Çfarë po ndodh në Berat? Shkrimtari Balil Gjini flet për “shpopullime nga qytetarët dhe popullim me fshatarë”
Shkrimtari Balil Gjini shkruan sot në gazetën “Mapo” për disa zhvillime në Berat që kanë për autor kryesor kryetarin e bashkisë Petrit Sinaj(opinioni i plotë: http://www.respublica.al/2016/01/26/kafka-pas-luleve).
Gjini merr shkak nga një rast i shkarkimit nga puna të disa punonjësve për të ngritur në shkrim probleme më të thella, ose më mirë, që kanë arsye më të thella e që e kanë përshkruar Shqipërinë përgjatë këtij 25 vjeçari. “Rasti në fjalë, është pikërisht ai gur arrogance i hedhur mbi dëborën e indiferencës sonë shoqërore vite e vite më parë, por që gjatë rrugës, duke mos gjetur diga t’i presin hovin, është bërë ortek i madh, duke shkallmuar gjithçka i ka dalë përpara: norma, rregulla, tarbiete, gjersa ka ardhur ky çast kur të gjithë ngremë shuplakat e duarve përpjetë si flamuj të bardhë falimentimi...Zogu i interesave të tij është një harabel fushe, që fluturon ulët dhe i mjaftojnë koçekët me misër të katundit dhe… krushqia me Metën...Ushtritë visigote kur kalonin rrugës varnin nëpër pemë kë t’iu dilte përpara. Kështu duhet kuptuar edhe numri i madh i të shkarkuarve nga Petrit Sinaj. Këta të shkarkuar, në njëfarë mënyre, duhet t’i përfytyrojmë si kurbanë të varur në pemët e parkut të Beratit, që me pamjen e tyre duhet të lebetitin këdo që kërkon të bëzajë, të kritikojë bashkinë, apo administratën”, shkruan Gjini. Kjo për të kuptuar fshesën e hekurt bashkiako-lsiste të cilën secili e ndjen në qytetin e vet, por që humbet pas tamatameve të thirrjeve për reforma në qytetin e përbashkët televiziv.
Burimi i këtij mekanizmi thuajse shfarrosës për çdo qelizë të limfës sociale? E thjeshtë fare: katundarizmi që merr në dorë torbën e pushtetit. Ja sesi e lexon Gjini sinajadën e Beratit: “Siç mund të shihet, kjo “mundet” ecën në asfaltin e këtij ligjërimi me dy paterica nën sqetull, sepse kryetari i bashkisë s’është nga ato qenie që blegërijnë të lumtura tek oborri i partisë. Jo. Është aty për të tjera “punë”. Një nga këto “punë” është të shkulë me gjithë rrënjë qytetarët e këtij qyteti, ata që s’votuan për të. Ai të kujton mbretin e Indisë Tunglaku, për të cilin na flet Canetti, i cili vendosi që qytetin e Delfit ta bënte gërmadha. Ta bënte sepse banorët e tij i hidhnin letra ku e shanin dhe e mallkonin. Në vend të tyre solli banorë nga qytetet e tjera, ashtu siç kërkon të bëjë kryetari i bashkisë, duke e populluar Beratin me fshatarë. Duke i dëbuar të tjerët, vjen çasti magjik i të qenurit i vetmi, ëndrra ogurzezë e të gjithë sundimtarëve. Dhuna është hakmarrja e trupit mbi mendjen, e bishës mbi të qytetëruarin. Kryetari i bashkisë, duke ardhur nga një bashkësi fetare, duhej të shfaqte frymën dhe mistikën e kësaj bashkësie, pra blegërimën e butë të qengjit të humbur të kopesë, dhe jo hungërimat e bishës, të vinte drejt njerëzve që e votuan me gjërat e buta të qytetërimit (pupla, pendë, mëndafsh) dhe jo me gjërat e vrazhda të barbarisë (zhguaj, kthetra, thonj)”. E lexuar kështu, si novela e një qyteti, mund të thuhet se punët qenka keq në Berat.
Comments
Shume e drejte per sa thote
Shume e drejte per sa thote zoteria ne fjale. Kjo qe po ndodh ne Berat, nuk eshte e sotme, por eshte shume shume e hereshme, ka filluar qe ne fillimet e viteve 1950, kur filluan te vijne turma e turmA, skraparlinjte, dhe avash avash, okupuan te gjithe kazane e Beratit, dhe filluan te zene vendet kyce, fale perkrahjes qe u vinin nga strukturat e qeverise se asaje periudhe.
Kjo gje, vazhdon sot, akoma edhe me e eger, me shume vrazhdesi, mbasi skraparlinjte e para 30-40-50 vjeteve, tashme jane bere, Beratas, dhe keta ardhanaket e rinj, ndeshen me ata te paret, keshtuqe perplasja eshte me e eger.
E njejta gje po ndodh ne Shkoder, dhe shkodres nuk i thone me Shkoder loce, por Shkoder gjin, mbasi ka zbarkuar Dukagjini mbare. Aq i frikshem eshte ky fenomen, sa katoliket, ruajme varrezat ne Rrmaj, mbasi malcoret o Dukagjinit, te zbritur ne Shkoder, po u zhgulin varret vendalinjve e po varrosin njerezit e vet. Eshte bere nje problem sa s'ka burre qe e frenon.
Fenomene te tranzicionit alla shqiptare.
Add new comment