Zgjedhje të reja apo parti e re?
Në ciklin e protestave që PD-ja filloi në 8 dhjetor, kërkesa kryesore ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, të zhvilluara nën kontrollin e një qeverie teknike.
Kjo kërkesë për zgjedhje të reja bëhet vetëm dy vjet e gjysëm pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, të cilat u zhvilluan nën kontrollin e plotë të qeverisë së PD-së. Dhe në ato zgjedhje, PD-ja mori vetëm 30.6% të votave – më pak se sa kishte marrë në vitin 1997, kur fushatë mundi të bënte vetëm në gjysmën e vendit mbi Shkumbin. Qysh atëherë, partia aleate më e madhe e saj (PDIU) ka kaluar me mazhorancën, ndërsa gjysma e deputetëve të aleates më të vjetër (PR) janë bërë pjesë e grupit parlamentar të LSI-së.
Në këto kushte, kërkesa për zgjedhje të reja do të kishte kuptim në dy raste: 1- Në qoftë se dy partitë kryesore të mazhorancës (PS e LSI) do të kishin shpallur një divorc publik; ose 2 - Në qoftë se zgjedhësit e pakënaqur me qeverisjen do të ishin sot gati të votonin për opozitën.
Pavarsisht përplasjeve të nëndheshme që mund të kenë patur muajt e fundit dy krerët e mazhorancës (Rama e Meta), në çdo votim të rëndësishëm në parlament ajo ka demonstruar se ka të bashkuara të paktën 84 vota. Në qoftë se kjo kuotë do të binte poshtë 71-shit, kërkesa për zgjedhje të reja do të ishte mëse legjitime.
Pavarësisht pakënaqësisë së zgjedhësve ndaj qeverisjes, sondazhi i fundit që zhvillova para një muaji tregonte se kjo pakënaqësi nuk është përkthyer në një gadishmëri për të votuar mbi 50% për opozitën (shih grafikun bashkëngjitur). Në fakt, elektorati është ndarë në tri pjesë pothuaj të barabarta (sondazhet me përkufizim nuk janë instrumente precize), ku një segment është i vendosur të votojë për mazhorancën, një për opozitën dhe i treti për asnjërën.
Gjë që do të thotë se 1/3 e elektoratit me banim në Shqipëri mund të kandiset të votojë në qoftë se një parti e re, e ndryshme rrënjësisht nga këto ekzistueset, do të shfaqej në skenën politike shqiptare. Nëse kjo s’ndodh, ky lloj elektorati mund të rrijë në shtëpi në zgjedhjet e tjera, duke lënë partitë aktuale të riformatojnë koalicionet e rradhës, për të përcaktuar nëse Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër apo nëse do të bëhet Basha.
E. Zaloshnja
Comments
Naive
Nje perfundim i gabuar qe bazohet ne nje premise fallco. Vetem ne Shqiperi ndodh qe shtresa e te pavendosurve te barazohet me mundesine qe ky grup do votonte per nje parti te re. Autorit i ka dale huq sa here ka perdor kete analize sa lineare po aq bajate.
Tek ne elektorati eshte
Tek ne elektorati eshte absolutisht i oa percaktueshem. Leviz nga te fryje era, si puna e atije flugerit qe mat drejtimin dhe shpejtesine e eres. Ky model jemi ne. Biem per te fjetur me mendjen tone, dhe,ngrihemi ne mengjez me mendjen e gruas. Deri tek kutia e votimit, 50% e votusve nuk e kane t percaktuar se per ke do te votojne. Keshtu qe, prognoza qe jep z.Zaloshnja, eshte shume larg realitetit.
Add new comment