Doktorët, piktorët, baxhanakët, prozaku dhe Industria e shpresës
Me fjalët e Karl Popper “Qëllimi i një argumentimi, apo diskutimi, nuk duhet të jetë fitorja, por progresi.”
Fundjava e gjatë në Tiranë, herë pas here pa drita, ka si efekt anësor mërzinë. Mërzia largon zhurmën, mendimet rrjedhin për hesap të vet, ripërtypen, rigrupohen, kristalizohen. Në momentin kur nuk shtyhet më, kur je bërë derr fillon ndryshimi, marrja e vendimit për të ndërruar punën, për të emigruar, për të nisur një biznes, për t’u martuar apo kërkuar divorcin, për të nisur një shkollë, e të tjera si këto. Ndërkohë telefonat, facebook, ëhatsap, televizori, instagram, viber, youtube eleminojnë momentet gjithmonë e më të rralla të kthjelltësimit, duke të mbajtur në një gjendje marrje aktiviteti, pa lënë kohë për fermentimin e informacionit të marrë dhe krijimin e ideve të tua. N këtë ëkëndvështrim kjo fundjavë e gjatë pa bërë asgjë me vlerë, ja vlejti.
Shpresa. Ajo që ka njeriu se gjërat do të bëhen më mirë. Që të bën të shkosh në punë çdo ditë se ndoshta do të promovohesh. Që të bën të votosh politikanin çdo 4 vite. Që të mban në këtë vend. Që të bën të hapësh një lokal kur para teje kanë falimentuar 4 të tjerë në të njëjtën qoshe. Shpresa është zamka e shoqërisë, ajo që e mban bashkë të tërën. Ajo që mban gruan në familje edhe pse burri e shqep në dru, dhe kur ai i kërkon falje për të 100 herë ajo shpreson që ai do të ndryshojë. Shpresa është kufiri i fundit, mekanizmi më i avancuar i ruajtjes se shëndetit mendor në një situatë të vështirë.
Është gjithashtu dera e pasme, dera që ju lejon politikanëve me buxhetet e tyre të marketingut, që pas paaftësisë, korrupsionit, arrogancës, të rregullohen për sezon (zgjedhje), të propozojnë një vizion ndryshe, një të ardhme të rilindur; dhe çdo gjë fillon nga fillimi. Dhe ne, si gruaja që pranon dhunën, i falim, se shpresojmë që këtë here është ndryshe!
Industria e shpresës është më e madhja në këtë vend, ose e dyta pas asaj të kanabisit. Me fushatat, reklamat, politikanët me fotografë e kameramanë personal. Me rrogëtarët që bëjnë komente në portalet e lajmeve e Facebook, me emra të rremë si Gimi, Beni, Loni, Vera. Televizionet, gazetarët, analistët, emisionet e mëngjesit dhe të pasdites, etj. si këto.
Deri sa ka shpresë, ka paqe, ka stabilitet. Deri sa ka shpresë, për ata që e tregtojnë atë me shumicë, ka mercedeza, pengmarrje biznesesh me anë të mekanizmave të shtetit, ndërtime shumëkatëshe, miniera private, koncesione për kunetër - baxhanakë me biznese monoperson, kurim në perëndim. Për bleresit e shpresës ka varfëri, borxhe, bukë me listë, spitale që s’ja uron as hasmit. Çdo gjë është në rregull deri sa ka shpresë se shpejt do të futemi në Evropë; sa të fitojë ky apo ai dhe do të jetë më mirë. Edhe pak sa të mbarojë shkollën djali, edhe pak sa të hapë këtë lokalin. Shpresa është pilula blu te matrix, është ajo që pengon veprimin, krijon apatinë, lejon keqtrajtimin dhe abuzimin, mban sistemin në ekuilibër. Shpresa është prozaku i shoqërisë, ajo që i vë një vello rozë llumit.
Në anën tjetër, të propozosh mungesën e shpresës është të propozosh kaosin, përmbysjen, emigrimin në masë. Por është edhe momenti i ndryshimit, kur mbaron apatia, kur ti kupton që vetëm ajo që bën ti ka vlerë. Ndërpret varësinë nga faktorët e jashtëm, si i dehuri që shkëputet nga alkoli, apo gruaja që gjen forcën për ta lënë atë maskara.
Meqë e hapëm me zotin Popper edhe një fjalë tjetër nga ai: "Çdo njeri që premton parajsën mbi tokë, sjell vetëm ferrin". Dhe kjo është dilema. E mbaj mend në kohën e zotit Nano, shkova dhe votova me inat që ta hiqja nga pushteti, gjithashtu votova të hiqja zotin Berisha dhe ja dhashë votën zotit Rama, që me sa duket, edhe ai do të përfundojë njëlloj...një herë doktorit, pastaj piktorit, pastaj përsëri doktorit, po më pas çfarë?!
Për ta mbyllur se u bë e gjate, dhe këto kohë shkrimet nëse nuk i nxë ekrani telefonit janë te gjata. Propozimi im është injorimi. Kjo kastë ushqehet me vëmendjen që merr, rriten, shendoshen; t’ua heqësh është si t’i lësh pa bukë. Të pranosh që asgjë dhe askush nuk do ta zgjidhë këtë batak brenda natës është liri, momenti kur kap fundin, kur shohim relitetin si është, pa pritur për një shenjt, apo idhull të na shpëtojë. Pas kësaj e vetmja rrugë e ngelur është për lart. Pas fundit ka vetëm përmirësim. Duke rritur standardin që kërkojmë nga vetja do të rritet edhe minimumi që pranojmë nga politika.
Add new comment