Këshilli i Pasigurisë Kombëtare
Mbledhja e figurave të shtetit në zyrën e Nishanit në të ashtuquajturin Këshill të Sigurisë Kombëtare ishte një tjetër shfaqje joserioze e parisë politike të këtij vendi që përcjell si të rëndësishëm çdo takim autosugjestionues para kamerave.
Tri ditë më pas hyrja e autostradës së zbukuruar me palma u përmbyt nga disa pika shiu, aksi Tiranë-Durrës u bë i lundrueshëm në disa segmente, ndërsa spitalet pezulluan operacionet dhe shtrimet e hallexhinjve nga mungesa e ujit të pijshëm. Kjo sepse ca pika shiu ndotën ujin e Bovillës, impjantit kryesor që furnizon kryeqytetin me ujë. Themi ca pika shiu sepse ishin reshje normale për stinën e fundit të vjeshtës.
Me pak fjalë institucione dhe objekte të sigurisë kombëtare siç janë ujësjellësi, spitalet dhe rrugët dolën jashtë përdorimit vetëm nga disa milimetra shi. Praktikisht siguria u dëshmua në nivelin zero dhe situata e krijuar faktoi se Shqipëria është akoma në etapën kur rrezikohet nga reshjet normale të shiut. Në këto kushte a mund të kemi garanci se Këshilli i Sigurisë Kombëtare me në krye presidentin Nishani dhe tryezën rreth tij do ta na mbrojnë nga kërcënime shumë më të sofistikuara siç është terrorizmi?
Por le ta quajmë avari atë që ndodhi me Bovillën, spitalet dhe kanalet kulluese të rrugëve kombëtare. Rekordet në çështjet e pasigurisë janë kokëforta. Të mos harrojmë se në këtë vend është vjedhur thesari i shtetit në tunelet e Krrabës dhe po ashtu një institucion si Banka e Shqipërisë në mes të ditës në kohën kur Shqipëria ishte anëtar i NATO-s. Edhe një nga një anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që vrapuan te Nishani vështirë se japin siguri për të ardhmen e shqiptarëve sa i takon çështjeve të ekonomisë, rendit apo mbrojtjes. Këtë e dëshmon edhe dëshira e madhe e shqiptarëve për t'u larguar jashtë vendit edhe 25 vjet pas rënies së sistemit.
Ndaj dhe mbledhja në zyrën e Nishanit nuk e bën dot serioz këtë shtet pavarësisht Këshillave që ka.
Add new comment