Mirë sukseset, por edhe këshilla?!
Erjon Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Vërtet? Po pse vetëm kaq? Kështu mund t’i duket shumëkujt, por ai është diçka më shumë. Mund edhe të bëhej një hyrje për të përgatitur se ku duam të dalim, por stili i Erjonit do respektuar: drejt e në thela. Mëngë të përveshura, veshje sportive, hap i nxituar, me fjalët “punë” në gojë, kamera dhe kronika edhe për aksionin e prerjes së thonjve si dhe pak humor me opozitën e shkretë. Se e do populli një lider me humor: “Dashnorët e Zhulit” është gjetja e Erit për të tallur pëdëistët që atij i duket se e shohin si kështjellë virtytesh. Erjonit nuk i pëlqen protokolli. Kjo duket qartë dhe kjo e bën më shumë sesa të majtë. E bën një çun të vërtetë të ardhur nga poshtë, ku historia e shitjes së fiqve, është vetëm një shkallë në jetën e trazuar të cilën e revolucionarizoi përmes angazhimit moral në politikë. I themi këto jo me sens ironie: të na falin ata që e kuptojnë kështu. Por sepse vetëm duke parë në thellësi të angazhimit dhe besimit të Erit tek qytearia dhe tek përparimi, mund t’i kuptojmë dhe mandej t’i pranojmë këshillat e Erit si ajo që bën sot: “Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit - Bashkia Tirane në punë, që çdo gjë të jetë gati te Varrezat e Dëshmorëve. Vendose edhe ti flamurin në shtëpinë tënde. #NataBardhe”. Pasi, nëse e shohim kështu, si i thonë, hollë këtë punë dhe me durim, flamuri në shtëpi, është si puna e besimit fetar. Çështje shumë private, çështje që duhet ta ndjesh në mënyrë që të mos e kapësh veten duke bërë teatër përballë dritares së komshiut. Sepse duhet ta themi: nuk janë të gjithë të aftë që të bëjnë teatër, apo të tallen me veten në këtë farë feje. Plus, po ta shikosh me pragmatizëm, modë qëndrestare kjo, flamuri për të cilin e ka fjalën Eri nuk të jep asgjë. Hajde de të na sugjeronte flamurin e PS-së të vitit 2013, apo atë të LSI-së. Po këtë Kuq e Zinë? Këtë i lutemi që të na e lërë vetë ta zgjedhim nëse e vendosim apo jo. Bashkia ka edhe punë të tjera përveçse të japë këshilla. Dhe këshillat Erjoni nuk i ndan edhe për çështje që me të vërtetë prekin arritje madhore të shqiptarëve siç ështe jeta e natës, liria për të pirë alkool, për të kënduar pubeve etj., gjithë një mikrobotë e dashur lirish, për të cilat kryetari jonë i dashur, para ca kohësh u përpoq t’i shikonte si biçim vesesh të shoqëruara me ndotje akustike. Abstragojmë dhe themi mos vallë e ka patur si garë me kryeministrin, i cili kërkoi të hynte në historinë e të Pamundurës, teksa shpalli luftë ndaj vesit të poshtër të kumarit?!
Por meqë na jep këshilla të tilla, edhe ne po sugjerojmë diçka. Erjoni ka edhe zakonin e enumeracionit në shpalljen e sukseseve. 7 punë në 7 ditë, 30 m kanal në 30 orë, apo 3 shokë në 3 parti etj.. Është një qasje që e gjen në libra që mëtojnë pedagogji suksesi: 7 këshillat për t’u bërë i pasur e të tilla. Këtu ndoshta një përgjegjësi e ndan edhe media shqiptare që ka histori të vetën me këtë punë.
Dikur, ndoshta nga fillimi i viteve ‘2000, u shfaq dendur në shtypin e shkruar shqiptar prirja e dossierit. Kishte kuriozitet të madh asokohe për të fshehtat e së shkuarës që deri më atë kohë vetëm ishin konsumuar kafeneve. Meqenëse kureshtja priret drejt perversionit, ose bashkëjeton me të, shtypi, një pjesë e tij, ja doli që ta shtynte disa vite me disa sekrete të riqarkulluara, të përsëritura, me Sigurim e pa Sigurim. Me të mbaruar kjo punë, lindi nevoja e një tjetër rubrike, ose qasje, që nuk ishte as më shumë e as më pak, Dossierizimi i vetë Dossierit. Lindi pra prirja, e kufizuar ngushtësisht në disa emra, e katalogizimit të “sekreteve”. Ja 10 ministrat, ja 4 drejtorët, ja 5 ... e kështu me radhë. Një mënyrë e pagdhendur kjo për ta bërë gazetarinë si biçim aksiome të historisë. Ndoshta edhe Erjoni ecën në këtë rrugë të "zëdhënies së turmës" kur na sugjeron përmes rrjeteve sociale shtatëshet që gjuajnë rëndë me arritjet e jashtëzakonshme. Por në emër të një fije respekti për të vërtetën e Tiranës së përmbytur kaq kollaj dhe të njerëzve që ecin rrugës e shohin se qyteti është po ai që ka qenë, ndoshta do ishte mirë, që këto indeksime të rrallohen disi. Se po lihet mbrapa edhe qeveria që kështu siç duket, apo po të besojmë Erjonin, ja doli të bëjë vetëm një Rilindje: atë të postit të kryebashkiakut.
Add new comment