill 1991, ndryshe nga 21 janari 2011, protesta kishte motivin më përçarës, më antikombëtar të mundshëm. Parrulla e vetme e saj ishte “Shkodra Republikë”! Dhuna që shkrumboi institucionin me parrullën antikombëtare synonte të sillte patjetër një antishqiptar në pushtet. Si quhej ai që erdhi më pas? Pas 2 prillit, ndryshe nga 21 janari 2011, nuk mbeti njeri pa u arrestuar, pa u gjykuar. Dhe me ç’gjyq se? Gjyqtar Qazim Gjonajn! Ata që donte Sali Berisha vuri Ramiz Alia ta gjykonin atë çështje. Edhe prokurorët i zgjodhi po ai. Hajde gjyq që u bë atëherë, hajde. Asnjë pyetje për të marrë vesh se çfarë kërkonin protestuesit. Nga vinte kjo parrullë “Shkodra Republikë? Po nxënësit e shkollës kush i nxori forcërisht nga mësimi atë ditë? Po ata që shkuan tek “Radio Shkodra” për të përhapur lajmin se “Shkodra doli Republikë më vete” cilët qenë? Kush i dërgoi? Mirë ata që vajtën në Shkodër në errësirë një natë më parë “nuk dihen”, po për këta të mesditës së 2 prillit pse nuk u pyet fare kush qenë?! Ata ishin edhe pa maska.
Edhe prokurorët, dy bëheshin bashkë me Nazif Bezhanin, në cilësinë e avokatit të familjes. Pa asnjë provë në të trija shkallët e gjykimit u dënuan pesë vetë: Aredin Shyti, Çapajev Taçi, Dilaver Papare, Gjek Çelaj dhe Xhemal Dymyle. Pak kohë më vonë, e kam dëgjuar vetë të ndjerin Nazif Bezhani të shprehet se: “këta të pestë nuk kanë asnjë faj. Janë dënuar kot të shkretët”?! Pra u dënuan pa prova. Them pa asnjë provë, se ashtu si zhduku provat pas 20 vjetësh në natën e 21 janarit të 2011-s, duke fshirë serverin e kryeministrisë e ndërruar tytat e armëve të tij vrastare, i njëjti njeri edhe atëherë pengoi dhunshëm hetimin që duhej të fillonte me kqyrjen e vendit të ngjarjes, me autopsinë e menjëhershme të viktimave të 2 prillit, të armëve, etj... Ai që pengoi hetimin e provave, a mos vallë ishte i njëjti shtetas, dhe quhej Sali Berisha? Nuk po zgjatem më shumë se nuk mund t’i radhit faktet më bukur se ç’i ka treguar kryehetuesi i asaj kohe Qemal Lame, apo siç i ka përshkruar në letrën e tij të hapur drejtuar Bujar Nishanit, Gjek Çelaj, njëri prej të dënuarve për atë ngjarje nga sistemi ynë i famshëm i drejtësisë. Por problemi nuk është vetëm se u dënuan të pafajshmit, por se mbetën të lirë kriminelët e vërtetë. Dhe më e keqja është se, fiks pas 20 vjetësh u vranë prapë katër të tjerë dhe qelitë e burgut nuk kanë asnjë vrasës brenda. Sigurisht, distanca në kohë midis këtyre dy ngjarjeve bën të vetën. Ca nga kombinacionet e errëta dhe ca nga morali i gjymtuar i diplomatëve të huaj, gjërat vështirësohen vërtetë. Sali Berisha është tamam ashtu siç thotë Andrea Stefani në shkrimine tij, se e bën edhe “priftin me barrë”, por sot nuk na falet të hutohemi nga “Pinoku i Gërdecit”. Ai vetëm se nuk kishte se ç’ti bënte kamerës së Artan Hoxhës, por po të ishte si më ’91-shin, në burg do të ishin sot e kësaj dite Edi Rama me shokë për vrasjen me çadra pistoletë të katër demonstruesve të 21 janarit. Le të hutohen perëndimorët, ambasadorët, por ne jo! Ata mbase janë naivë dhe i besojnë ende më shumë atij se sa ekspertizës së FBI-së. Ose mbase hutohen me dashje. Ç’të them unë? Por të gjithë analistët seriozë nuk duhet të hutohen.
