Vilfredo Pareto dhe rregulli 80/20
Edhe pse ndoshta emrin nuk mund ta sjellin ndër mend, rregullin e famshëm 80/20 në shpërndarjen e pasurisë, sipas të cilit 80% e pasurisë zotërohet nga 20% e popullsisë, një rregull ky që ai besonte se ishte i vlefshëm për të gjitha kohërat dhe vendet, besoj se e kujton gjithkush nga studimet e kohës së universitetit. Ky rregull, në shkencat ekonomike dhe sociale njihet si Parimi Pareto (dhe Shpërndarja Pareto) dhe i atribuohet një prej ekonomistëve më të mëdhenj neoklasik të shekullit të njëzetë, italianit Vilfredo Federico Damaso Pareto (1848-1923).
Pareto vinte nga një familje fisnikësh gjenovezë, që kishte emigruar në Paris, si dhe shumë familje të tjera fisnikësh nacionalist italian, siç kishte ndodhur dhe me politikanin e famshëm, Giuseppe Mazzini. I ati i tij mbante titullin e markezit, të trashëguar nga familja që nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë, por Pareto do të refuzonte ta mbante këtë titull, duke preferuar në vend të tij titullin “Profesor”, që e kishte fituar vetë. Një person shumë kryelartë dhe gjithë jetës do të luftonte të ruante pavarësinë e tij. Edhe pse ishte diplomuar për inxhinieri në Universitetin e Torinos, dhe për disa kohë punoi edhe si inxhinier dhe më pas menaxher i hekurudhës shtetërore, ai do t’u përkushtohej dhe fitonte famë në shkencat ekonomike dhe sociale, duke u bërë themeluesi dhe një nga drejtuesit kryesor të asaj që njihet në historinë e doktrinës si Shkolla e Lozanës. Dizertacionin e kishte mbrojtur me temën “Parimet Themelore të Ekuilibrit në Trupat Solide”, pasion të cilën do ta shndërronte në pasionin për analizimin e ekuilibrit në shkencat ekonomike dhe sociale. Pasioni për studimet në këtë fushë i filloi kur ishte tek të dyzetat, pasi kishte humbur shumë pasuri nga spekulimi në bursën e metaleve të Londrës dhe pasi ishte martuar dhe më pas ndarë nga një konteshë ruse e cila ishte martuar me një shërbëtor më të ri.
Në Universitetin e Lozanës ai do të zinte vendin e themeluesit të marxhinalizmit dhe të ekonomiksit neoklasik, Leon Walras, si drejtues i katedrës së Ekonomisë Politike, post që do ta mbante deri në fund të jetës. Në fakt, kishte qenë ekonomisti tjetër i madh italian Maffeo Pantaleoni që e kishte prezantuar Pareton me Walras, duke i sugjeruar ta merrte në katedrën e tij pasi ai premtonte të bëhej një ekonomist po aq i madh sa vetë Walras. Por, ndryshe nga Walras, siç thotë Schumpeter, Pareto themeloi një shkollë mirëfilltazi të tijën, një shkollë që do të mbetej mirëfilltazi italiane. Vetë Pantaleoni ishte një nga figurat e mëdha italiane të shkollës austriake apo walrasiane, që e kishte pasuruar veprën e tij me aparatin e Marshall në fushën e tregtisë së brendshme dhe të jashtme. Veprën e tij Parimet e Ekonomisë së Pastër [Principi di economia pura], Edgworth do ta quante një “margaritar” për mënyrën se si ishte shkruar, dhe siç e thotë Prof. Schumpeter, akoma ja vlen ta lexosh një vepër të tillë.
Në fillimet e jetës së tij kishte pasur marrëdhënie miqësore me socialistët, por shumë shpejt do të zhgënjehej prej tyre dhe do të angazhohej në një kritikë therëse ndaj teorisë marksiste, dhe do t’i quante udhëheqësit socialistë si “aristokracinë e brigandëve”. Duke njohur mirë klasën politike si në Itali dhe në Francë, ai do të bëhej një përqafues i flaktë i ideve liberale angleze, duke kundërshtuar çdo formë të ndërhyrjes qeveritare dhe mbrojtës i laissez faire, gjë që ndeshet në gjithë shkrimet e hershme të tij. Biografi i tij, Prof. Bousquet, do ta quante atë si “Karl Marksin e borgjezisë” (Schumpeter, Ten Great Economists). Italianët e kishin ngritur në piedestal figurën e tij, por ai do të luante një rol të fuqishëm influencues edhe në mjediset akademike të botës anglosaksone dhe më gjerë.
