Statistikat mbi punësimin në Shqipëri si "dhuratë" e qeverisë për Vitin e Ri?!

Postuar në 29 Dhjetor, 2015 17:48
Aurenc Bebja

Koalicioni politik dhe qeveritar i Aleancës për Shqipërinë Europiane (ASE) po shkon drejt fundit të vitit të tretë të bashkëpunimit. Me anë të strategjive dhe premtive elektorale që bënë gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershor 2013 arritën të formonin një mazhorancë tepër të fuqishme, e cila u mundësonte dhe u mundëson ende ndërrmarjen e një serie reformash apo vendimesh pa ndonjë lloj pengese politike për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Një periudhë e gjatë ka kaluar që nga ardhja e kësaj aleance në pozitë dhe kam besimin e plotë që në këtë moment që po shkruaj institucionet (drejtoritë) përkatëse dhe kompetente kanë në dispozicion informacionet e duhura për të pasqyruar statistikisht dhe publikisht përparimin e këtyre premtimeve elektorale, fokusohem sidomos te premtimet mbi punësimin, të cilat do të vërtetojnë progresin apo regresin ekonomik e social të shoqërisë shqiptare dhe gjithashtu suksesin apo jo politik të qeverisë aktuale.

Para se të bëheshin premtime « gjigande » për punësim gjatë periudhës prill – qershor 2013, patjetër që koalicioni qeveritar e dinte mirë kuptimin e plotë të fjalës punë : « Veprimtari e dobishme që kryen njeriu, duke përdorur forcën e vet të krahut e të mendjes dhe vegla e mjete të ndryshme, për të shndërruar natyrën sipas nevojave të veta, për të prodhuar të mira materiale, për të krijuar vlera shpirtërore a për një qëllim tjetër të vetëdijshëm

Duke marrë parasysh këtë fjalë, Aleanca për Shqipërinë Europiane, mbase edhe nga euforia dhe dëshira për pushtet, megjithëse një pjesë e saj ishte në pushtet, premtoj asokohe 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës, ku do të krijoheshin pothuajse 75 mijë vende çdo vit. Nuk mund të thuhet se mungonte ambicia, megjithëse propozim-krijimi i këtyre vendeve pune dukej disi i egzagjeruar. Ndoshta shifrat do të vërtetojnë të kundërtën dhe mund të jemi shumë afër këtij premtimi ?!

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në mos gabohem, çështjen e punësimit e ka kompetencë ekskluzive dhe në faqen publike të websitit të saj hyn akoma edhe më thellë në detaje : « Angazhohemi të krijojmë 300 mije vende të reja pune. 40 mijë vende të reja pune në industrinë prodhuese dhe 12 mijë vende pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë në industritë e lidhura me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vende pune në industrinë e turizmit dhe 4 mijë vende të reja pune në teknologjinë e informacionit. »

Atëherë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pas autorizimit të Kryeministrit dhe ndoshta dhe me ndihmën e INSTATIT dhe zyrave të punës, mund të luajë « rolin e Babagjyshit » të Vitit të Ri dhe të na « dhurojë » në mënyrë transparente dhe publike shifrat të cilat do të shpjegojnë konkretisht se sa vende të reja pune janë krijuar dhe sa të tjera janë mbyllur nga muaji korrik 2013 e deri më sot :

-          në industrinë prodhuese ?

-          në industritë e lidhura me detin ?

-          në aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë ?

-          përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike ?

-          në industrinë e turizmit ?

-          në teknologjinë e informacionit ?

 

E njëjta Ministri në Francë, çdo muaj merr përgjegjësinë të informojë në faqen zyrtare të websitit të saj (edhe pse shifrat gjenden tek Pôle Emploi) publikun e gjërë përmes një rezymeje në emër të Ministrit (në këtë rast është ministre) mbi ecurinë e punësimit në nivel kombëtar, qoftë edhe kur shifrat janë në disfavor të qeverisë.

Besoj se shqiptarët meritojnë të informohen publikisht mbi ecurinë e punësimit në vend nga institucioni më i lartë shtetëror dhe kompetent i kësaj fushe, pra Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Kushedi, kjo gjë do të bëhet e mundur me ardhjen e Vitit të Ri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.