Pronat, Vrima e zezë që po i përthith të gjithë
Ligji i ri për Trajtimin e Pronës, në themel të të cilit kompensimi vlerësohet me çmimin e shpronësimit të vitit 1944 plus një indeksim të vlerës në vite, pritet të çlirojë buxhetin e shtetit nga fatura e lartë, por nga ana tjetër ul me shume se 7 herë vlerën e kompensimit për ish-pronarët. Avokatura e Shtetit jep alarmin se kostoja në buxhet e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për vendimet në proces arriti në 600 mln euro.
Çështjet e pazgjidhura të pronësisë e kanë mbajtur peng zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, pa përmendur konfliktet sociale që kanë krijuar, të drejtat e cenuara të ish-pronarëve dhe miliona eurot që buxheti i varfër i Shqipërisë detyrohet për kompensimin e kësaj shtrese.
Në krye të rrokopujës janë cenuar rëndë interesat e publikut. Faturat mbi 47 milionë euro të paguara dhe në proces nga buxheti i shtetit dhe 550 milionë eurot që priten nga 106 vendimet që janë në proces në Gjykatën e Strasburgut kanë vënë në dilemë aftësinë paguese nga fondet qeveritare.
Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorpsi, ka argumentuar se formula e re i referohet vlerës së truallit në kohën e shpronësimit të paligjshëm, pra në vitet 1944-1945, dhe jo me vlerën e tregut. Vorpsi pohoi se ky projektligj ka hequr parimin e kthimit të pronës të përfituar nga ligjet e mëparshme, por edhe të sanksionuar nga Kushtetuta.
Gjithashtu, një tjetër pikë e papranueshme në ligjin e ri për shoqatën është dhe mënyra e kompensimit që ul ndjeshëm masën e përfitimit financiar. Vorpsi tha se menjëherë sapo ligji të hyjë në fuqi do të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe do të rivihet në lëvizje Gjykata e Strasburgut.
Qeveria ka pranuar se ligji që nuk është zgjidhja më e mirë për pronarët, porse zgjidhje më të mirë nuk mund të ketë. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka pohuar se për zgjidhjen e çështjes së pronës ka vetëm dy rrugë. “Ose të mbajmë një ‘listë dëshirash’ sipas kritereve të sotme, që nuk garantojnë zgjidhje, ose të konsiderojmë një skemë realiste. Formula e re, merr parasysh vlerën në çastin e shpronësimit, vlerësimin se çfarë ka qenë kjo pronë dhe vlerën e shtuar në vite”.
Ish-pronarët mendojnë se ka zgjidhje të tjera, të tilla si një faturë më e lartë për legalizimet dhe tarifë më e lartë për tokën bujqësore të ish- pronarëve që është dhënë në përdorim.
Pronat, si katastrofë fiskale
Teksa qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin e kompensimin e pronës, dhe ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, buxheti i shtetit është para një rreziku serioz.
Sipas Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit, që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 euro, shumë kjo sa 22% e të ardhurave të pritshme për 2015 të buxhetit vjetor të shtetit. Po sipas Avokaturës së Shtetit, gjithsej janë ekzekutuar 19 vendime nga viti 2006 me një vlerë 18.295.547 euro, 2 vendime janë në ekzekutim me një vlerë prej 5.412.800 euro. Ndërsa nga çështjet që janë në gjykim (14 çështje në pritje të shpalljes së vendimit), që i përkasin periudhës para vitit 2014, kanë një vlerë prej 24.000.000 eurosh.
Burimet zyrtare në Ministrinë e Financave pohuan se ligji i ri “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, midis çështjeve të tjera që rregullon, siguron edhe një zbutje të faturës financiare për buxhetin e shtetit, duke e bërë atë të përballueshme. Nga ana tjetër, miratimi i këtij ligji do të sjellë edhe eliminimin e riskut fiskal në buxhet nga vendimet e GJEDNJ Strasburg, për çështjet që lidhen me pronat.
Në dy vitet e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar faturat e “Strasburgut” për kthimin e pronave, si rrezikun më të madh fiskal që i kanoset vendit. Nga një anë, vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për zbatim dhe në rast se ndodh e kundërta, fatura shtohet edhe më shumë nga kamatëvonesat. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit në kushtet që është sot nuk mund të atribuojë një të tretën e tij për të kompensuar ish-pronarët pasi rrezikohen nevojat bazike të të gjithë shtetasve. Në këtë situatë, ndërmjet presionit të Strasburgut dhe të pamundësisë së përmbushjes së detyrimit qeveria shqiptare në ligjin e ri ka gjetur një formulë kompensimi që rëndon tërësisht në kurriz të ish-pronarëve.
