Vizat do të liberalizohen një ditë, por nuk do t’i zgjidhin problemet e kosovarëve

Postuar në 16 Dhjetor, 2015 21:38
Augustin Palokaj

Isha duke udhëtuar në orët e vona të mbrëmjes nga Aeroporti i Prishtinës në drejtim të Pejës, ndërsa në radio dëgjoja një emision ku lajmëroheshin dëgjuesit, komentonin disa këngë, kërkonin t’u plotësohej ndonjë dëshirë muzikore, dhe përmes bisedave të lehta jepnin përgjigjet e tyre në pyetjen “për çka mendojnë më së shumti shqiptarët”. Pyetje shumë e përgjithshme, por shumë personale dhe abstrakte, përgjigjja në të cilën mund të gjendej vetëm përmes një ankete profesionale. Por nga telefonatat e dëgjuesve doli një përgjigje e cila vështirë do të kuptohej jashtë Kosovës. Kur i pari dëgjues tha se “më së shumti mendojmë në këtë farë liberalizimin e vizave” disi u habita. Kur edhe tre a katër përmendën këtë, filloi të më vinte keq, ndërsa kur tetë nga dhjetë dëgjues e përmenden liberalizimin e vizave si brengën më të madhe të kosovarëve, dhe diçka në të cilën ata më së shumti mendojnë, fillova të shqetësohesha.

Liberalizimi i vizave për kosovarët është bërë një prioritet artificial, i cili është bërë kaq i rëndësishëm për shumë arsye, por jo për nga rëndësia që do të kishte në zgjidhjen e ndonjë problemi serioz të kosovarëve. Pse mendojnë atëherë kosovarët aq shumë për liberalizimin e vizave. Sepse për këtë temë flitet tash e 8 vjet. Sepse secilin vit u premtohet se “këtë vit” apo “vitin e ardhshëm” do të udhëtojnë në Evropë pa viza. Sepse premtimet e tilla i kanë dhënë ata të cilët nuk kanë bërë as pjesën e tyre të punës për të arritur liberalizimin, edhe pse, edhe po t’i kishin kryer, nuk do të ishte në duart e tyre që ta realizonin këtë synim. Sepse sa herë që dështon realizimi i qëllimit në afatin e premtuar vjen premtimi tjetër. Politikanët pa problem vazhdojnë secilin vit të premtojnë se “vitin e ardhshëm” do të arrihet liberalizimi i vizave dhe askush nga ata nuk kërkon përgjegjësi pse nuk u arrit.

Premtimet janë një gjë që politikanët nuk i kanë dhënë në bazë të besimit se vërtet do të ndodhë liberalizimi. Por e kanë llogaritur mirë se populli nuk ka asnjë mundësi tjetër pos që të shpresojë se nëse nuk u realizua vjet do të realizohet sivjet, apo, nëse jo sivjet atëherë me siguri vitin e ardhshëm. Dhe një ditë liberalizimi do të ndodhë. Dhe kur të ndodhë, politikanët si Hashim Thaçi, Isa Mustafa apo ndonjë nga shumë bashkëpunëtorë të tyre, do të mund të thonë : “A ju kemi thënë”. Dhe në vend të kërkimit të përgjegjësive nga ta pse Kosova ka pritur aq shumë, ata do të mbështeten në meritat e tyre se ata e arritën këtë liberalizim.

Problemi është se me ketë liberalizim vizash kosovarët nuk do të mund të zgjidhnin problemet kryesore që kanë në jetën e tyre. Është krejtësisht e papranueshme që kosovarët të mbeten të vetmit jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, që nuk mund të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Dhe ky diskriminim i ka bërë ata të ndihen keq. Nuk është lehtë kur të tjerët të trajtojnë ndryshe dhe kur edhe vetë fillon ta pyesësh veten “pse jemi ndryshe” apo “pse po na trajtojnë ndryshe”, apo “çka kanë kundër nesh?”. Ky diskriminim është një prej arsyeve pse kosovarët janë aq shumë të dëshpëruar dhe pse aq shumë mendojnë për vizat. Mendojnë për vizat më shumë sesa për papunësinë, më shumë sesa për krimin e organizuar, më shumë sesa për krizën politike, më shumë sesa për rrezikun nga terrorizmi, më shumë sesa për aktin se Kosova, krahasuar me numrin e banorëve, ka dhënë më së shumti luftëtarë të huaj për luftën në Siri. Për viza flasin më shumë sesa për problemet në shkollim, më shumë sesa për gjendjen e mjerueshme në shëndetësi, më shumë sesa për furnizimin me rrymë.

