Perëndimi “kërkon” Pranverën Afrikane, por demokracia po shihet si “e padëshiruar” shumë edhe në një vend si SHBA
“Ku është Pranvera Afrikane”, pyet në një shkrim të vetin në “Deutsche Welle”, Birgit Morgenrath. Ku është pranvera që do sjellë erën e demokracisë në vendet e Afrikës pas valës që përfshiu vendet arabe e që Morgenrath e gjen të përcjellë mirë tek fjala Arabelioni. “Në Afrikën e Jugut nuk bëhet fjalë për ndryshimin e madh, por edhe këtu Arabelioni është i dukshëm. "Ne këtu flasim herë pas here për pranverën afrikanojugore“, thotë Na'eem Jeena. Në lagjet e varfëra periferike, ku banorët prej vitesh demonstrojnë kundër mungesës së strehimit, furnizimit të keq me energji dhe kundër papunësisë, është ringjallur sërish fryma e dikurshme luftarake e protestave masive të fundit të viteve 80-të kundër regjimit të aparteidit. Si në protestat e mijëra studentëve në mbarë vendin kundër tarifave për shkollimin këtë vit. "Besoj se këto ndjenja të besimit dhe të protestës, që kanë lindur në Afrikën e Veriut, kanë infektuar në këto pesë vite pjesë të tjera të kontinentit afrikan. "Kudo njerëzit flasin për “versionet e tyre lokale“ të Pranverës Arabe. Ky besim i thellë në fuqinë e qytetarëve do të sjellë edhe në të ardhmen ndryshime”, shkruan gati në ngazëllim autorja në fjalë.
Dhe kjo përqasje nga pozitat e perëndimit që e sheh demokracinë si recetën finale, vijon të rimandatohet në shtyp, edhe pse Arabelioni në vend të demokracisë solli kaos dhe një përgjakje që bota nuk e ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Eksperimenti i mbjelljes së “Pemës së Demokracisë” vazhdon pavarësisht se ndërhyrja në Irak, e nisur pikërisht nga këto premisa, është konsideruar gabim prej vetë protagonistëve.
Të mos shkojmë larg Ballkanit: rënia e komunizmit është një nga fitoret më të mëdha të lirisë, por kjo që erdhi vetëm demokraci nuk është. Në Gjermani vetë sot flitet për ringjalljen e forcave ultra të djathta, duke na kujtuar se Demokracia ka alternativë zëvendësuese edhe në ato vende prej nga ku vijnë leksione. Demokracia nuk është stacioni i fundit, as fundi i historisë siç thotë ndonjë. Madje edhe në vendin që e ka pasuri të patjetërsueshme të kulturës së vet politike, SHBA, ka shenja shqetësuese.
“Vox” raporton se një sondazh i kryer së fundmi në Amerikë, zbulon se prirja e njerëzve po shkon nga Autoritarizmi dhe nga vështrimi i Ushtrisë si instrument i marrjes së pushtetit. “Një pjesë e madhe e amerikanëve urrejnë Uashingtonin, nuk u besojnë politikanëve dhe kanë prirje për të votuar populistë që vijnë nga jashtë sistemit si Donald Trump”, shkruan “Vox”.
Rezultatet e sondazhit flasin për rënie të besimit në institucione, largim i të rinjve nga politika, relativizimi i demokracisë si pjesë esenciale – vetëm 30% e të lindurve në vitin 1980 e mbas, është esenciale të jestosh në një demokraci; po kështu ka një numër në rritje njerëzish që mendojnë se demokracia është një mënyrë e keqe për të drejtuar një vend, 1 në 6 amerikanë është dakord që pushtetin ta marrë ushtria. Më të pasurit në SHBA janë të mendimit se duhet dorë e fortë në drejtim, prirje qartazi autoritariste, që vjen në kohezion me prirjet në shumë vende të botës(http://www.vox.com/polyarchy/2015/12/18/9360663/is-democracy-in-trouble).
Ngjan si një bindje se demokracia e arritur kufirin, se liritë dhe të drejtat nuk mund të ruhen veçse duke forcuar shtetin, çka çon patjetër në reduktimin e tyre.
Duket se Perëndimi ka humbur bazat morale, ndaj edhe thirrjet e autores së DW, ngjajnë disa absurde. Pa harruar se demokracia nuk është një fjalë goje, edhe kur tingëllon bukur si fjala Arabelion.
Add new comment