Kallëzim penal për deputeten e PD-së, Albana Vokshi. Kryeministri: “Jap dorëheqjen nëse provon në Gjykatë se ka prova për ato që akuzon”
Kryeministria ka shpërndarë sot një njoftim përmes të cilit bën me dije kallëzimin penal të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi. “Deputetja e Partisë Demokratike ka marrë përsipër sektorin e prodhimit të baltës së shpifjeve për çdo nismë të qeverisë në fushën e shëndetësisë. Në aktivitetin e saj të vazhdueshëm prodhues, ajo në mënyrë të përsëritur përshin emrin e Kryeministrit. Zyra e Kryeministrit ka të gjitha arsyet e bazuara në prova e fakte, për të besuar se fatkeqësisht, deputetja Albana Vokshi i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të lartë politik në PD, si famëkëqijtë Paloka dhe Ristani. Këta të fundit u provuan si shpifës për përdorim partiak nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pasi nuk arritën të provojnë përpara trupit gjykues asgjë tjetër, përveç faktit se shpifin për llogari të partisë së tyre. Ka ardhur koha që Gjykata e Lartë të kalojë në sitën e gjykimit të saj të pavarur e të paanshëm edhe akuzat e deputetes në fjalë. Njësoj si në rastet e shpifësve Paloka dhe Ristani, Kryeministri Rama shpreh publikisht gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, jo vetëm nga detyra, por edhe nga aktiviteti i tij politik, nëse deputetja Vokshi do të provojë në gjykatë se shpifjet e saj ndaj Kryeministrit nuk janë të tilla”, thuhet në njoftim.
Add new comment