Përrallat e tranzicionit: Berisha “desh u bë diktator”, “për pak nisi Luftën Civile”
Kaluan 25 vite dhe Sali Berisha, njeriu i të gjitha bëmave, reale dhe imagjinare, ka përmendur në një intervistë Shenasi Ramën. Ky i fundit është një protagonist i lëvizjes së dhjetorit ’90 dhe ka prezantuar me këmbëngulje “konceptin” e “parisë së mbjellë në demokracinë shqiptare nga Ramiz Alia”. Saliu padyshim kryeson këtë operacion të kapjes së drejtimit të demokracisë, edhe pse, nëse do të hedhim sytë pas, do të shohim se Berisha megjithë zullumet që kanë marrë jetë njerëzish dhe çuan shtetin në shkatërrim, mbijetoi dhe u rikthye në pushtet me votë. Dha dorëheqje po nga vota. Dhe nëse Ramizi e futi në politikë, mbijetesa është meritë e Saliut vetë. Përndryshe shkojmë larg në përfytyrimin tonë për pushtetin.
Për t’u rikthyer tek Shenasi Rama. Ky ka reaguar menjëherë pasi Berisha e përmendi në intervistën dhënë për “syri.net”. Dhe pas 25 vitesh, i “prekur” nga goditja, rrëfen, në cilësinë e dëshmitarit, një copëz nga përvoja e vet, që nëse është e vërtetë i nevojitet shumë si “dokument” historisë politike të Shqipërisë. Shenasi Rama flet për një projekt të Sali Berishës për të çuar Shqipërinë në Luftë Civile. Thotë Rama: “Djallëzor si është, Saliu nuk përmend se si në Shkurt të 1991, më solli disa individë të persekutuar që kishin premtuar të sillnin nga Greqia, në makina me fund të dyfishtë të mbushura me armë, sipas tyre, për të nisur Luftën Civile që donte ky dhe ustallarët e tij në Tiranë. E kemi diskutuar këtë gjë bashkë, e kam refuzuar duke e minimizuar dhe Ii thashë se ishte provokim I pastër. Më vonë, këtë individin, Saliu e bëri Anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së dhe Deputet të PD-së. Emrin e kishte Tomorr Dosti”. Dhe në fund paralajmëron se ka edhe “faqen e fundit” të dosjes: “Me që e kam njohur mirë, po ia kujtoj një bisedë që e kemi bërë vetëm për vetëm në rrugën që të çonte tek shtëpia e Arben Imamit, një natë që binte shi dhe ky që tash shitet kështu mbante çadrën”(http://www.gazetadita.al/saliu-si-djallezor-nuk-permend-planet-per-arme-nga-greqia-per-lufte-civile-ne-91/).
Çfarë do ketë thënë Saliu në agimin e karrierës së vet politike? Që donte të ndante Shqipërinë në Jug dhe në Veri? Ndoshta kjo shpjegon pse në vitin 1992-93 në Rrogozhinë u stacionuan disa trupa shtesë. Të ketë patur Berisha mendimin se “me Jugun do të kishte probleme”? Ku qëndron gënjeshtra këtu?
Të gjitha këto pak rëndësi kanë sot. Rëndësi ka se nëse dikur Berisha fliste me pseudonime dosjesh dhe bënte shantazh me to, ata që hiqen se u ndanë me të se ishin demokratë, nuk janë hiç më mirë. Sot Shenasi Rama u thotë shqiptarëve se ai ka një “dosje” për Berishën, të cilën po të dojë, po qe se ky e ngacmon shumë, do ta hapë. Bëhen dy Sali në këtë mënyrë. Por ne njërin e patëm dhe kështu që nuk na duhet tjetri. Përndryshe përgjegjësia qytetare e do që Shenasi Rama dhe të tjerë t’u thonë shqiptarëve disa të vërteta, pavarësisht se pas deklarimit të tyre publik, është e sigurtë se nuk do të kenë më gjë me vlerë se çfarë të thonë. ASGJË. Shenasi Rama nuk na tregon as sesi u shmang kjo Luftë Civile që do të na kishte shpëtuar nga kjo zvarritje 25 vjeçare, nga kjo jargë politike që e degdisi këtë vend në një kosh mbeturinash. Shenasiu të jetë vallë çelësi? Ndoshta.
E vërteta politike e këtyre viteve e vë Sali Berishën në ballë të gabimeve, krimeve, por edhe fitoreve politike. Fitore të arritura edhe pse përballë ishin njerëz që çoç dinë për të, e që sot thonë se Saliu “desh u bë diktator”, apo se “për pak nisi Luftën Civile” etj.. Pallavra.
Add new comment