Porositë me minoritete. PDIU: Shqipëria të kërkojë shpalljen e çamëve të Greqisë, minoritet. Provën e keni në një emision televiziv
Partia e Shpëtim Idrizit është bërë sot e gjallë me një deklaratë për shtyp. Përmes saj kërkohet që Presidenti i Republikës dhe qeveria të kërkojë nga qeveria greke njohjen e minoritetit çam në Greqi. “PDIU-ja e ka ngritur zërin shpesh mbi këtë të vërtetë. Nuk kanë munguar ata të cilët e kanë cilësuar diçka të tillë si joekzistente, mirëpo rrëfimi i djeshëm i një gazetari i cili është shpallur “non grata” vetëm se thotë të vërtetën, nxorri në pah të pamohueshmen. PDIU-ja, shoqata “Camëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe çdo shqiptar i kërkon sot në mënyrë zyrtare Presidentit të Republikës, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe çdo instance tjetër shtetërore të ngrenë çështjen e pakicës së mbetur të shqiptarëve të Çamërisë ndaj homologëve të tyre grekë dhe në Bashkimin Europian. Kërkesa e palës shqiptare duhet të jetë njohja zyrtare e statusit të pakicës kombëtare të shqiptarëve të Camërisë. Atyre u mohohet sot e drejta e të vetëshpallurit shqiptar, e drejta e arsimit dhe komunikimit në gjuhën amtare. Do të jetë e pafalshme nëse shteti shqiptar vazhdon të heshtë”, deklaroi një përfaqësues i PDIU-së(http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=288500&ref=ml).
Pra PDIU-ja dhe Shpëtim Idrizi "zbuluan" në televizor, apo nga një emision televiziv, se në Greqi qenka një pakicë shqiptarësh çamë. Fjala është për çamët ortodoksë që jetojnë në Veri të Greqisë, por që nuk dihet mirë se çfarë ndjenjash ushqejnë për pjesën muslimane që erdhi në Shqipëri. Kjo luftë me mullinjtë e erës që shtyn PDIU-ja dhe Shpëtim Idrizi që mban një pult televiziv në dorë kumbon gjetkë. Sepse po të jetë për të vërtetat historike ato i dimë vetë njerëzit që kanë qenë gjallë deri vonë. Reportazhe të bujtësve me kamera të fshehura apo me “kuriozitet patrioti” ndjekin një lojë qesharake që nuk mund të mbivendoset ndaj disa të vërteta që u konsumuan në vitet ’40 e që në Shqipëri nuk thuhen asnjëherë. Si një shoqëri që për historinë tonë kemi ndërruar mendje 5-6 herë këto dekadat e fundit, askush nuk na merr seriozisht. Sidomos kur tezat politike ndërtohen mbi emisione televizive. Qofshin këto mundësi për të dalë edhe njëherë në konferencë. Sa për histori, po sjellim këtu atë që thotë historiani Beqir Meta në një intervistë të 17 dhjetorit 2012:
“Realisht nuk kemi ndonjë të dhënë për çamët ortodoksë në Greqi, sepse në të gjitha statistikat ata paraqiten si grekë. Gjithsesi nga regjistrimet e vjetra të popullsisë, ato të hershmet, çamët ortodoksë kanë zënë një pjesë të vogël, rreth 10 mijë veta, që janë 15 % e popullsisë së Çamërisë. Ka gjithsesi statistika që vijnë si rezultat i studimeve të autoreve të ndryshëm, që edhe kanë qenë dhe kanë udhëtuar në këto zona që flasin për këtë popullsi. Kjo ngase shteti grek nuk e ka njohur këtë element për origjinën e vet, por është e qartë se ajo ka qenë popullsi e pastër shqiptare.
Në dijeninë tuaj, a e ruan kjo popullsi identitetin e vet apo është e integruar tërësisht?
Në disa raporte që ka patur deri në fund të shekullit të 20-ë , por edhe ato që vijnë së fundmi nga udhëtime që bëhen në zonë, kjo popullsi ruan, sidomos në brezat e mesëm dhe të vjetër, gjuhën shqipe dhe vetëdijen për origjinën e saj, por për një varg arsyesh nuk preferon ta shfaqë hapur atë.
A është presioni politik një arsye, apo edhe raporti i tyre me grekët?
Sigurisht një nga arsyet është se nuk mundet, por aty nuk është se ka ndonjë lëvizje që të kërkojë të tregojë që ne jemi shqiptarë.
A ka një marrëdhënie historike apo komunikim mes kësaj popullsie dhe arvanitasve?
Nuk ka ndonjë marrëdhënie, sepse arvanitasit janë të vendosur në pjesë të tjera të Greqisë. Por edhe vetë arvanitasit janë në një lloj presioni dhe historikisht nuk është se e kanë shfaqur shumë identitetin e tyre etnik. Kjo pasi politika greke ka qenë shumë kufizuese, penguese dhe ka kryer presione të mëdha që të mos e lejonte këtë gjë.
Z. Meta, së fundmi çështja çame ka hyrë në axhendën politike të Shqipërisë. Mendoni se ajo duhet të përfshijë edhe problemin e çamëve ortodoksë apo edhe arvanitasve?
Unë do të thosha se nuk mund të jetë prioritet aktual i politikës shqiptare. Prioritet është zgjidhja e çështjes së realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë që janë dëbuar, duke kërkuar respektimin e të drejtave njerëzore të tyre që është njohja e gabimit historik me dëbimin, njohja dhe kthimi i pronave, por edhe rikthimi i shtetësisë së mohuar padrejtësisht. Ky është themeli i politikës shqiptare për arsye se kemi fakte relevante, të dokumentuara nga pikëpamja historike, juridike dhe e së drejtës ndërkombëtare. Po kështu kemi edhe një popullsi që është shumë aktive dhe e demonstron hapur dhe me shumë forcë kërkesën e saj për t’u kthyer në tokat e veta dhe për t’u respektuar si minoritet”(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=11319).
Foto 1 nga 1
Ish-drejtori i Tatimeve, Shpëtim Idrizi. Krijimi i një subjekti përfaqësues për komunitetin çam, u nxit nga ish-kryeministri Fatos Nano, si kundërveprim ndaj presionit grek. Të kujtojmë se ish-ambasadori grek në Tiranë, në zgjedhjet e vitit 2005 doli në fushatë krah PBDNJ-së me thirrje për rotacion.
Add new comment