Ligji i ri, çliron buxhetin, rëndon ish-pronarët
Duke marrë në konsideratë se, fatura që buxheti i shtetit duhet të paguajë për ish-pronarët është e madhe, kjo nuk është për faj të ish-pronarëve, por gabimeve që ka bërë qeveria në trajtimin e çështjes së pronës në këto 25 vitet e fundit. Por me ligjin e fundit, qeveria e zgjidhi çështjen tërësisht në dëm të pronarëve. Vorpsi tha se ish-pronarët do të vijojnë t’i drejtohen Strasburgut edhe pse me këto vendime arka e shtetit shkon në kolaps, pasi sipas tij, ish-pronarëve ju ka mbetur vetëm t’i kundërvihen qeverisë me të njëjtat mjete që ajo përdor kundër tyre.
Duke shpresuar se ligji më i fundit i qeverisë nuk do të pranohet nga Gjykata e Strasburgut, sipas përllogaritjeve të Shoqatës Pronësi dhe Drejtësi, me ligjin aktual, një metër katror tokë në zonën e Don Boskos në Tiranë kompensohet me 38 mijë lekë, ndërsa me ligjin e ri me 550 lekë metri katror. Gjithashtu një metër katror tokë në zonën e Stacionit të Trenit jashtë Unazës së Madhe aktualisht kompensohet 26 mijë lekë metri katror, ndërsa me ndryshimet e reja ligjore, ish-pronarët kompensohen me 350-400 lekë metri katror. Formula e re i zhvlerëson faturën e kompensimit me gati 7 herë sipas shembujve tipikë në zonën e Tiranës. Por shoqatat e ish-pronarëve pretendojnë se duke përllogaritur si kompensim të tokës truall kadastrën e vitit 1944, fatura e kompensimit zhvlerësohet shumëfish.
Sipas të dhënave të Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka njohur për efekte kompensimi mbi 80 mijë hektarë tokë truall. Me ligjin e ri, ku referenca do të jetë sipërfaqja truall në vitin 1944, toka truall për kompensim nuk është më shumë se 5-7 mijë hektarë në të gjithë vendin. Reduktimi me këtë përmasë i kompensimit të tokës truall e redukton faturën në mënyrë drastike.
Siguria publike mbi të gjitha
Me parimin e sigurisë publike që prevalon mbi të gjitha të drejtat e grupeve të tjera të interesit në këtë rast ish–pronarëve, qeveria synon që të fitojë arsyetimin e Gjykatës së Strasburgut për të pranuar një faturë më të ulët kompensimi për ish-pronarët se aktualja.
Fatura prej 600 milionë eurosh nga vendimet e miratuara tashmë dhe ato në proces rrezikojnë të çojnë në faliment arkën e shtetit, ndaj prevalimi i sigurisë publike do të jetë mjeti i qeverisë shqiptare për të kthyer timonin e Gjykatës së Strasburgut.
Kjo Gjykatë, por edhe standardet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut kërkojnë një zgjidhje përfundimtare mbi këtë çështje dhe sidomos marrjen përsipër nga qeveria të detyrimeve që burojnë nga ky proces dhe krijimin e një mekanizmi efektiv vendas, të tillë që të jetë në gjendje t’i japë zgjidhje përfundimtare situatës në shkelje të këtyre të drejtave.
Qeveria në relacionin e shpjegues që shoqëron ligjin e ri argumenton se është marrë në konsideratë mundësia e krijimit të një legjislacioni të përshtatshëm për shpërblimin e drejtë të ish-pronarëve, por edhe ruajtja e interesit publik.
Ka tashmë precedentë që Gjykata e Strasburgut i ka marrë vendimet e saj për kompensimin e pronarëve nisur nga interesat e mëdha publike.
Duke i qëndruar parimit të sigurisë publike dhe një kompensimi më të ulët ndaj ish-pronarëve, qeveria synon të bëjë të pranueshëm ndërkombëtarisht ligjin.
Por ish-pronarët pohojnë se ligji në këtë formë cenon sigurinë juridike. Vorpsi tha se i hartuar në këtë mënyrë, ligji i ri për trajtimin e pronës i cenon të drejtat e fituara nga legjislacioni në fuqi dhe vendimet e mëparshme të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Si dështoi skema aktuale e kompensimit
Duke iu referuar raportimit që Ministria e Drejtësisë ka bërë në Kuvend, numri total i vendimeve të marra gjatë procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës në periudhën 1993 – 2013 është rreth 53 mijë. Sipërfaqja totale e njohur me këto vendime është 186,823 ha tokë. Vendimet që janë marrë përgjatë viteve 1993-2013, kanë njohur të drejtën e kthimit fizik për 74,420 ha. Vendimet që janë marrë përgjatë viteve 1993-2013, kanë njohur të drejtën e kompensimit për 73,400 ha tokë.
