Nuk përjashtohet konçesioni për “Albpetrolin” . “INSIG” me vlerë fillestare tenderimi, 15 milionë euro
Qeveria shqiptare ka ndërmend të nxjerrë në treg për privatizim gjatë vitit 2016 më shumë se 1700 objekte. Drejtori i Privatizimeve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Zamir Stefani, sqaron se “këto janë objekte të mbetura nga ish ndërmarrje, asete të ndryshme të këtyre ndërmarrjeve apo shoqërive publike, si reparte ushtarake, objekte ushtarake apo të Ministrisë së Brendshme, Bujqësisë, Arsimit etj, që kanë dalë jashtë funksionit të tyre”. Me rëndësi është prononcimi i këtij zyrtari për privatizimin e disa aseteve që zotërohen plotësisht, apo pjesërisht nga shteti. “Albpetroli” është kryesori pasi është më i madh në vlerë dhe në një sektor strategjik. Stefani shpjegon se forma e privatizimit ende po vlerësohet. “Ajo që është më e rëndësishme është studimi që po bëjmë për mënyrën e privatizimit të Albpetrolit. Mendohet të bëhet një studim i hollësishëm, gjë që ka nisur që një vit më parë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës si dhe specialistë të fushave për ristrukturimin e saj, ose për mënyrën se si ne do të gjejmë formën për ta kaluar këtë në privatizim. Nuk është vendosur ende nëse do të bëhet privatizimi përmes shitjes së 100% të aksioneve, apo formave të tjera pasi po shqyrtohen edhe forma të tjera privatizimi që janë edhe bashkëpunimi me kompani të tjera të specializuara “Joint Venture’, ose me koncension”, deklaron Stefani. Pak ditë më parë lajmi për privatizimin e kësaj kompanie tërhiqte vëmendjen te vlera e tij, që ishte shumë më e ulët sesa ajo e vitit 2012.
Një tjetër kompani shumë e rëndësishme që po mendohet të privatizohet është Instituti i Sigurimeve, i cili sipas Stefanit vlen sot 15 milionë euro, që do të jetë edhe vlera fillestare e tenderit. “Vlerësimi i kompanisë së INSIG-ut është 15 milionë euro, çka do të thotë se do të jetë dhe vlera fillestare e tenderit të hapur për shitjen e tij. Privatizimi i kompanisë INSIG filloi si procedurë që vitin e kaluar, proces i cili u krye nga një kompani konsulencë ndërkombëtar. Kemi mbaruar procedurën dhe e kemi dërguar në Ministrinë e Financave, e cila do të shpallë publikimin për hapjen e tenderit. Forma e tenderit është e hapur. Kemi një vlerë që është 15 milionë euro, e vlerësuar nga konsulenti”, deklaron Stefani.
http://www.ata.gov.al/stefani-mbi-1700-objekte-do-te-dalin-ne-treg-per-p...
Add new comment