Kur ambasadorët udhëheqin demokracinë

Postuar në 16 Dhjetor, 2015 11:06

Ata janë bërë pjesë e diskursit publik ndoshta për arsye kompleksiteti të politikës sonë ndaj të huajve apo raporteve të ndërvarësisë mes dy palëve. Ambasadorët e huaj në Shqipëri janë personazhe që tashmë e kanë kthyer në normë “futjen e hundëve” në punët e brendshme të demokracisë duke treguar në shumë raste anësi për njërën apo tjetrën palë.

Shqipëria është një vend në zhvillim dhe nga një pikëpamje roli i tyre ka qenë i mirëpritur për të mbështetur proceset integruese të vendit, por protagonizmi i tyre në këto vite ka shkuar jo vetëm përtej vijave të kuqe, por fatkeqësisht ka shkelur edhe atë dinjitet dhe atë sovranitet që presupozohet të kemi fituar me ardhjen e demokracisë.

Në një lajm që e ka mësuar vetëm Top Channel nga burime diplomatike, disa ambasadorë mes tyre ai amerikan, ambasadori francez, anglez, gjerman, numri 1 i BE-s në Tiranë Romana Vllahutin dhe ai i OSBE-s janë takuar për të rakorduar qëndrimet me protestën e opozitës ditën e enjte.

Siç raporton Top Channel “ata u dakortësuan se çdo lloj dhune gjatë protestës është e papranueshme dhe se partitë politikë dhe figurat e tyre udhëheqëse që organizojnë protesta në të cilat ka dhunë duhet të vihen përpara përgjegjësisë dhe të përballen me pasojat”.

Protesta e dhunshme dhe imponimi me dhunë ndaj institucioneve demokratike janë dy gjëra të ndryshme. Indinjata ndaj një shteti të dhunshëm dhe marrja e pushtetit me dhunë po ashtu janë dy gjëra të ndryshme që ambasadorët duhet ta dinë nisur edhe nga eksperienca diplomatike që kanë, pasi edhe ata vetë janë produkt i demokracive perëndimore.

Shteti tregoi në protestën e 8 Dhjetorit një sjellje shembullore, duke lënë protestuesit të djegin bunkerin për të shfaqur fytyrën e një opozite vandale dhe për të treguar se kjo qeveri ndryshe nga ajo e kaluara është e distancuar nga dhuna.

Por a është ky një tregues se shteti i sotëm që kemi është i shkëputur nga brutalitetit, padrejtësia dhe pabarazia? Policet femra që kryeministri përzgjedh të vendosë në kordonët e protestave nuk janë një argument i mjaftueshëm për të na bindur se standardi i policisë që kemi në rrugë, burgje, apo komisariate është ai i një shteti paqësor me qytetarët e vet. Operacionet e dhimbshme siç i quan kryeministri kalojnë të gjitha përmes dhunës dhe shantazhit publik të qeverisë meqë tani ka në dorë edhe gurin edhe arrën. Dhe ndaj një shteti të tillë nuk mund të protestosh me lule, siç ambasadorët na sugjerojnë në të mirë të demokracisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Ambasadorët në takimin “sekret” të 14 dhjetorit janë shprehur se “në mënyrë të veçantë çdo përpjekje përmes forcës për të ndaluar punën e Parlamentit do të shihet si një përpjekje e qëllimshme në nëpërkëmbjen e institucioneve demokratike dhe do të përbënte një vijë të kuqe të pakalueshme për këto vënde dhe organizata”. Axhenda e deklaruar e opozitës për të rrëzuar këtë qeveri mund të ketë frikësuar mazhorancën, por jo ambasadorët që e njohin mirë demokracinë kur janë të pandikuar nga axhendat e tyre personale.

l.m

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Vllahutini udheheq vetem veten drejt dorezimit pa kushte ndaj Rames. E ka punesuar Rama keshtu qe mos prisni te punoje per demokracine Vllahutini. Punon per Ramen dhe Vetem per Ramen. Pa fshehur madje. Mbani ndonje shprese te amerikani se ata nuk i blen kollaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.