Një nga temat kontroverse dhe episodet e debatuara mbi jetën e Paretos, mbetet ajo e simpatisë së tij për fashizmin dhe Musolinin. Por, siç nënvizon Schumpeter, nuk ka nevojë për një teori shpjeguese rreth saj. Pareto kishte shkruar disa nga pamfletet më të fuqishme mbi origjinën e Luftës së Parë Botërore, mbi dështimin e Versajës dhe padobinë e Lidhjes së Kombeve. Ai po shihte më qartë se gjithkush çrregullimin dhe kaosin social të Italisë, të cilat ai ja atribuonte sistemit politik të ndërtuar nga një borgjezi dekadente. Në vitet 1920 Musolini ishte një nga figurat më popullore në Itali dhe jashtë vendit. Pas Luftës së Parë Botërore, Italia ishte shndërruar në një “pellg të qelbur të korrupsionit dhe degjenerimit”, siç shkruante një shkrimtar amerikan i asaj kohe. Figura e Musolinit shihej si shpëtimtari nga kjo pragkatastrofe ku vendi ndodhej, gjë për të cilën ai kishte marrë vlerësimet më të larta jo vetëm në Itali por dhe nga establishmenti anglez dhe amerikan, në veçanti nga Winston Churchill, të cilët i shprehin mirënjohjen për shpëtimin e Italisë nga kaosi dhe bolshevizmi. Asgjë nuk dukej në horizont të paralajmëronte tragjedinë e viteve 1940 në të cilën do ta zhyste fashizmi Italinë. Edhe pse Musolini i kishte ofruar shumë ofiqe, Pareto nuk i kishte pranuar për shkak të gjendjes shëndetësore, megjithatë këshillat e tij ishin gjithnjë të kërkuara në hartimin e politikave ekonomike dhe sociale. Musolini kishte ndjekur leksionet e Paretos në Universitetin e Lozanës, dhe ai ishte magjepsur nga profesori, duke dëshiruar më vonë që të vinte në jetë të gjithë filozofinë ekonomike që kishte mësuar prej tij. Pareto asnjëherë nuk u bë anëtar i partisë fashiste dhe nëse nuk do të ishte ndarë nga jeta në vitin 1923, me siguri që do të kishte shprehur rezervat e tij ndaj sistemit që po krijonte dhe rrënimit që po mbillte fashizmi.
Pareto si teoricien i ekonomisë
Ishte fusha e teorisë së ekonomisë ajo ku Pareto bëri realisht histori shkencore.
“Trashëgimia e tij si ekonomist është e thellë, shkruan Prof Benoit Mandelbrot. Pjesërisht për hir të tij, ekonomiksi evoluoi nga një degë e filozofisë sociale, siç ishte praktikuar që nga koha e Adam Smithit, në një fushë kërkimore shkencore dhe përdorimit të ekuacioneve matematike nëpërmjet përdorimit intensiv të të dhënave. Librat e tij ngjasonin me tekstet e ekonomiksit modern më shumë se të gjithë tekstet e kohës së tij; tabela statistikore për vendet e botës dhe për moshat, radhë me shenja integralesh dhe ekuacionesh, grafikë dhe tabela të ngatërruara”. (The (mis)behaviour of markets, fq. 153).
Në gjithë veprën e Paretos, ajo që spikat dhe shquhet është Ligji i Fuqisë. Krijimi dhe shpërndarja e pasurisë ka qenë gjithnjë një temë gjerësisht e rrahur dhe debatuar nga mendimtarët, por Pareto ishte i pari që vendosi ta kuantifikonte këtë fenomen.
