Shqipëria sipas Berishës
Në konferencën e thirrur me gazetarët ish- kryeministri Berisha u ndal në situatën e kriminalitetit në vend. Ai tha se ka inefiçencë dhe paralizë e organeve të rendit duke e krahasuar nivelin e rendit dhe sigurisë në 10 ditëshin e parë të janarit me atë të vitit '97.
Ish-kryeministri e cilësoi serioze situatën edhe në ekonomi ku sipas tij në dy muaj kanë humbur vendet e punës 73 mijë qytetarë shqiptarë, ka rënë kreditimi për ekonominë, është dyfishuar defiçiti korrent i saj, ndërsa doganat janë në 78% të planit të tyre, çka sipas tij e detyroi qeverinë të rishqyrtojë buxhetin.
Berisha tha se kryeminstri ka shantazhuar drejtësinë për të mbrojtur nga hetimi ministra të korruptuar. Ai iu referua një studimi të "Open Data Albania" për telefonata kërcënuese të Edi Ramës ndaj prokurorëve për dosjen e Ilir Beqes. Lidhur me reformën në drejtësi ish-kryeministri shpjegoi se qëndrimi i opozitës është parimor dhe se gjithë ngërçi ku Partia Demokratike dyshon se mazhoranca synon të kapë drejtësinë është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit me 3/5 dhe jo 2/3 siç rekomandon Komisioni i Venecias.
Ai theksoi se kryeministri Rama shtiret kur thotë se reforma u është lënë në dorë ekspertëve, duke e akuzuar për kontroll të plotë mbi tryezën e ekspertëve që hartoi draftin. Berisha vlerësoi angazhimin e ambasadorit amerikan në reformën në Drejtësi duke thënë se ai nuk kishte asnjë vërejtje për rekomandimet e Venecias, përkundrazi ishte plotësisht dakord me to.
Të gjitha këto sipas tij po e çojnë vendin drejt një rrënimi të paparë ndaj dhe sipas tij shqiptarët duhet të ngrihen për të larguar qeverinë. I pyetur mbi dokumentin që po qarkullon nga prokuroria ku dyshohet se ka një komunikim mes kryeparlamentarit Meta dhe Kastriot Ismailaj Berisha tha se kishte dijeni aq sa mediat, duke e cilësuar një luftë për jetë a vdekje midis vëllezërve armiq. Ai mohoi që të ketë një presion nga faktori ndërkombëtar që ai të tërhiqet nga jeta politike.
Add new comment