Ndërtime kuturu, legalizim, përmbytje, kompensim financiar

Postuar në 07 Janar, 2016 20:33

Tashmë po bindemi të gjithë se përmbytjet periodike që prekin Shqipërinë nuk mund t’i faturohen vetëm veprimit të njeriut. Shqipëria po hyn në listën e vendeve që janë të ekspozuara ndaj polarizimit klimaterik, ndaj retorika politike në raste të tilla sa vjen e ngjan më e pavend. Megjithatë, shteti dhe njeriu mund të minimizojnë dëmet, duke u paraprirë atyre. Një shembull ishin përmbytjet e vitit të shkuar, për të cilat kryeministri thotë se qeveria kompensoi dëmin për të gjithë të prekurit. Dhe ka gjasë të jetë e vërtetë, të paktën sepse nuk e ka vënë njeri në dyshim këtë fakt. Sot Edi Rama ishte në Sukth dhe në Shijak, dy zona që janë prekur rëndë nga përmbytjet. Nëse i hedh një sy fotove që qarkullojnë, vështirë se situatën e ka shkaktuar vetëm bllokimi kanaleve. Por kreu i qeverisë është ndalur edhe në këtë pikë, duke nënvizuar se qeveria ka pastruar rreth 700 km kanale, ka shpallur moratoriumin e pyjeve për 10 vjet, që janë pengesë natyrale si dhe ka bërë thirrje që njerëzit të bëjnë sigurimin e pronës. Në një diskutim me banorët e zonës së Sukthit, Rama, ndër të tjera tha: “Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që këto janë fatura që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë prej një zhvillimi kaotik, pa plan, pa rregulla, pa disiplinë, me ndërtime kuturu, me projekte kuturu”. Shumë e vërtetë. Vetëm se kur flasim për ndërtime kuturu, është mirë që të mos mbetemi në stadin e konstatimit dhe të refuzimit të tyre estetik. Ka rëndësi kjo, pasi vetëm në shkurt të vitit 2015, kjo qeveri, në zonën që po flasim miratoi legalizimin e 1050 ndërtimeve informale(http://durreslajm.com/sociale/durrës-legalizimet-lista-me-1050-emra). Ndërtimet informale janë ato që kryeministri i quan “ndërtime kuturu”, e të cilat si të tilla do të duhet të merrnin një trajtim tjetër. Në vitin 2012, të njëjtin konstatim do të bënte edhe ish-ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, kur duke folur nga Lezha, vinte theksin te “ndërtime pa kriter dhe në zona depresioni”. Kjo anomali e 25 viteve të fundit, bie ndesh jo vetëm me rregullat më elementare të një shteti, por edhe me traditën e ndërtimeve në Shqipëri: nëse hedhim një sy në fshtarat shqiptare, ato zakonisht janë në vende të ngritura, të siguruara nga të papritura më të mëdha të natyrës, sesa “e papritura” e madhe që ndodh kur ndërton shtëpi në shtrate lumenjsh e përrenjsh, apo në gropë. Si vallë mund të legalizohen ndërtime që janë të ekspozuara sistematikisht nga goditje të tilla? Kur kryeministri flet për ndërtime kuturu, njësoj si ai ish-ministri i Bujqësisë, na kujton të gjithëve disa objekte, për të cilat qytetarët kanë paguar një faturë: atë të zënies së pronës dhe të komplikimit të çdo planifikimi në hapësira që përndryshe ose kanë qenë bosh, ose kanë qenë toka buke.

 Me kompensimin që bëhet aktualisht, qeveria e di shumë mirë se po paguan për së dyti, e për së treti, njerëz që kanë investuar në ndërtime të humbura. Kjo nuk mund të vazhdojë në pafundësi, pse duhen ca vota. Do të ishte më e dobishme që zona që po preken periodikisht nga përmbytjet të trajtohen me status ligjor dhe të mos lejohet ndërtimi. Ose të ngarkohen me taksa të tilla që të ketë kuptim më vonë edhe kompensimi ndaj tyre.

Në botë njihen shumë objekte të çuditshme; ka madje edhe që jetojnë në platforma të braktisura në oqean, por kjo nuk ngarkon ndonjë shtet me detyrime. Nuk ka pse që të gjithë të paguajmë koston e marrëzisë kur ky shtet nuk kujtohet që të kompensojë njerëzit që preken nga uji brenda në qytete, ku edhe paguhen taksat që të mos ndodhin gjëra të tilla.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.