“Ai grumbulloi një mori të dhënash mbi pasurinë dhe të ardhurat, për shekuj dhe vende të ndryshme: të dhënat nga regjistrat e taksave të Bazelit, Zvicër që nga viti 1454 dhe për Augsburgun, Gjermani, për vitet 1471, 1498, dhe 1512; të dhënat korente mbi rentën e tokës në Paris; të ardhurat personale mbi Britaninë, Prusinë, Saksoninë, Irlandën, Italinë dhe Perunë. Ajo që zbuloi – ose kujtoi se zbuloi – ishte befasuese. Pasi vendosi të dhënat në një grafik, ku në njërin aks vendosi të ardhurat dhe në aksin tjetër numrin e personave sipas nivelit të të ardhurave, ai dalloi të njëjtën panoramë pothuaj në çdo vend dhe në çdo kohë. Shoqëria nuk ishte një “piramidë sociale” ku raporti i të ardhurave shtrihet butësisht nga klasat e pasura tek të varfrit. Përkundrazi, ajo ishte më shumë një “shigjetë sociale” – shumë e zgjeruar në pjesën fundore ku vendosen të varfrit dhe me majë në pjesën ku vendosen klasat e pasura. Ky efekt nuk ishte një rastësi; të dhënat nuk i përshtateshin një kurbe “këmbanë”, të shpërndarjes normale, siç do të priste dikush të shihte nëse pasuria shpërndahej në mënyrë rastësore. Është ligj social, shkruante ai: diçka “në natyrën e njeriut” (Mandelbrot, po aty, fq. 154).
Ligji Pareto formulohet matematikisht: log N = log A + m log x: ku N – është popullsia që merr të ardhura më shumë se x dhe A dhe m janë dy konstante. Le të marrim grupin e individëve që marrin pagën minimale, të themi prej 10$ në ditë, ose 3,000$ në vit. Nëse pyesim se sa për qind e popullsisë fiton dhjetë herë më shumë se kjo shifër (0.3 milionë $)? Sipas formulës së Paretos përgjigjja ishte 3.2% e popullsisë, sipas koeficientit 3/2 që ai kishte gjetur nga llogaritjet e tij matematikore. Duke shkuar dhe më lart: sa për qind e popullsisë fitojnë njëmijë herë më shumë se të ardhurat minimale? Përgjigjja sipas formulës së Paretos do të ishte 0.003 për qind. Ose, e shprehur në gjuhën e probabilitetit, shanset për të qenë milionerë janë të vogla. Sigurisht që teoria pati një sërë kontestimesh, por një nga më thelbësoret është ajo që lidhet me ruajtjen e një vlere konstante të koeficientit m. Në një shikim kritik të prof. Mandelbrot (2008) mbi llogaritjet e Paretos, sipas të cilit koeficienti i probabilitetit mbetet i njëjtë (3/2) edhe pasi ke kaluar nga një grup të ardhurash tek një grup më lart, në fakt vlera e këtij koeficienti është më afër vlerës 2, duke nënkuptuar se milionerët janë dhe më të rrallë nga sa mendohej. Sidoqoftë, mesazhi i teorisë së zbuluar prej tij ishte i qartë – që në një shoqëri pasuria grumbullohej në një grup gjithnjë e më të kufizuar individësh të pasur. Pushteti dhe pasuria krijonte dhe më shumë pushtet dhe pasuri.
Implikimet e zbulimit të këtij ligji në raport me strukturën e të ardhurave në shoqërinë kapitaliste do të diskutoheshin në mënyrë serioze, nga profesori i Kembrixhit që kishte zënë vendin e Alfred Marshall si drejtues i katedrës së Ekonomisë Politike në këtë universitet, Alfred Cecil Pigou tek vepra e tij Pasuria dhe Mirëqenia (1912). Megjithatë, edhe Pigou, ashtu si dhe kritikët e tjerë, e kufizon veten thjesht në një kritikë ndaj interpretimit që bën vetë Pareto. E vërteta është se teoria e tij vazhdon të mbetet e pasfidueshme, edhe pse në variantin e vet origjinal mund të ketë akoma kontestime të natyrës metodologjike.
Themeluesi i matematikës fraktale dhe njëherazi teoricieni më modern i kohës sonë në teorinë e re të menaxhimit të riskut bazuar në këtë degë të matematikës, Profesor Mandelbrot, e ka shtrirë aplikimin e parimit Pareto dhe në fusha të tjera të jetës ekonomike e sociale, që nga struktura e pagave, madhësia e firmave dhe e qyteteve, industria e sigurimeve etj., duke e gjetur atë të zbatueshëm dhe të vlefshëm në interpretimin e fenomeneve të marrë në studim.
