Bashkim Shehu: Do të vazhdoj të shkruaj për komunizmin
Komunizmi nuk ka mbaruar në letërsinë e Bashkim Shehut. Më shumë se 20 vjet nga botimi i “Vjeshtës së ankthit”, një libër eseistik, ku përzihej letërsia me kujtimet e jetës së kaluar në bllok, Shehu ka vijuar të shtjellojë të shkuarën në një sërë romanësh të botuar këto vite. Të qenët larg Shqipërisë (prej vitesh ai jeton në Spanjë) duket se nuk e ka ndryshuar kahun e letërsisë së tij. Kujtesa vazhdon të jetë më e fortë se e tashmja. Në janar të 2015-s, ai botoi romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, një libër i shkruar në formë fjalori, ku mund të takosh personazhe që kanë lidhje me ish- komunizmin. Një ish-punonjës i çmendur i arkivave, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës, projekti për ndërtimin e ish- Bllokut të nëndheshëm dhe një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri… Duket se intelektuali brenda tij, vazhdon të drejtojë shkrimtarin, i cili talentin e ka orientuar nga historia. Por viti 2016 duket se ka nisur mirë për Shehun. Ka vetëm pak ditë që në frëngjisht ka dalë libri i tij i katërt. Një tregim brenda romanit të tij “Angelus Novus” , përkthyer në frëngjisht nga Élisabeth Chabuel, është botuar si libër më vete në Francë, me titullin “Gracka”, nga shtëpia botuese “Éditions Imprévues”, e cila ka interes të veçantë për letërsinë shqipe.
“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, por dhe libra të tjerë të shkruar prej jush, e kanë subjektin nga e shkuara. Çfarë ndodh midis teje dhe të shkuarës që shndërrohet më pas në një libër?
Do të thosha se, më tepër se midis meje dhe së shkuarës, ndodh midis kujtesës sime dhe imagjinatës dhe ajo që ndodh është një martesë e ndërlikuar, e tensionuar dhe njëkohësisht e pazgjidhshme, pa mundësi për divorc. Por më lejoni të bëj edhe një saktësim për sa thoni. Në këtë roman, sikurse përgjithësisht në librat e mi, subjekti është vetëm pjesërisht nga e shkuara, sepse në to bëhet fjalë edhe për të tashmen, madje në disa prej tyre edhe për ju konkretisht, për veprimtarinë tuaj, për mediat. Nga ana tjetër, po të mos mbetemi te subjekti dhe të shkojmë një çikë më tej, domethënë po të vështrojmë dukuritë njerëzore në thelbin e tyre, kur flitet për të kaluarën, flitet njëkohësisht për të tashmen, si dhe anasjelltas.
Në fakt, e gjithë letërsia shqipe e shkruar pas viteve ’90 vazhdon të frymëzohet nga ajo periudhë … Pse ndodh kjo? Nuk prodhon histori e tashmja apo …
Mendoj se letërsia e sotme shqipe është më e larmishme për sa u takon referencave kronologjike dhe nuk ngelet në caqet e asaj periudhe.
Do të vazhdoni të shkruani histori që shpjegojnë komunizmin?
Besoj se po. Vetëm se termi “shpjegim” ka nevojë të specifikohet.
Ju keni historinë tuaj në raport me komunizmin, por dhe si një intelektual, i kohërave të sotme, nëse do të kishit një përkufizim për këtë periudhë, si do ta quanit?
Me pak fjalë, do ta përkufizoja në raport me të kaluarën totalitare, si përmbysje dhe si vazhdimësi njëherësh. Mendoj se, më tepër se termi “demokraci”, i përshtatet termi “postkomunizëm”. Ndërkaq, vështirë të quhet “tranzicion” diçka që po zgjat prej një çerekshekulli.
Çfarë keni shkruar gjatë këtij viti?
