Parisi dhe rënia e Romës

Postuar në 25 Nëntor, 2015 10:14
Niall Ferguson/ Boston Globe

Nuk do të përsëris ato që keni lexuar apo dëgjuar tashmë. Nuk do të them se ajo që ndodhi në Paris ishte një tmerr i pashoq, sepse nuk ishte. Nuk do të them që bota është përkrah Francës, sepse është një frazë sipërfaqësore. Dhe as kam ndërmend të duartrokas betimin e presidentit Hollande për hakmarrje “të pashpirt”, sepse nuk besoj në të. Në vend të këtyre, unë do t’ju rrëfej se kjo është mënyra si bien civilizimet. Ja si e përshkroi Eduard Giboni bastisjen e Romës nga Goth-i në gusht 410 para erës sonë: “Në një orë egërsie të shfrenuar, kur kishte shpërthyer çdo lloj pasioni, dhe çdo kufizim ishte hequr… romakët kryen një masakër e pamëshirshme; dhe… rrugët e qytetit u mbushën me kufoma… Kurdoherë që barbarët u provokuan nga kundërshtarët, ata e zgjeruan masakrën e tyre pa dallim ndaj të sëmurëve, të pafajshmëve, dhe të pafuqishmëve…” A nuk i përshkruan kjo skenat që pamë në Paris natën e të premtes? Vërtet, “Historia e rënies së Perandorisë Romake” e Gibonit përfaqëson trashëgiminë e Romës si një djegie të ngadalshme gjatë një mijëvjeçari. Por një brez i ri historianësh, si Bryan Ward-Perkins dhe Peter Heather, ka hedhur idenë që rënia e Romës ishte në fakt një rënie e befasishme – dhe e përgjakshme – dhe jo e butë: “një gotike e dhunshme… nga pushtuesit barbarë” që shkatërruan një qytetërim të ndërlikuar brenda jetëgjatësisë së një brezi. Procese të njëjta misterioze po shkatërrojnë Bashkimin Europian sot, megjithëse pak vetë janë të gatshëm t’i pranojnë për atë që ato janë. Le të jemi të qartë për atë që ndodh. Ashtu si Perandoria Romake në fillim të shekullit të pestë, Europa e ka lënë mbrojtjen e saj të shkërmoqet. Ndërsa pasuria e saj është rritur, aftësia ushtarake e saj është tkurrur, së bashku me vetëbesimin e saj. Ajo është bërë dekadente në qendrat tregtare dhe stadiumet sportive. Ndërkohë, ajo ka hapur portat për të huajt, të cilët kanë lakmuar pasurinë e saj pa hequr dorë nga besimi i origjinës. Tronditja e largët për ngjarjet e Parisit ka qenë lufta civile siriane, megjithëse ajo ka qenë një katalizator dhe shkak i drejtpërdrejtë për Völkerwanderung e madh të vitit 2015. Si dikur, refugjatët kanë ardhur nga periferia perandorake – Afrika e Veriut, Levantët, Azia Jugore – por kësaj here kanë ardhur me miliona. Të jemi të qartë, shumica vijnë me shpresë për një jetë më të mirë. Gjërat në vendet e tyre kanë qenë mjaftueshëm ekonomikisht që të jenë në gjendje të largohen dhe keq politikisht të marrin përsipër rrezikun e largimit. Por ata nuk mund të lëshohen në drejtim të veriut dhe perëndimit pa një farë infeksioni nga sëmundja politike që i ndjek. Siç e vërejti dhe Gibon, monoteistët e bindur paraqesin një kërcënim të madh për një perandori shekullare. Është e përshtatshme të themi që pjesa dërrmuese e myslimanëve në Europë nuk janë të dhunshëm, dhe kjo është padyshim e vërtetë. Por është gjithashtu e vërtetë që shumica e myslimanëve në Europë kanë pikëpamje që nuk pajtohen lehtësisht me parimet e demokracive liberale moderne. E kështu është e lehtë për një pakicë të dhunshme të rrëmbejë armët dhe të përgatitë sulm kundër qytetërimit nga brenda këtyre komuniteteve paqësorë. Unë nuk di shumë për shekullin e pestë që të jem në gjendje të citoj romakët që përshkruan çdo akt të ri barbarizmi si të pashoq, madje dhe kur kishte ndodhur dhe shumë herë të tjera më herët; ose që bënë thirrje për solidaritet pas rënies së Romës, edhe kur solidariteti do të thoshte rënie e përbashkët; ose që bënë kërcënime për hakmarrje të pashpirt, madje edhe kur gjithë ajo që donin të bënin ishte të mbanin një qëndrim melodramatik. Unë di që Europa e shekullit të 21 duhet të fajësojë vetëm veten e saj për telashet në të cilat ndodhet. Ngaqë askush tjetër në botë nuk ka harxhuar më shumë burime për studimin e historisë sesa Europa moderne. Kur unë studioja në Oksford më shumë se 30 vjet më parë, merrej e mirëqenë që në vitin e parë do të studionim Gibonin. Por kjo s’na solli gjë. Nuk mësuam ndonjë gjë me vlerë, ne mësuam shumë gjepura që tregonin se nacionalizmi ishte gjë e keqe, shtet kombëtare më keq, dhe perandoritë më të këqijat e të gjithave. “Romakët para rënies”, shkroi Ward-Perkins në librin e tij “Rënia e Romës”, “ishin të sigurt siç jemi ne sot që bota do të vazhdonte përgjithmonë pa ndryshime thelbësore. Ata e kishin gabim. Ne do të tregoheshin të zgjuar po të mos përsëritnim vetëkënaqësinë e tyre”. I gjori, i gjori Paris. I vrarë nga vetëkënaqësia.

 

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.