Ligji për pronat dhe Strasburgu

Postuar në 22 Nëntor, 2015 14:57
Maksim Begejea/Ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë

E drejta e pronësisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve jo vetëm që nuk ka gjetur zgjidhje të drejtë ligjore, por moskthimi i pronës pronarëve të shpronësuar, ka ushqyer korrupsionin politik dhe ekonomik. Marrëdhënia e pronarëve shqiptarë me shtetin e tyre është analizuar në dhjetëra vendime të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Nisur nga këto vendime, në mars të vitit 2014, zv.ministri i Drejtësisë deklaroi publikisht se shteti shqiptar shkel çdo ditë të drejtat e njeriut në drejtim të pronës dhe se shteti shqiptar është në prag të falimentimit prej këtyre shkeljeve, pra të drejtave që kanë fituar pronarët dhe që gjykohen në Gjykatën e Strasburgut.

Kjo është situata në të cilën gjendet Shqipëria dhe sipas rekomandimeve të Gjykatës së Strasburgut, duhej të hartohej një ligj që të eliminonte shkeljet e konstatuara, të respektonte dhe zgjidhte drejt çështjet e pronësisë sipas rekomandimeve që jepte kjo gjykatë. Projektligji i paraqitur në Kuvend, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, nuk bën asnjë përjashtim nga ligjet e deri më sotme. Në të kundërt, ai jo vetëm që nuk jep zgjidhje për pronarët, por e fundos përfundimisht zgjidhjen e problemit të pronës.

Projektligji shkel haptazi të drejtat e pronë- sisë, duke vendosur standarde të reja, pa asnjë logjikë e mbështetje në asnjë nen të Kushtetutës dhe Kartës Europiane të Lirive të Njeriut. Ai shkel çdo normë juridike, duke hedhur poshtë konceptet mbi të cilat janë miratuar të gjitha ligjet gjatë këtyre 25 vjetëve nga Kuvendi i Shqipërisë. Projektligji, që në emërtim dhe përmbajtje trajton vetëm kompensimin e pronës, duke shfuqizuar ligjin ekzistues për kthimin e pronës pronarëve legjitimë, i cili parashikonte kthimin fizik të pronës. E thënë thjesht, nga çasti i miratimit të këtij ligji, asnjë pronari nuk do t’i kthehet fizikisht prona e tij edhe kur ajo është e lirë.

Në projektligj përcaktohet që “Fondi i tokës” është fondi fizik i pronave me status juridik shtet. Pra çdo pronë quhet shtetërore pavarësisht nga origjina e saj. Kështu, shteti bëhet pronar i vetëm dhe të kompenson për aq dhe aty ku e gjykon ai, sipas interesave të tij dhe jo sipas të drejtës kushtetuese të sanksionuar në nenin 41 të saj. Projektligji i shtrin efektet e zbatimit të tij mbi ekzekutimin e të gjitha vendimeve për njohjen e së drejtës së kompensimit të dhëna nga organet administrative e gjyqësore, si dhe ato që janë në shqyrtim në të gjitha shkallët e Gjyqësorit, si dhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Kështu projektligji i paraqitur i jep fuqi prapavepruese këtij ligji. Në të theksohet se të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit nga ATP-ja. Pra gjithë vendimet e dhëna deri më sot nuk janë vendime përfundimtare, pasi mund të rishikohen nga një autoritet më i lartë administrativ. Kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës. Vlera e pronës, sipas këtij projektligji, për çdo kategori toke, do të jetë vetëm ajo sipas “hartës së vlerës” që përcaktohet me vendim qeverie, pa u bazuar në çmimin e tregut dhe transaksionet mbi tokën, por i hamendësuar vetëm duke u bazuar në interesat e qeverisë për të reduktuar në maksimum faturën financiare për kompensimin e pronarëve.

