Berisha e ndan mendjen, boton librin “Qytetari Dixhital – Publishing Inbox”

Postuar në 16 Janar, 2016 04:11

Ka deklaruar prej kohësh se nuk ka ndërmend të shkruajë kujtime, por ja që edhe Sali Berisha e shkel fjalën. E nënvizojmë këtë thjesht sepse Berisha, apo Doktori siç e njohin, ka arritur të imponojë imazhin e një njeriu që “persiston” siç thotë vetë dhe që i përmbahet marrëveshjeve. Kështu, burime nga një shtëpi botuese e njohur në Tiranë, bëjnë të ditur se Doktori ka dorëzuar bocat e Ditarit të vet, të quajtur “Qytetari Dixhital – Publishing Inbox”. Aty përmblidhen denoncimet e qytetarëve të cilat Berisha i poston në profilin e vet, në këtë media të një lloji të ri.

 “ResPublica” e disponon dorëshkrimin dhe për sa e kemi lexuar përciptazi mund të themi se dy janë arsyet se përse Doktori ndërmori këtë hap: Së pari se si një dashnor i Fjalës së Lirë, ai, siç thotë në parathënie, ka vënë re se “maskat e gazetarisë” kanë nisur të sabotojnë të vërtetën. Dhe së dyti se ka zëra se me reformën në Drejtësi, Doktori nuk do ta ketë më të mundur që të publikojë deri edhe ankesat e “fermerit dixhital”.

Gjithsesi njerëz të afërt me të thonë se Doktori kësaj radhe ka vendosur të tregohet modest, pasi ka kërkuar të mos përmendet ky sukses i tij si pjesë e programit “Shqipëria në moshën e internetit”, projekti që u nis në kohën e qeverisjes së PD-së.

Po kështu merret vesh se në libër, nuk është përfshirë asnjë denoncim nga “demokrati dixhital”, gjithnjë për një zgjedhje arbitrare të autorit që deklaron me të madhe se “Për mua demokratët janë të vërtetë”. Mungon aty edhe një kapitull për “Amanita Muskaris” dhe kjo sepse “shpirti i demokratëve e urren kodin e Omertasë” apo marrëdhëniet makbethiane, tipike për neobllokmenët.

“Një margaritar i fjalës së lirë, i fjalës së të gjithëve për gjithçka që munden, përmes një media të vetme. Një media e krijuar, themeluar dhe administruar nga një njeri i vetëm: Doktor Berisha“.  Kështu e cilëson botuesi që po mendon ta pasurojë me karikaturat përkatëse për temat e denoncimeve. Me siguri kryeministri aktual Edi Rama do të ketë rekordin e karikaturave që janë kuriozitet më vete. Dikush ka hedhur idenë që një kapitull ta titullojnë “Rama Kaput”, meqenëse kryeministri piktor, kujton sadopak arrogancën dhe salltanetin e Frankut, personazhi i librit “Kaput” të Malapartes, qeveritar dhe admirues arti, jo edhe aq fin.

Vëllimi do të përkthehet në anglisht dhe frëngjisht dhe një kopje do t’i dërgohet partive të djathta simotra.  

 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.