Në lidhje me ngjarjen e 2 prillit të 1991 unë kam një histori personale. Ishte qershori i ’93-shit kur lideri i PS-së së asaj kohe donte të bënte një takim me simpatizantët e tij në Shkodër. Por në hyrje të qytetit ai u pengua nga një grup militantësh të PD-së. Pas kësaj, për këtë ngjarje, Sali Berisha, atëherë president i vendit, në një konferencë shtypi deklaroi se: ”Ç’donte Fatos Nano në Shkodër? Shkodranët janë antikomunistë”. Nisur nga kjo deklaratë, kryetari i PUKSH-së, që drejtonte edhe gazetën “Kombi” boton një artikull me titullin: “Sali Berisha ju jeni vrasës i gjithë shqiptarëve”. Për t’i dhënë vlerën e një artikulli redaksional, poshtë tij ishte vendosur nënshkrimi Arbër Kastrioti. Për këtë kryeredaktori u denoncua në prokurori nga Sali Berisha dhe u arrestua me akuzën për “fyerje publike”. Në kryesinë e PUK-ut atëherë unë isha i vetmi që kisha një diplomë për gjuhën shqipe. Nuk e mbaj mend kush e hodhi i pari idenë që të mbroheshim në gjyq duke pretenduar se fjala “vrasës” ishte në dorëshkrim me thonjëza, pra në kuptim figurativ, por ato kishin “rënë” diku në shtypshkronjë. Mbaj mend që ato ditë unë botova një shkrim tek “Zëri i Popullit” me titullin “Idajet Beqiri në duart e thonjëzave” . Aty, duke ruajtur linjën e kinse të së figurshmes letrare nëpërmjet thonjëzave, rrekesha të shfrytëzoja faktin që “Rregullorja e drejtshkrimit të shenjave të pikësimit” është si edhe sot e kësaj dite vetëm “Maket”, prandaj nuk ishte detyrimisht e zbatueshme. Për t’u dukur asnjanës dhe sa më profesionist i fushës, d.m.th gjuhëtar, shkrimin e nënshkruaja “Lin Guisti”. Po ku pinin ujë tek gjykatësit e Berishës argumentet e mia gjuhësore? Gjykata e rrethit Tiranë, duke zbatuar porosinë e Sali Berishës, vendosi 6 muaj burg për Idajet Beqirin. Në gjykimin e shkallës së Apelit unë do të thirresha si dëshmitar i çështjes. Këtë radhë, kisha planifikuar që t’i lija mënjanë thonjëzat dhe do të argumentoja që fjala “vrasës” ishte një metaforë gjuhësore si gjithë të tjerat. Edhe me ndihmën e fjalorit do të tregoja se metaforat gjuhësore, si p.sh - grykë mali, grykë pushke vinë nga grykë njeriu, apo ashtu siç ka ardhur nga këmbë njeriu, metafora këmbë tavoline dhe po ashtu, siç nuk kanë nevojë për këpucë këmbët e tavolinës, nuk kishte nevojë për thonjëza edhe fjala vrasës.
Por ajo që dua të nënvizoj është ky fakt: Një ditë përpara gjyqit bisedova me avokatin mbrojtës së kësaj çështjeje. I fola shkurtimisht për punën e metaforave që përmenda më sipër dhe shpreha gatishmërinë time për t’i mbrojtur bindjet e mia gjuhësore në gjyq, por... kisha vetëm një hall. Problemi i vërtetë qëndronte tek dy- tri fjali që ndodheshin brenda në shkrim: “Zoti President! Ju na premtuat para se të vinit në pushtet se do t’i gjenit dhe do t’i dënonit vrasësit e 2 prillit, por ju jo vetëm që nuk i dënuat, por i vutë ata në majë të piramidës shtetërore. Lexojeni emrin e tij në muret e Shkodrës...”.