Çështja e pabarazisë së të ardhurave dhe e thellimit të pabarazisë për shkak të procesit të akumulimit të kapitalit, ka marrë një vëmendje të fortë gjatë dy dekadave të fundit, duke arritur pikun e vet me debatin që shoqëroi botimin e librit të ekonomistit francez, Piketty, “Capital”, një titull që evokon veprën më të madhe të Karl Marksit.
Le të hapim një parantezë në këtë pikë për të bërë një shikim të shkurtër kritik të konkluzioneve të Piketty se ulja e ritmeve të rritjes ekonomike në gjeneratat që do vijnë do të çojnë në një rritje të normës së fitimit të kapitalit krahasuar me të ardhurat; e për pasojë zotëruesit e kapitalit (pasurisë) do të shtojnë edhe më shumë pasurinë ndërsa ata që jetojnë me të ardhurat do të mbeten gjithnjë e më pas. Pabarazia do të thellohet. Zgjidhja: vendosja e një takse globale mbi pasurinë. Tashmë kjo vepër ka tërhequr vëmendjen e një morie studiuesish të cilët kanë gjetur, përveçse gabime në databazën statistikore të përdorur, edhe vlerësime jo të sakta mbi koeficientet e elasticitetit që autori ka përdorur në raportin kapital/punë, si dhe presupozimet jo realiste të autorit lidhur me çmimin konstant të kapitalit në kushtet kur rritja e çmimeve e shtyn raportin kapital/të ardhura në nivele të larta. Pritshmëritë realiste për shtimin e kapitalit flasin më së shumti për një pritshmëri të të ardhurave rënëse të kapitalit, gjë që mund të na çojë në një konkluzion të kundërt me atë që nxjerr Piketty. Për më tepër, edhe historia ekonomike me shembujt e shumëkombësheve të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si Rockfeller, Morgan, Standart Oil, Rotshildët etj., nuk i jep shumë drejtësi kësaj teze (shih për shembull, Matthew Rognlie, MIT, 2014)
Ndërsa në fushën e teorisë së pastër ekonomike Pareto do të ishte tërësisht walrasian, në analizën e vlerës, të prodhimit dhe shpërndarjes si dhe në çështjet monetare, ai do të shkëputej nga ndikimi i Walras. Por, në një kritikë ndaj teorisë së tij Schumpeter do ta quante teorinë monetare paretiane si më të dobët se teoria walrasiane, ndërsa meritat e teorisë së tij të kapitalit dhe interesit rrjedhin nga qasja walrasiane. Në fushën e tregtisë ndërkombëtare, megjithëse nuk do të përpunonte një teori të plotë të tijën, ai ishte i pari që e përfshiu atë në analizën e ekuilibrit të përgjithshëm (Haberler, Theory of International Trade, fq. 123).
Duke u ndalur tek teoria e tij e vlerës dhe prodhimit, teoricienët e sotëm modern dakordësohen në pikën se teoria e dobisë dhe e dobisë marxhinale e themeluar nga Jevons, Menger dhe Walras, është se ajo shërbeu si pika nisëse në ndërtimin e ekuilibrit të përgjithshëm ekonomik. Megjithatë, ai kishte hequr dorë nga koncepti i matshmërisë së dobisë marxhinale, dhe i referohej përdorimit të kurbës së indiferencës dhe preferencave, të prezantuara më herët nga Edgeworth, filozof i ekonomisë politike dhe kontributor i rëndësishëm në përmirësimin e metodave statistikore në ekonomi. Por, ndërsa Edgeworth sërish nisej nga matja e dobisë totale prej nga ndërtonte vijat e kurbës së indiferencës, Pareto nisej nga e kundërta: ai merrte vijat e kurbës së indiferencës si të dhënë dhe prej andej arrinte në përcaktimin e ekuilibrit ekonomik në konkurrencën perfekte dhe procedonte me disa funksione të ngjashme me ato të dobisë, prej nga ishte e mundur të përfitoheshin indekset e dobisë. Pra, ideja e tij ishte të zëvendësonte utilitetin postulat pas postulati me sjelljen e vëzhguar prej nga ku teoria ekonomike do të bazohej në fondamente shumë më të besueshme. Megjithatë praktikisht ai nuk arriti dot të shkëputej tërësisht nga teoria e dobisë marxhinale dhe, siç nënvizon Hicks, ai vazhdoi të përdorte terminologjinë dhe konceptet e rivalitetit dhe komplementaritetit në të njëjtin definicion që i jepte Edgeworth, të cilat në thelb nuk i përshtaten objektivit të tij për të ndryshuar bazat teorike të ekuilibrit të përgjithshëm ekonomik.