Kjo i ndalon edhe gjykatat që të mund të vendosin ndryshe, duke shmangur kështu kontrollin gjyqësor të vendimmarrjes administrative. Nga ana tjetër, kjo u mbyll rrugën pronarëve që t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Goditja më e madhe që u jepet pronarëve legjitimë është mënyra e kompensimit. Sipas projektligjit, toka për kompensim do të trajtohet me status ligjor që ka pasur në kohën e sekuestrimit, pra atë të vitit 1945. Pra tokat përreth qyteteve, të cilat janë shfrytëzuar prej dekadash si tokë truall, dhe janë përdorur për ndërtimin e banesave, parqeve, shkollave etj. do të vlerësohen me çmimet e tokës bujqë- sore.

Për të konkretizuar këtë, po marrim disa raste se si do të zbatohet ky ligj: 1. Kur një pronar ka në pronësi një tokë në Tiranë në rrugën “Komuna e Parisit” me sipërfaqe 10000 m2 , sipas ligjit dhe me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave në vitin 1995, i janë kthyer 1000 m2, ndërsa pjesa tjetër prej 9000 m2 do të kompensohet. Vlera e tokës që do t’i kompensohet, sipas ligjit të ri, do të llogaritet si tokë bujqësore (që ka qenë më 1945) me vlerën e tokës bujqësore të zonës më të afërt, pra Vaqarit, ku çmimi i tokës bujqësore është 260 lekë/m2. Pra për pronarin e gjithë toka vlen 2.600.000 lekë. Sipas shtetit, për tokën e kthyer pronarit prej 1000 m2 i janë kompensuar 57.500.000 lekë (mbasi çmimi sipas hartës së vlerës për tokën truall është 57.000 lekë/m2).

Në këtë rast, pronari quhet i kompensuar dhe duhet t’i kthejë shtetit lekët që ka marrë tepër. Pjesa tjetër e tokës, prej 9000 m2, mbetet në dispozicion të shtetit për ta përdorur për kompensim, për t’ua shitur subjekteve të tjera apo për t’u nxjerrë në ankand. 2. E njëjta situatë ndodh me zonat turistike, ku pronarët kanë pasur në pronësi kullota. Për pronarin do të merret çmimi i kullotës në malin më të afërt, dhe jo ai i tokës truall. 3. Po kështu në zgjatimin e Bulevardit të Tiranës, zbatimi i këtij ligji do të sjellë që një subjekti të shpronësuar, që i është njohur e drejta e pronësisë dhe pret kompensimin, toka do t’i vlerësohet si tokë bujqësore me çmimet e tokës në Babrru, pra 250 leke/m2.

Nëse brenda tokës së tij një qytetar tjetër ka ndërtuar pa leje dhe i është legalizuar dhe ndërtimi i bërë do të prishet për nevoja publike (po themi për zgjatimin e bulevardit) ai do të shpronësohet me çmimin 35.000 lekë për metër katror. Pra në të njëjtën tokë do të ketë dy vlerësime të ndryshme, ku i humbur del pronari i vërtetë i saj dhe i fituar ai që e ka pushtuar këtë tokë. Projektligji nuk shoqërohet nga asnjë faturë financiare, por vendos aforfe vetëm një fond kompensimi prej 50 miliard lekësh për 10 vjet, ose 500 milion USD, fond i cili nuk përfaqëson vlerën reale të pronës që nuk është kthyer apo kompensuar deri më sot.

Nëse u referohemi shifrave të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, janë rreth 10 mijë Ha truall që nuk u është kompensuar akoma pronarëve. Gjithashtu, sipas ALUIZNIit, janë rreth 10 mijë Ha tokë të zëna nga ndërtimet e paligjshme, të cilat duhet t’u kompensohen pronarëve. Duke i vlerësuar me çmimet me të cilat është bërë deri më sot kompensimi i tyre, rezulton se vetëm për këto nevojiten rreth 33 miliardë euro. Nëse kësaj shume do t’i shtonim kompensimin e tokës bujqësore, shifra do t’i kalonte 40 miliardë euro. Fondi i kompensimit financiar është ndarë për çdo vit, por vlerat më të vogla janë lënë në pesë vitet e para, duke e shtyrë detyrimin e qeverisë aktuale për qeveritë pasardhëse, pra duke pakësuar mundësinë e zbatimit të ligjit, pa asnjë pasojë ligjore për vetë qeverinë.

