Burgu i Donald Lu dhe burgu i Edi Ramës

Postuar në 23 Dhjetor, 2015 22:50

Për t’i përshtatur një perifrazim lirik të tipit, “po na vjev po na vjen, bota zien bota zien” ndryshimeve të pritshme në sistemin e drejtësisë, bashkë me popullin spektatore duket se është edhe politika që i është dorëzuar devizës: Të presim e të shohim.

Gjuha e fortë dhe e drejtëpërdrejtë e ambasadorit amerikan për njerëz të pushtetshëm që do të shkojnë në burg dhe të tjerë që do t’u prishet gjumi para pushimeve, ka zgjuar kërshërinë jo vetëm të publikut, por edhe të parisë së vendit që jeton me ankthin se kë do kapi lapsi i ambasadës amerikane.

As nuk vihet në dyshim që ambasadori Lu e di se kujt i referohet kur flet për njerëz që do humbasin pasurinë dhe këmbëngulja e tij për të theksuar këtë mesazh tregon se kush udhëheq këtë operacion kaq delikat për të ardhmen e vendit.

Pas xhaketës së ambasadorit Lu qëndrojnë të tjerët, duke nisur nga kryeministri i vendit e me radhë të gjithë ata që dalin e përshëndesin ecurinë e reformës, a thua nuk janë ata që e kanë çuar drejtësinë aty ku është sot. Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Fatmir Xhafa, Eduart Halimi etj..

Është momenti kur të gjithë duhet të shfaqin devotshmërinë për ta bërë Shqipërinë më të drejtë dhe më të barabartë, ashtu si Sali Protopapa bashkë me gjermanin do pushkatonin burrat e fshatit nëse nuk tregonin ku ishte fshehur komunisti Ibrahim.

Nëse do të ishte kryeministri Rama që do të na kishte paralajmëruar zhvillime kaq të rëndësishme për vendin nuk do t’ia kishim keqkuptuar edhe një dalje më tepër të tij në televizor, pasi do të ishte nga të paktat raste që duhej dëgjuar më vëmendje.

Do ta kishim mirëkuptuar nëse do të ishte nga ata kryeministra që  nuk zgjedhin protagonizmin në media, por nuk është ky rasti. Kryetari i qeverisë sonë del para popullit për çdo gjë, që nga komisariati dixhital e deri tek aksionet për kuponat, apo faljen e kamatvonesave dhe nuk merr dosjen e kuqe për të thënë çdo bëhet me drejtësinë.

Edi Rama ka folur në parlament se reforma në drejtësi është kyçe për integrimin e vendit dhe se mazhoranca është e vendosur ta çojë përpara. Këtë mund ta thotë gjithkush, por ato që thotë ambasadori Lu për njerëz të pushtetit që do shkojnë pas hekurave kryeministri ynë nuk i artikulon dot. Ai ua ka treguar burgun, fshesarëve, tregëtarëve, ambulantëve, debitorëve, zpatuesve etj., por njerëzve që e rrethojnë nuk ka guximin t'ua thotë. 

Ose nuk di gjë dhe s’ka asnjë rol në këtë histori, ose siç e kemi traditë, ligjin në këtë vend e bën tjetër kush, pavarësisht daljeve të shpeshta të kryeministrit në televizor dhe të tjerëve që përshëndesin e duartrokasin. Natyrisht të gjithë këta e kanë torbën plot, pasi kështu edhe ndahet pushteti në vise si Shqipëria. 

l.m

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.