Shqiptarët po dorëzohen sepse janë viktima të betejave të qeverisë*

Postuar në 22 Nëntor, 2015 15:45

Qeveria po mbetet e vetme në betejat e saj për rritjen ekonomike dhe punësimin. Arritja e marrëveshjes me FMN për një mbështetje të re buxhetore, apo vlerësimi pozitiv i kompanive të vlerësimit, Moody’s dhe Standard & Poor’s, megjithëse e kënaqën pa masë qeverinë se arriti të marrë një Eurobond prej 450 milionë eurosh dhe interes, relativisht të mirë, nuk ngjallin shumë shpresë te popullata. Vetëm këto dy “armë” janë pak, dhe jo bindëse për të garantuar se betejat e nisura në stilin qeveritar do të jenë të fituara. Në mjedisin tonë, enkas, atë ekonomik, ka shumë pasiguri. Kjo pasiguri, të cilën po e vërejnë me shumë shqetësim edhe Banka e Shqipërisë, raport-progresi i Bashkimit Europian, Banka Botërore etj., ka sjellë hezitim të biznesit në investime dhe pritshmëri të konsumatorit, për të shpenzuar, në një kohë tjetër, më vonë dhe më të qetë. Për këto arsye, edhe ringritja ekonomike është më e ngadaltë se çfarë ishte parashikuar. Të jetë vetëm hezitimi, kjo është e keqja më e vogël e ekonomisë. Por kohët e fundit, biznesi dhe konsumatori, të cilët duhet të luftonin së bashku me qeverinë, po dorëzohet dhe një pjesë po “dezerton”, duke bjerrë bazën e cila duhet të shijonte “frytet” e fitoreve të hamendësuara.

Pjesa më e fortë e kësaj “ushtrie”, biznesi, po dobësohet pak nga pak. P.sh., në industrinë e fasonit, më të mbështeturën, nga pikëpamja ligjore dhe lehtësive, prej kohësh nuk ka rritje të punësimit në mos, në disa prej tyre, edhe shkurtime. Shumë biznese të tjera më të vogla janë mbyllur, sepse aksioni kundër informalitetit i goditi rëndë përmes ndëshkimeve, aq sa ringjallja është e vështirë dhe e gjatë. Bankat e tejngopura me depozita, tani nuk kanë çfarë t’i duan më, sepse nuk kanë ku t’i tregtojnë. Ka kohë që në sportelet e tyre nuk vijnë më kërkesa për investime serioze e shpresëdhënëse. Kredia e re për ekonominë ra ndjeshëm, duke e dorëzuar sistemin bankar në pozita pritjeje.

Për pasojë, vetëm në muajt shtator–tetor, biznesi ka shkurtuar vendet e punës dhe 73 mijë shqiptarë kanë mbetur pa të ardhura.

Edhe konsumatori, pjesa dërmuese e kësaj ushtrie, jo vetëm është dorëzuar dhe po dezerton nga këto beteja të qeverisë së tij. Aplikimi i Lotarisë Amerikane, nga 200 mijë shqiptarë, nuk është thjesht shifër rekord, është një përpjekje për ta braktisur masivisht, këtë lloj beteje për mirëqenien. 100 mijë shqiptarë të tjerë provuan të largohen që prej verës së këtij viti si azilantkërkues. Në kaq pak kohë, një kërkesë kaq e lart, është dorëzim pa kushte. Ushtria e 1 milion shuplakave tani është bjerrë nga ikja, dhe ata që po rrinë nuk kanë ndër mend të luftojnë, por thjesht të mbijetojnë.

Por, edhe qeveria duket e dobët në këtë betejë. Sepse dy herë ka rishikuar me ulje buxhetin, armën e saj të fortë për mbështetjen e ekonomisë, pasi muaj pas muaji po e provon se nuk po mbledh të ardhurat dhe se nuk di t’i përdorë ato. Buxheti është minus 7 miliardë të ardhura në raport e planin e rishikuar në ulje, ndërsa kryerja e investimeve kapitale është ende në nivelin e 70% të mundësive. “Gojët e liga” brenda kampit të majtë thonë se do të ketë edhe një rishikim tjetër me ulje, duke konfirmuar dështimin pa kushte.

Shqiptarët po dorëzohen, sepse po shikojnë që nuk janë ata përfituesit, por viktimat e këtyre betejave, kur provuan se nga mënyra e re e taksimit, barra kaloi te më të varfrit, se në aksion ndaj informalitetit, të parët që u goditën ishin më të dobëtit, se kur mblidheshin faturat e energjisë u burgosën të pamundurit. Ata u bënë viktima, edhe kur nuk përfituan nga shërbimet e premtuara, nuk i përftuan apo kur provojnë pabarazi në drejtësi dhe të mirat publike. Duhej të ishte ndryshe se qëllimi mendohej të ishte i njëjtë. Por ikja tregon se ne dhe qeveria nuk paskemi të njëjtat beteja për të fituar. Ndaj po ikim se kjo nuk është beteja jonë dhe nuk duam të jemi viktimat e saj.

 

"Monitor"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.