Në rrugë konfidenciale kisha marrë vesh se këto fjali i kishin “djegur” dhe i kishte nënvizuar në gazetë me ngjyrë jeshile i ndjeri Pjetër Arbnori dhe kur e kishte diskutuar këtë gjë me Berishën, kishin rënë në ujdi që kallëzimin ta bënte jo ai, por vetë Berisha... për fyerjen që përmbante vetëm fjala “vrasës”. Prandaj pyeta avokatin: “Unë do t’a marr përgjegjësinë e autorësisë së shkrimit, por si t’ia bëj po më pyetën pikërisht për këto fjali? Ç’të them?” “Mos u bëj merak se nuk të pyesin kurrë për ato fjali.” Ishte përgjigjja e akullt e tij për frazën më të nxehtë të shkrimit. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Pyetjes së parë të prokurorit: “A e ke lexuar shkrimin?” iu përgjigja: “Unë e kam shkruar shkrimin”. Hiç ai. Hiç edhe gjyqtari i çështjes. Ai më pyeti dhe çfarë s’më pyeti, por ato fjalitë që kisha frikë unë, nuk m’i zuri në gojë. Avokati kish pasur të drejtë. Porosia e Berishës ishte e qartë për gjykatësit dhe prokurorët e tij. Duhej vetëm një i dënuar për fyerje dhe jo për “shpifjen” që vinte gishtin tek vrasësit e vërtetë të 2 prillit. Atëherë kuptova se, askush tjetër si Berisha, duke u vetëviktimizuar si i fyer për fjalën “vrasës”, shmangte djallëzisht ato që shkruanin njerëzit nëpër muret e Shkodrës dhe që ishin përmendur edhe në gazetë. Pra kallëzuesi i atij procesi gjyqësor shejtan budallai Sali Berisha, tërthorazi pranonte se shkrimi “Sali Berisha ju jeni vrasës i gjithë shqiptarëve” nuk kishte asnjë shpifje brenda, por vetëm “fyerje”. Këtë desha të dëshmoja në fakt me këtë episod timin të atyre viteve. Sa naiv isha treguar atëherë kur dyshoja se ato që ishin shkruar me bojë mureve të Shkodrës, mund të qenë të pa vërteta. Atëherë na falej. Por atëherë, sot jo. Prandaj “21 janari” nuk është ribotim i “2 prillit”. Vetëm një emër i lidh ato dy data, ai që shkruhet tek karta e identitetit e shtetasit: Sali Ram Berisha.
Shënim: Shkrimi i mësipërm është botuar në gazetën “Dita” më datën 25 janar në versionin print me titullin: “Cila është fija që lidh 2 prillin me 21 janarin”. Versioni i këtushëm ka disa ndryshime që i janë bërë nga vetë autori.
Comments
O z.Ilir.Edhe atehere dihej
O z.Ilir.Edhe atehere dihej kush ishte vrasesi ,edhe tani dihet.Puna eshte se as atehere e as tani nuk po i tregohet vendi vrasesit.Edhe per kete aresye ata dy ngjarje jane si dy pika uji.Dhente zoti mos kemi nje te trete.
Te lumte zoti Mborja.
Te lumte zoti Mborja.
Pergezime per kurajon qytetare dhe kulturen e te shkruajturit.
Njerezit jane merzitur nga pritja, dhe cdo indicje ne lidhje me kete teme, krijon shprese se me ne fund mund te kete drejtesi, duke denuar me te drejte kyekriminelin e kombit, Sali Rame Berisha (SRB -targa e Serbise).
Te uroj shendet, mbaresi e miresi.
Tung.
Faleminderit Ndoc per fjalet
Faleminderit Ndoc per fjalet inkurajuese qe me thua!
Add new comment