Referuar vendimeve të cilat janë kompensuar financiarisht nga fondet e kompensimeve financiare për vitet 2005-2014 rezulton vetëm 15.9 ha tokë.
Me këtë formë, Ministria e Drejtësisë sqaron se, është arritur të shlyhet një pjesë e pronarëve me kompensim për një pjesë të truallit 200 – 500 m² (në varësi të sipërfaqes së njohur për kompensim) dhe, sipas rendit kronologjik të vendimmarrjes, ka arritur deri në vitin 1994. Ndërsa për tokën bujqësore, nuk ka filluar asnjë procedurë kompensimi. Duket qartë se formula e përdorur për kompensimin e ish-pronarëve nuk është efektive.
Në periudhën 2005-2014 janë kompensuar pjesërisht vetëm 900 vendime për kompensim (nga 200-600 m²) vetëm të zërit kadastral truall me një vlerë prej 4.1 mld lekë në total, ndërkohë që projektligji i ri synon që fondi i vënë në dispozicion për 10 vjet, me këtë projektligj, bëhet i detyrueshëm për t’u dhënë vetëm në një vit.
Sipas të dhënave statistikore të mësipërme, rezulton se nëse do të vazhdohej të kompensohej me metodologjinë e pjesshme të ndjekur deri më tani, me ritmin e deritanishëm, ku në 10 vjet proces kompensimi financiar është realizuar kompensimi për 16 ha tokë, do të duhej të paktën 4588 vjet për kompensimin e së gjithë sipërfaqes së njohur për kompensim prej 73,400 ha.
Megjithëse ligji i ri nuk ka një faturë financiare se sa kushton kompensimi, qeveria në mënyrë indirekte thotë se do të mbyllë procesin e kompensimit në 10 vitet në vijim, duke hequr nga buxheti për kompensimin e ish-pronarëve 5 miliardë lekë në vit, çka do të thotë se fatura e përgjithshme e kompensimit është 50 miliardë lekë.
Financat: Ligji i ri për trajtimin e pronës zbut riskun në buxhet
Ministria e Financave pohon se ligji i ri për trajtimin e çështjes së pronave zbut rrezikun fiskal që vjen nga fatura e lartë e kompensimit me ligjin aktual.Në Buxhetin e vitit 2016 janë parashikuar 3 miliardë lekë për qëllime të kompensimit financiar të pronës dhe shuma do të rritet në vite, duke arritur mesatarisht 5 miliardë lekë në vit për 10 vjet, pohuan burimet zyrtare në një prononcim për “Monitor”.
A e zbut faturën financiare në buxhet dhe a ul rrezikun fiskal që vjen nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut Ligji i ri për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës?
Është e vërtetë që ligji i ri “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, midis çështjeve të tjera që rregullon, siguron edhe një zbutje të faturës financiare për buxhetin e shtetit, duke e bërë atë të përballueshme. Nga ana tjetër, miratimi i këtij ligji do të sjellë edhe eliminimin e riskut fiskal në buxhet nga vendimet e GJEDNJ Strasburg, për çështjet që lidhen me pronat.
Sikundër mund të jeni në dijeni, çështjet që trajtohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) lidhen me të drejtat e njeriut, por nga historiku i çështjeve dhe vendimeve që u përkasin shtetasve shqiptarë, ato janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, rezulton se ekzekutimi i vendimeve të GJEDNJ-së për kthimin dhe kompensimin në periudhën 2005–2014, kap vlerën prej 1,191,555 lekë. Për vendime të ekzekutuara deri tani, nga buxheti i vitit 2015, janë 790 milionë lekë, mes të cilave edhe çështja “Karagjozi kundër Shqipërisë”, si pasojë e ekzekutimit të së cilës, shteti duhet të paguajë vlerën 8,163,000 euro.
Ndërkohë që janë në proces miratimi nga Këshilli i Ministrave disa vendime të reja, siç është rasti i Vendimit të GJEDNJ “Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë” në shumën 5 385 800 euro ose rreth 754 012 mijë lekë.
Ministria e Financave nuk ka informacione zyrtare sa janë ankimimet e shtetasve shqiptarë për kompensim prone, në radhë për t’u shqyrtuar nga GJEDNJ në Strasburg dhe sa është vlera e tyre.
Aktualisht, sa është fatura korente dhe ajo e pritshme për vitin 2016, që vjen nga zbatimi vendimeve të Gjykatës së Strasburgut?
Në buxhetin 2016 janë parashikuar 3 miliardë lekë për qëllime të kompensimit financiar të pronës dhe shuma do të rritet në vite, duke arritur mesatarisht 5 miliardë lekë në vit për 10 vite.
Marrë me shkurtime nga Monitor
Add new comment