Por, më tepër se një shenjtor i teorisë moderne të vlerës, Schumpeter e konsideron Pareton një shenjtor të “Teorisë së re të Ekonomiksit të Mirëqenies”. Vëzhgimi i tij se mirëqenia rritet nëse ata që përfitojnë nga një politikë e kompenson shumën e humbjeve të humbësve, edhe sot njihet me emërtimin “Pareto Efficient” dhe përdoret si një kriter themelor për të gjykuar për efektin e politikave që ndërmarrin qeveritë. Dhe më tej, ai shton se gjykimet mbi mirëqenien duhet gjithashtu të vlerësohen mbi kritere të tjera joekonomike, si për shembull me kriteret etike.
Në fushën e teorisë së prodhimit, ai ishte i pari që duke përdorur aparatin e kurbave të indiferencës dhe konceptet e derivativëve, na ka dhënë një strukturë të plotë të teorisë matematikore të prodhimit që akoma qëndron në fondamentet e kësaj teorie. Në vend të koeficienteve fikse të faktorëve të prodhimit –inputet fiske për njësi prodhimi – në modelin Walras, Pareto kishte gjeneralizuar bazuar në koeficientet variable, duke lejuar edhe mundësinë e specifikimeve dhe ndërlikimeve të mëtejshme të kësaj teorie, sipas rrethanave konkrete dhe situatave specifike.
Si për të gjithë ekonomistët e tjerë, edhe për Pareton fusha e sociologjisë është një zgjatim i natyrshëm i interesit të tij shkencor. Në analizën e shoqërisë, Pareto nënvizonte ndërvarësitë komplekse, duke trajtuar çdo fenomen social si një ekuilibër dinamik ku ndërveprojnë fenomenet ekonomike, politike dhe sociale. Teoria e tij e qarkullimit të elitave, e cila sipas shumë studiuesve shihet si një zgjatim i teorisë së Makiavelit, është një nga kontributet e tij origjinale në shkencat e sociologjisë.
Duke përjetuar realitetin e shoqërisë italiane të asaj periudhe të kaosit social, korrupsionit dhe degradimit moral, ai do të shkruante se, kur sistemi i vlerave të një shoqërie degradon në pikën ku puna me përkushtim denigrohet ndërsa ngrihet në qiell fitimi i parasë pa derdhur djersë; ku ndershmëria qesëndiset ndërsa dyfytyrësisë dhe hipokrizisë i thuren lavde; kur vendin e autoritetit e zë anarkia dhe ndërsa drejtësia zëvendësohet me mashtrimin ligjor; një shoqëri e tillë qëndron në buzë të rrënimit. Shumë ngjashmëri me realitetin e sotëm të shoqërisë sonë postkomuniste.
Pareto mbetet edhe në kohët e sotme një shkollar me reputacion universal. Pasardhës të shkollës së tij do të ishin figura të shquara italiane si Amoroso, Del Vecchio, Einaudi, Fanno, Gini, de Pietri-Tonelli dhe Ricci. Ai ishte një gjeni universal, një cilësim që zakonisht i rezervohet vetëm Leonardo da Vinçit, por që thellësia dhe gjerësia e interesave të tij shkencore e justifikojnë plotësisht.
"Mapo"
Comments
Nuk e kuptoj cila ishte ideja
Nuk e kuptoj cila ishte ideja e ketij shkrimi dhe kujt audience i drejtohet autori. I gjithe ky artikull easht nje amalgame turli e disa nga ekonomisteve me te medhenje, per te cilet jam plotesisht i sigurt, autori i njeh thjeshte per kuriozitet akademik. Thjeshte nje perkthim inerneti.
Add new comment