A mund të rihapen hetimet për serverin e tatimeve?
Sot “ABC NEWS” raporton për një kallëzim penal nga një biznesmen, aktivitetet e të cilët çojnë sërish te marrëdhëniet me CEZ. Venigjer Begaj, pronar i kompanisë “Certified Solutions Corporation ( CSC shpk)” pretendon se deputetë të LSI-së, aktualisht Nasip Naço, ministër i Drejtësisë, ka përgjegjësi direkte për shkatërrimin e biznesit të tij. Historia e përmbledhur është kështu: “Kompani ishte pajisur me liçencë nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë në vitin 2010 për kolaudimin e matësve të energjisë elektrike që i shpërndante CEZ-i në gjithë Shqipërinë. Drejtori I Metrologjisë në atë kohë ishte Gledion Rahovica aktualisht deputet I LSI-së në Berat, i cili i ka dhënë këtë autorizim me kushtin e përfshirjes në biznes me 49 % të aksioneve krushkun e Ministrit Nasip Naço, shtetasin Qirjako Kongoli. Begaj ka pranuar këtë kusht dhe më pas kësaj kompanie, ku ishte krushku i ministrit aksioner, në vitin 2012 i është dhënë një kontratë ekskluzive 3 vjeçare për kolaudimin e matësve të energjisë elektrike për të gjithë Shqipërinë. Një biznes që prodhonte milliona lekë në muaj. Pikërisht për shkak të këtyre milionave, sipas denoncuesit Begaj, në korrik të 2012 atij ju kërkuar që krushku I ministrit Naço, në atë kohë ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, të merrte 80 % të aksioneve. Duke qenë se Begaj kishte bërë të gjitha investimet në këtë kompani, nuk pranoi kushtin. Me urdhër nga lart kompania CEZ ndërpreu të gjitha pagesat e kolaudimit të sahatëve. Ndërkohë kishte detyrime të mëdha të pashlyera ndaj kompanisë. Duke qenë se kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme Begaj u detyrua të kërkonte nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shlyerjen e detyrimeve tatimore nga CEZ-i. Bëhej fjalë për mbi 250 milionë lekë të reja ose mbi 2.5 milion dollar amerikane detyrime ndaj kompanisë së Begajt”, raporton ABC NEWS përmbajtjen e kallëzimit.
Pjesa vijuese është parantezë e radhës për skandalin e serverit të tatimev, hetimi për të cilin u mbyll para disa ditësh. Për mbledhjen e detyrimeve të kompanisë në fjalë hyjnë në lojë Tatimet dhe këtu vënia në lëvizje e tyre përkon sipas ABC-së me fshirjen e të dhënave në server. “Drejtoria e Tatimeve nis lëvizjen për të mbledh detyrimet e saj. Koincidentc ose jo në gusht –shtator të 2013 në detabazën e bizneseve të mëdha në Drejtorinë e Tatimeve detyrimet e CEZ-it ndaj kompanisë së Venigjer Begajt rezultonin të fshira”, ecën raportimi që implikon këtu se një dorë e Spartak Brahos ka kryer fshirjen në servera. A mund të jetë e vërtetë kjo? Përgjigjen për këtë prokuroria e ka dhënë, kur mbylli hetimin për fshirjen e të dhënave në serverin e tatimeve dhe me këtë kallëzim do të duhet që të rimarrë në konsideratë sërish çështjen. Sipas prokurorisë nuk është fshirë asnjë e dhënë nga serveri, ndaj pretendimi i Begajt ngre pikëpyetje.
Serveri dhe mjegulla e auditit të drejtuar nga Panajot Gjiknuri
Me mbylljen e hetimeve për serverin e tatimeve, i firmosur që në qershor, por publikuar një ditë pas marrëveshjes së Bllokut, nuk munguan reagimet. Kështu i akuzuari kryesor, Renald Rista, ish-drejtues i IT-së në Drejtorinë e Tatime, ka deklaruar katër ditë më parë për Neës24, se personat që kryen auditin në datat 14, 15 dhe 16 nëntor, pra Panajot Gjiknuri dhe Ermal Beqiri, kanë marrë kopjuar të dhënat në server dhe madje i kanë ndryshuar ato(http://www.panorama.com.al/serveri-i-tatimeve-flet-ish-kreu-i-it-auditi-i-mori-me-vete-te-dhenat/). Pra edhe Rista nuk flet për fshirje, por për ndryshim dhe kopjim. Ndërkohë Rista pretendon se kallëzimi ndaj tij ishte i padrejtë. Por këtu çështja është se pretendimi i tij, edhe nga një premisë profesionale, për ndryshim të dhënash, duhet provuar teknikisht. Këtu lindin disa pyetje edhe për prokurorinë, e cila është në dijeni se nga Kuvendi është ngritur zëri se DPT-ja nuk ka vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara.
P.sh, çfarë përmban raporti i auditit i hartuar nga Panajot Gjiknuri, vëlla i ministrit të Energejtikës? Çfarë kanë konstatuar dy audituesit që mandej është nisur hetimi? Dy të akuzuarit e tjerë Elton Robi dhe Edmond Parllaku, punonjës të IKUB, kanë pretenduar se janë thirrur nga Riska, në cilësinë e drejtorit të IT-së në bazë të një marrëveshjeje që ka DPT-ja me IKUB. Por përderisa fshirje sipas prokurorisë nuk ka, si është e mundur që një biznesmen ngre kallëzim direkt për një gjë të tillë? Është e qartë se çelësi qëndron tek auditi i kryer, të dhënat e të cilit nuk iu vunë në dispozicion as deputetëve. Çfarë fsheh ky moment për çështjen e skandalit të serverave të tatimeve?
Add new comment