Projektligji i jep Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP)kompetenca që të bëjë tregti me pronat, duke organizuar ankande dhe duke shitur prona, sipas rregullave që do të hartojë e miratojë drejtori i Përgjithshëm i saj. Ky nen e detyron pronarin që ka vendim kompensimi, të marrë pjesë në ankandin e pronës së vet. Pra ai duhet të blejë pronën e tij të trashëguar, jo më me çmimet e hartës së vlerës, por më të lartë, në bazë të kërkesë-ofertës në ankand. Tokat që shteti ka dhënë apo në përdorim me qira për 99 vjet i kthehen pronarit, por me kusht që ai të respektojë kontratat.

Pra pronari nuk ka asnjë tagër mbi pronën e kthyer ligjërisht, deri kur të përfundojë kontrata me qiramarrësin, d.m.th., vetëm pas 25 apo 99 vjetësh. Pronat e zëna për nevoja publike janë përjashtuar nga e drejta e përfitimit nëpërmjet kompensimit fizik. Kështu, në qoftë se mbi një pronë është ndërtuar një rrugë, një spital apo një shkollë etj. etj., sipas këtij ligji nuk bëhet kompensim fizik. Sipas projektligjit, pronarët kanë afat vetëm 2 muaj për të aplikuar për njohjen e pronë- sisë, pa pasur të drejtë rivendosjen në afat nga gjykata. Kjo don të thotë se pas këtij afati, ata humbin përgjithmonë të drejtën e përfitimit të pronës së tyre, gjë që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe të gjitha dokumentet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.

Ky projektligj parashikon procedurën e kompensimit të veçantë financiar, ku subjekti me vullnet të lirë pranon të marrë një kompensim më të vogël në vlerë, por në një kohë më të shpejtë. Kështu, nëse subjekti pranon kompensim financiar brenda 1, 3 apo 5 viteve, ai përfiton respektivisht 20% ; 30% apo 40% të vlerës së kompensimit, duke u detyruar që të heqë dorë nga pjesa e mbetur e kompensimit. Ky është abuzim me gjendjen e varfër të pronarëve, të cilët nuk kanë marrë për 25 vjet pronat e tyre dhe nga frika se nuk do të marrin gjë, pranojnë pazare të tilla.

Ky projektligj nuk është konsultuar me grupet e interesit, pronarët e ligjshëm. Në veçanti ai nuk është konsultuar me asnjë strukturë apo ekspertizë të BE-së. Ai kërkon që të varrosë përfundimisht të drejtën e pronës. Çështja e pronës është një kusht për zgjidhje i vendosur nga BE-ja, bazuar mbi rekomandimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Pronarët legjitimë janë qytetarë të këtij vendi dhe gëzojnë të gjitha të drejtat që u garanton Kushtetuta. Prona e tyre nuk është pronë e politikës dhe e pushtetarëve. Ajo është e shenjtë dhe e paprekshme.

Pronarëve nuk mund t’u merret prona e trashëguar në emër të shumicës parlamentare apo të të ashtuquajturit interes publik. Kjo do të krijonte precedentë të rrezikshëm, ashtu siç ka ndodhur deri më sot që numërohen mbi 6 mijë të vrarë për çështje pronësie. Prandaj ky projektligj nuk duhet të miratohet nga Kuvendi, por t’i kthehet qeverisë, e cila të reflektojë për të mbrojtur interesat e pronar- ëve, duke zbatuar rekomandimet e dhëna nga Gjykata Europiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, të zbatojë nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të marrë në konsideratë vërejtjet e grupeve të interesit.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.