"Nuk është konçesion, por marrëveshje partneriteti publik-privat”
Po diskutohet gjerësisht në media, me spekullime nga më të shumtat, partneriteti që qeveria ka vendosur të aplikojë me subjekte private për përmirësimin e mbledhjes së TVSH-së. Siç është sqaruar nga Ministria e Financave, kompania private që do të fitojë pas tenderit, do të mundësojë një sistem që përcjell te Drejtoria e Tatimeve faturat në kohë reale, përfshirë edhe transaksionet bankare. Mbledhja e çdo takse dhe detyrat funksionale të Tatimeve mbeten ato që janë. Në këtë kuadër merr kuptim sqarimi që është përpjekur të japë sot Ministria e Financave përmes zv.ministres së Financave, Irena Beqiraj, që nuk po aplikohet një marrëveshje konçesionare, pasi nuk jepet asnjë shërbim aktual privatit, por krijohet një shërbim i ri, ndihmës, në partneritet me shtetin. “E theksoj: nuk është koncesion, por mënyrë për të rritur efektivitetin e mbledhjes së të ardhurave. Nuk është shpikje shqiptare, por zbatohet në shumë vende. Sulmet janë skandaloze, të pabazuara politikisht dhe të paargumentuara profesionalisht”, u shpreh Beqiraj. Sipas saj kjo platformë në dhjetë vitet e ardhshme pritet të mbledhë 180 milionë dollarë më shumë, nga 440 në 620 milionë dollarë. “Kemi probleme me raportimin e të ardhurave në sistem për transaksionet biznes-biznes. Deklarimi bëhet jo në kohë reale dhe transmetimi i transaksioneve të biznesit të madh vetëm një herë në muaj na kushtëzon. Sistemi i ri bazohet në faturë elektronike në kohë reale, gjurmim të mallrave nga dogana deri te konsumatori dhe përmirësim të efikasitetit të administratës në luftën ndaj informalitetit. Nuk ka humbje, vetë, përfitime, ndërkohë që përfitimi i koncesionarit do të varet nga të ardhurat”, sqaroi Beqiraj.
Add new comment