Kam shkruar një triptik me ese mbi imigracionin europiano-lindor në Spanjë. Kjo nuk është një vepër letrare dhe e kam shkruar në spanjisht, për shkak të perspektivës së botimit, ngaqë i drejtohet posaçërisht një publiku lokal. Gjithashtu, jam duke punuar për një libër letërkëmbimi me shkrimtarin bask Bernardo Atxaga, autor mjaft i njohur dhe i përkthyer në shumë gjuhë, ndër të cilat edhe shqipja, sikurse për shembull romani i tij “Shtëpia e tetë”, të cilin kam pasur nderin dhe kënaqësinë ta përkthej. Libri me letërkëmbimin mes nesh do të ketë një botim tregjuhësh: në spanjisht, në shqip dhe në gjuhën baske. Është pjesë e një serie të vogël me libra letërkëmbimi ndërmjet shkrimtarësh baskë dhe shkrimtarësh nga vende të tjera europiane.
Letërkëmbimet kanë qenë gjithnjë forma jo thjesht letrare, por forma që kanë provokuar debate të nevojshme për kohën. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e më gjerë duket se ka një zbehje të debateve të vërteta?
Dialogu me kolegun bask nuk ka dhe aq karakterin e një debati sesa të një shkëmbimi idesh dhe përjetimesh. Dhe, për sa i takon çështjes tjetër që sapo përmendët, jam dakord me opinionin tuaj, se kemi një zbehje të debateve në botën e sotme. Për mendimin tim, kjo është simptomë e një krize vlerash, e cila shfaqet edhe në komercializimin e letërsisë dhe të arteve, si dhe në tkurrjen e hapësirës së humaniteteve në sferën akademike, gjë që vjen edhe nga hegjemonia ideologjike neokonservatore, sikurse mund të shihet edhe si rrjedhojë e asaj që George Soros-i e quan “fundamentalizëm tregu”.
Shkrimtarja Edna Obrein thotë se letërsia që ka vdekur është letërsia e madhe …?
Sikurse çdo shprehje apokaliptike e jetës së përditshme, më duket e tepruar.
Cilët kanë qenë librat që gjatë këtij viti (nga autorë të tjerë) kanë tërhequr vëmendjen tuaj?
Tani unë më shumë rilexoj. Ndërsa nga ato që kam lexuar këtë vit për herë të parë do të veçoja romanin “Perandori ose syri i erërave”, të shkrimtarit katalan Baltasar Porcel, të cilin sapo e kam përkthyer dhe “Mashtruesin”, një roman pa fiksion, siç e quan autori, shkrimtari spanjoll Javier Cercas, dhe që do ta përkthej së shpejti. Ky libër i shkon shumë mirë shoqërisë shqiptare sot, nga pikëpamja e raportit me të kaluarën vetjake nën diktaturë.
Meqë në këtë numër të revistës do të kem një hapësirë kushtuar librave më të mirë të dashurisë në të gjitha kohërat, cili do të ishte libri që do të zgjidhje me këtë subjekt nga letërsia shqipe, por edhe letërsia botërore?
Midis veprave letrare që kanë si temë qendrore dashurinë, do të veçoja në letërsinë e përbotshme, tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta”. Po vepra më e mirë e të gjitha kohëve e motivuar nga dashuria, ndonëse kjo temë shfaqet në të vetëm sporadikisht, për mua është “Komedia Hyjnore”, që është njëkohësisht edhe një nga krijimet letrare më të trishtueshme të të gjitha kohëve, jo thjesht me “Ferrin” dhe me “Purgatorin”, po në tërësinë e saj, duke përfshirë edhe “Parajsën”, ku poeti takon më së fundi Beatriçen dhe ku lumturia e tij është e trazuar me një dhembje të pamat. Ndërsa në letrat shqipe, libri më i mirë me temën e dashurisë, për mendimin tim, është “Vallja e yjeve”, e Lasgush Poradecit.
Në letërsinë e shkruar prej jush, dashuria çfarë vendi zë?
Vështirë që një autor të mund t’i bëjë përshkrime anatomike vetvetes. Por, nëse më lejoni një shaka, do të thosha që me siguri zë më pak vend se te Petrarca dhe më shumë se te Beckett-i.
"Shqip"
Add new comment