Në një prej takimeve të shumta rreth integrimeve evropiane në Kosovë, një prej të pranishmëve në pyetjen time pse për të është aq e rëndësishme që të arrihet liberalizimi i vizave, ma dha përgjigjen që po t’u transmetohej zyrtarëve të BE-së, do të merrej si dëshmi që të mos hiqen vizat: “Të na i hjekin vizat për me mujt me shku, me udhëtu, me shku atje në Evropë me punu, për me mujt me jetu” ishte përgjigjja e tij.

Edhe kur të hiqen vizat qytetarët e Kosovës nuk do të mund të shkojnë “Me punu” dhe “me fitu për me jetu”. Pikërisht analiza e rrezikut për migrim masiv në rast të liberalizimit të vizave do të jetë një prej kritereve kryesore në bazë të së cilit vendet e BE-së do të vendosin kur t’u hiqen vizat qytetarëve të Kosovës. Sa më e rëndë të jetë situata në Kosovë, sa më shumë të ketë korrupsion, sa më shumë të ketë dështime të gjyqësorit, sa më shumë të ketë papunësi dhe arsye për t’u larguar nga Kosova, aq më shumë do të vonohet heqja e vizave. Kjo gjithsesi është e padrejtë, sepse të tjerëve, me kushte shumë më të pakta, ua hoqën vizat. Madje edhe keqpërdorimet që bëhen nga liberalizimi i vizave, sidomos nga shtetasit e Shqipërisë, të cilët shkojnë në BE për të kërkuar azil, përdoret si një arsye shtesë që të “mos nxitohet” me kosovarët. Disa në BE vlerësojnë se “nëse kosovarët ikin aq shumë edhe në kohën kur u duhet viza, atëherë kur t’ua heqim vizat do të ikin edhe më shumë”. Kjo mund të jetë një përllogaritje e gabuar, sepse në atë rast edhe vendet e BE-së do ta kishin më lehtë t’i sanksionojnë, t’i kthejnë në vendin e tyre dhe t’ua ndalojnë edhe hyrjen në BE për disa vjet. Prandaj nuk ka arsye për të mos hequr vizat sa më shpejt.

Heqja e tyre do t’ua lehtësonte shumë njerëzve që të udhëtonin në BE për të vizituar dikë nga familja. Në disa raste bileta e avionit për ndonjë destinacion në BE është më lirë sesa që kushton procedura për kërkimin e vizës së ndonjë shteti. Gjithsesi do të jetë një lehtësim i madh dhe do të ketë rëndësi të madhe heqja e vizave. Por të presim që me këtë kosovarët do të fillojnë të jetojnë më mirë, se do të zgjidhin problemin më të madh në jetën e tyre, është gjithsesi një ekzagjerim. Më shumë sesa dëshira për heqjen e vizave kosovarët do të duhej të shqetësoheshin me numrin aq të madh të atyre që, po të kenë mundësi, do të largoheshin nga Kosova, sepse aty nuk po shohin ardhmëri as për vete e as për fëmijët e tyre. Kjo është shqetësuese dhe ky problem nuk do të mund të zgjidhet me një vendim të Bashkimit Evropian.  

 

"Koha Ditore" 

Comments

Submitted by Jak Shkodra (not verified) on

Ishalla nuk e ke gje ATE, burrin pa koqe nga Shiroka, qe flet me "th", "politikleshin" PA...l..E. Eshte turpi i fisit te vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.