Lamtumirë Jorgo Bulo!

Postuar në 28 Nëntor, 2015 17:15
Agim Vinca

Me pikëllim të thellë mësova lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të mikut tim të shtrenjtë dhe studiuesit të shquar të letërsisë shqipe, Akademik Jorgo Bulos.

Kur ma kumtuan, nëpërmjet telefonit, lajmin e hidhur për ikjen e tij nga kjo botë, si në një shirit magnetoskopik më përftoi nëpër mend me shpejtësi marramendëse periudha gati gjysmëshekullore e njohjes me të (nga fillimi i viteve ’70 të shekullit të kaluar), kur e pata takuar për herë të parë në Tiranë a në Prishtinë; ligjëratat e tij në Fakultetin Filozofik/ Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku ai ishte mysafir i shpeshtë jo vetëm në vitet ’70, por edhe më vonë; bisedat e shumta me të, kryesisht për letërsinë, gjithnjë serioze e të frytshme; letrat që kemi shkëmbyer herë pas herë bashkë nëpërmjet adresës elektronike; urimet e tij për Vitin e Ri, që s’kanë munguar kurrë, edhe kur ishte drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, por edhe më vonë, gjithmonë (urime klasike me kartolinë); fytyra e tij fisnike dhe buzëqeshja e përhershme, që fliste vetë; fjala e tij e urtë, e saktë, e pabujshme, por e thellë në mendime, e ngarkuar me shqetësimin për fatet e kombit, të gjuhës shqipe, të kulturës dhe shkencës shqiptare, veçanërisht të albanologjisë e, në mënyrë të veçantë, të kritikës letrare dhe historisë së letërsisë, të cilat i lëvroi me aq kompetencë e përkushtim.

Nuk mund t’i besoja lajmit se miku ynë i dashur, Jorgo Bulo, nuk ishte më dhe se nuk do ta takoja kurrë më as në Tiranë, as në Prishtinë e as në Pogradec, në qytetin e poetit për të cilin shkroi me aq dashuri, Lasgushit, duke e përqasur me Naimin, ku i kalonte pushimet verore.

M’u kujtuan doemos edhe veprat e tij jo vetëm ato kolektive, ku Jorgoja ishte bashkautor e redaktor, si Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (1978), Historia e letërsisë shqipe për shkollat e mesme (disa botime), Fjalori enciklopedik shqiptar në tre vëllime (2008-2009), ku ai ishte redaktor i zërave nga fusha e letërsisë e të tjera dhe sidomos veprat e tij autoriale: Romani shqiptar i realizmit socialist për Luftën Nacionalçlirimtare (1982), Tradita dhe risi letrare (1991), Magjia dhe magjistarët e fjalës (1998), Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (1999), Shpirti i fjalës (2014) e të tjera.

Pothuajse të gjitha këto vepra i kam me nënshkrimin e autorit, me atë shkrimin e tij të rregullt, gati bukurshkrim, me pak fjalë e me shumë kuptim. Sepse Jorgo Buloja e kishte parim të vetin në jetë dhe në punën krijuese, në shkrimet e tij, ekonomizimin me fjalën, përdorimin e saj të saktë, preciz, me veçanti të rrallë shprehëse e ligjërimore dhe me funksion kuptimor e semantik.

Secila nga këto vepra ka vlerën dhe rëndësinë e saj dhe e plotëson mozaikun e punës së autorit në fushën e studimit të letërsisë shqipe, duke e thelluar dhe avancuar mendimin kritik të shkencës shqiptare të letërsisë, por tani që autori i tyre nuk është më fizikisht në mesin tonë, do të veçoja posaçërisht veprën Evolucioni i lirikës së Naim Frashërit, që është një studim monografik, i thelluar e modern, që sjell mjaft risi në vështrimin e lirikës naimiane dhe që paraqet një nga veprat më të mira kushtuar bardit të letërsisë sonë kombëtare, Naim Frashërit, pastaj veprën Magjia dhe magjistarët e fjalës, si dhe librin e fundit të tij, Shpirti i fjalës, botuar rreth një vit më parë. Naimi, De Rada, Çajupi (me të cilin kishte edhe afërsi familjare), Noli, Lasgushi, Migjeni, Kadareja, Qosja, Agolli dhe mjeshtër të tjerë të fjalës shqipe, janë disa nga krijuesit për të cilët ai e tha fjalën e vet kompetente.

Por ai shkroi edhe për probleme të mëdha, teorike dhe historiko-letrare, të studimit të letërsisë shqipe në përgjithësi, si: evolucioni i zhanreve, periodizimi i letërsisë shqipe, tipologjia e romanit të sotëm shqiptar, tipat e ligjërimit në prozën bashkëkohore shqipe e të tjera. Jorgo Bulo vdiq, si thuhet, në krye të detyrës.

Shkoi nga Tirana në Përmet, në afërsi të vendit nga vinte (lindi në Sheper në vitin 1939), për të marrë pjesë në veprimtarinë “Ditët Naimiane” dhe nuk u kthye më. Iku përgjithmonë për të lënë pas veprën e tij të pavdekshme dhe kujtimet e tij të paharruara.

Në pasthënien e librit Magjia dhe magjistarët e fjalës, nën titullin “Dy fjalë për lexuesin”, Jorgo Bulo, ndër të tjera, shkruan: “Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së ardhmes e herë të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e indiferencës ndaj tyre. Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht, fuqia e përëndishme e fjalës shqipe. Ky le të ishte edhe kryemotivi dhe shpirti i këtij libri të përkorë”.

Ky është edhe kryemotivi i jetës dhe veprës së Jorgo Bulos si njeri e studiues, si dhe mesazhi i tij drejtuar brezit të vet dhe brezave që vijnë.

"Dita"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.