Banka e Shqipërisë gati të injektojë para në treg për të çliruar kreditë
Në 2016-ën, Banka e Shqipërisë do të injektojë në treg para si formë për të financuar sipërmarrjet private dhe për të ulur interesat e larta të kredive në euro. Ky model u zbatua një vit më parë nga Banka Qendrore Europiane, e cila dha 1.1 trilionë euro.
Sipas Vizion Plus akoma nuk është vendosur se sa para do të hidhen në treg për t’i blerë bonot e bankave, megjithatë të njëjtat burime thonë se përveç këtij mekanizmi do të shihen dhe mënyra të tjera se si bizneset do të jenë të interesuara të marrin paratë.
Përveç interesave të larta dhe kushteve të vështira për të miratuar një kredi, Shqipëria po vuan edhe nga mungesa e kërkesës së ndërmarrjeve për të marrë hua. Aktualisht bankat kanë likuiditet si në euro edhe në lek, por problemi kryesor që kanë është gjetja e mënyrave të financimit në vende të sigurta, të cilat do të munden t’ia kthejnë mbrapsht këto para. Në harkun kohor të dy viteve, Banka e Shqipërisë ka ulur 12 herë normën e interesit të lekut, por sërish kostot e kredive mbeten të larta
Add new comment