Fitoni dhe ngopuni, por të paktën mos u tallni!
Lajmet për korrupsion, për tendera të ndyrë që fitohen gjithnjë nga njerëz të lidhur me politikën, për vjedhje e mashtrime galopante, vlojnë gjithandej në Shqipërinë tonë. Në fakt nuk jane lajme te reja. Kështu u pasuruan ata qe iken, në të njëjtën rrugë po vijojnë edhe të rinjte. Ekziston nje shprehje nën zë mes militanteve të njerës prej partive në koalicion: 'Kap çfare të kapesh'. Dhe ate po bejne, me shpejtesi e në garë me njëri-tjetrin, kush e kush të ngopet sa më shumë, që ta tresë rehat kur të jetë në opozitë. Përballë qytetarët rrinë e i vështrojnë, pa mundur t'i ndalojnë.
Shqiptarët duket se u regjën me gjithë këto lajme korrupsioni. Jo se nuk ndjejne neveri, por e dinë që të gjithë aferat do shuhen, për sa kohë s'ka drejtësi, ku gjyqësori është kokë e këmbë i korruptuar për vete. Nuk shpresojnë as nga mediat, që sot nxjerrin nje skandal e nesër heshtin pasi kanë marrë shpërblimin për të heshtur, me tendera e përfitime të tjera. Duket se katër pushtetet janë bërë 'Një', e populli është i vetëm përballë tyre.
Vec kësaj shqiptarët u mësuan me raportet ndërkombëtare, që e rendisin Shqipërinë në fund të çdo liste, ose në krye për keq: Shqipëria, vendi me çmimet me te larta te karburantit, të ilaçeve, të biletave të avionit, të kostos së arsimit, etj etj, dhe ndër vendet e fundit në rajon, për cilesi jetese, paga të uleta, doing business etj etj... Ata që s'durojnë dot, kanë vendosur të ikin, të tjerët në heshtje shohin punën e tyre, përpiqen me mund e me djersë të mbijetojnë, duke e pranuar, se do të jetë shume e largët dita kur shteti vertet të mendojë për qytetarët e vet.
Tashmë dhe imazhi i parlamentit u vulos me nje figurë të spikatur kaubojsi, që për shumë qytetarë është simboli i shtresës më të ulët që përfaqëson drejtuesit tanë, ata që duhet të bejnë ligjet dhe politikën e këtij vendi. Gjithsesi, ai nuk është aty për faj të tij. Por dhe këtë e marrim me të qeshur. Fundja kush do reagojë? Ata që reagonin dikur fort, sot janë shpërndarë sot nëpër institucione. Per një rrogë të gjithë heshtin, shoqëria civile ka 'vdekur' në një farë mënyre. Opozitën s'e beson njeri, se bënte të njëjtat 'mrekullira' kur ishte në pushtet.
E kemi pranuar që në politikë hyhet për të fituar, e kemi pranuar se kush hipën ne pushtet harron premtimet që i ka bërë qoftë dhe bashkëfshatarëve të vet për t'i ndihmuar në hallet e tyre të përditshme. Të jesh në pushtet dhe të punosh vetëm për portofolin tënd, për pasurinë tënde, për vila, arsimimin e fëmijëve, apo biznese familjare, apo edhe për 'ekspozita për famë', është dukuri e njohur njerëzore në vendet në tranzicion, por të tallesh hapur me ata që të zgjodhën kjo është e pafalshme.
Shkurt miq, nga gjithë kjo zallamahi lajmesh, ajo që nuk përtyp dot, është një ndër vendimet e pakta që kjo qeveri merr për të varfrit pas shumë reformave shtrënguese të cilat iu deshën për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Qeveria vendos t'ju dhurojë dekodera me vendim të posacëm.
Ky është turpi i turpit. Kë quan të varfër qeveria? Ata që kanë shtëpi, kanë energji elektrike, kanë televizor, kanë punë dhe lekë dhe u mungon vetëm dekoderi?
A ka zbritur qeveria ndonjëherë në zonat e thella në Shqipëri, ku njerëzit jetojnë në kasolle? Vitin e shkuar në emisionin 'E diela shqiptare' në pjesën 'Power Kids', pikërisht pas Malit të Dajtit jetonte një familje, ku një vajzë bashkëmoshatare me fëmijet konkurentë, nuk kishte parë kurrë televizor me sy. Vetëm një mal e ndan shtëpine e kryeministrit nga ajo familje. Vetë prezantuesi (Ardit Gjebrea) i mallëngjyer nga kjo histori premtoi t'ia blinte personalisht një televizor vajzës së vogël. Nga ana tjetër shpesh emisionet si "Shqipëria tjetër" tregojnë njerëz mes shtëpive haur, ku shiu e uji hyjnë në të katër anët, tregojnë nxënës që ecin me orë të tëra, në rrugë pa rrugë, dhe mbërrijnë në shkolla pa dyer e xhama. Njerëz të sëmurë, të izoluar, të pastrehë, pa asnjë ndihmë. Kjo është Shqipëria e varfër zotërinj pushtetarë.
Fitoni, ngopuni, blini veshje firmato, e jaguarë, por mos u tallni. Kjo është e tepërt. Ata s'po ju kërkojnë asgjë, të paktën mos u tallni. Nëse keni dëshirë t'i dhuroni gjë, shkoni vini ca xhama në dritaret e shkollave, dërgoni ca soba, apo ca ngrohës, çojuni energjinë elektrike dhe përgjysmojani çmimin, hidhni ca gurë në rrugët e pakalueshme, ndërtoni ndonjë urë që të mos e kalojnë lumin në këmbë, bëni të mundur që të mos vdesin nga i ftohti dhe nga mungesa e ilaceve. Këta janë të varfrit dhe kaq duan. Nuk duan as punë, as bukë. Ata janë mësuar tashmë me dorën e munguar të shtetit. Edhe ata që e dinë se do përmbyten apo do izolohen nga bora gjatë dimrit, i kanë bërë gati ato thasë me miell, patate a fasule për t'i konsumuar. Nuk do presin t'i ndihmojë dikush nga qielli. Ata s'kanë ku t'i futin dekoderat tuaj, s'u shërbejnë as për t'u ulur, as për t'u ngrohur, pas për të ngrenë. Turp për ju që ende nuk e keni kuptuar realitetin ku jeton populli juaj. Turp për ata që vazhdojnë t'ju votojnë.
http://evakushova.blogspot.al/2015/10/fitoni-e-ngopuni-por-te-pakten-mos...
Add new comment