Kapitalizimi i protestës
Disa media pranë qeverisë, si gazeta “Shekulli” njoftojnë se protesta e nesërme do të ketë dhunë. Madje sipas kësaj gazete, mbështetës të skenarit të dhunës është ajo që në shkrim quhet si “garda e vjetër me Sali Berishën në krye”, ndërkohë që Lulzim Basha qenka kundër këtij skenari. Po sot Arben Imami ka kritikuar opozitarizmin e Lulzim Bashës, teksa është shprehur se “shqiptarët nuk kanë shpresë as tek opozita”. A është ky një paralajmërim se protesta e 8 dhjetorit do të ketë dy axhenda? Do të ishte realisht fatale, por fakt është se nesër do të testohet se sa ka zënë vend në Partinë Demokratike Lulzim Basha. Përpjekja për rikonfirmim të Sali Berishës, si zëri kryesor, do të zhbënte edhe atë përpjekje të mekur për të bërë grimin e nevojshëm politik të liderit të ri dhe të reformimit të partisë. Kalimi drejt dhunës mund të nxiste interpretimin se protesta u kthye në një hakmarrje të Berishës për 21 janarin, duke krijuar një perde politike, e cila e bën të padukshëm Lulzim Bashën.
Dhuna nuk ka në thelb asgjë të jashtëzakonshme në një protestë. E shohim atë të shfaqet në protesta anembanë Europës. Por dhuna e pakontrolluar që negociohet si mjet për të qëllime politike të atypëratyshme mund të jetë e keqllogaritur. Le të marrim fjalët e Berishës më 21 janar: "Ky është pushtet i dalë nga vota e lirë". Edhe ky pushtet i sotshëm është i dalë nga vota e lirë dhe duhet rrëzuar me votë. Kjo është beteja e vërtetë e opozitës, përveç betejës së brendshme për dominim që shoqëron çdo formacion politik.
E qartë është se PD-ja nuk mund të çlirohet nga trashëgimia e Sali Berishës, sa kohë në këtë vend nuk ka Drejtësi. Nuk mund të çlirohet për momentin as nga roli i tij prej protagonisti. Për të mos e vrarë alternativën opozitare, edhe kështu siç është, e mira e do që PD-ja të sintetizojë energjitë në funksion të një axhende që sheh nga përgatitja për zgjedhje, jo për përmbysje. Nëse protesta e nesërme siguron pjesëmarrje të madhe kjo do të rifaktorizojë PD-në dhe me gjasë, ose do ta trembë klanin e kryeministrit, ose do ta maturojë atë. Në të dyja rastet efekti është pozitiv. Askush nuk ka nevojë që buritë e “të keqes Berisha” të riciklohen për të mbuluar dështimet e qeverisë aktuale. Aq më tepër opozita. Qeveria po gabon sistematikisht dhe dita kur ajo do të lërë pushtetin nuk ngjan e largët.
Add new comment