Kufiri Lindje – Perëndim po hiqet sërish në Ballkan
Protesta në Mal të Zi po vështrohen përherë e më shumë si një përplasje gjeopolitike mes dy rrymave që sundojnë shoqërinë e fqinjit tonë verior. Në një shkrim të Deutsche Welles nënvizohet pikërisht ky element që e vendos aspektin social dhe ekonomik të tyre në plan të dytë. “Një sërë aferash, arrogancë dhe “një hajdutëri e shëmtuar” e kanë dobësuar qeverinë mendon shkrimtari i njohur malazez Andrej Nikolaidis. Por protestat aktuale ai i sheh, ashtu si Djukanoviçi, si një përpjekje për të dështuar anëtarësimin. “Anëtarësimi në NATO do të thoshte dalje nga influenca serbe dhe ruse. Kjo nënkupton një kthesë radikale civilizuese, politike dhe kulturore”, shkruan Nikolaidis në një opinion tij për një portal online”, raporton DW(http://www.dw.com/sq/dilema-e-malit-të-zi-nato-apo-rusi-lindje-apo-perëndim/a-18803313). Mirëpo ka të tjerë që e shohin ndryshe. P.sh opinionisti Blagoje Grahovac, një ish-gjeneral mendon se është Djukanoviç ai që ka ndarë Malin e Zi më dysh, në dy ekstreme duke vënë gishtin mbi një plagë që prek të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dakord me vokacionin perëndimor, por si i bëhet që në politikë këtë e përfaqësojnë politikanë kryekëput të korruptuar? Paradoksi është se ndërsa Perëndimi kërkon standarde, miraton politikanë të tillë. Njësoj në Bosnje, njësoj në Mal të Zi, njësoj në Shqipëri e Kosovë. Dhe në këto dy të fundit kriza është fondamentale, pasi askush këtu nuk mund të flasë për rryma antiperëndimore. Një klikë hajdutësh që ciklojnë njëri-tjetrin po vrasin të ardhmen e një vendi të tërë që në ndryshim nga malazezët nuk ka moralin dhe vullnetin të ngrihet.
Add new comment