Zbardhet dosja për serverin e tatimeve: Të dhënat u klonuan nga audituesit
Zbardhet vendimi i Prokurorisë për çështjen e Serverit të Tatimeve, raporton “News 24”. Prokurorët Julian Zonja dhe Antoneta Sevdarasi në materialin prej 15 faqesh kanë parashtruar të gjitha argumentet se përse kjo çështje duhet pushuar dhe përse nuk ka vepër penale për të dy kallëzimet e bëra si nga ana e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve Briseida Shehaj ashtu dhe nga ish-drejtori i IT i këtij institucioni Renald Rista. “News 24” ka arritur të sigurojë vendimin e plotë të Prokurorisë së Tiranës e cila ka vendosur në muajin qershor pushimin e çështjes. Sipas prokurorisë, rezulton se nga serveri i tatimeve nuk është fshirë asnjë e dhënë përgjatë vitit 2013 dhe akuza e ngritur nga Drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj ndaj ish-drejtorit të IT të tatimeve, Renald Rista dhe përfaqësuesit të kompanisë Ikubi info Elton Ropit, nuk qëndron. Ky është një prej konkluzioneve përfundimtare të dy prokurorëve të prokurorisë së Tiranës të cilët për 20 muaj hetuan për anomalinë e shfaqur në server gjatë nëntorit 2013.
Serverit i janë kryer dy akt ekspertime kompjuterike: Në të parin Drejtoria e Policisë Shkencore nuk kishte kapacitete teknike dhe logjistike për ngritjen e serverit në gjendje pune dhe nuk njihen politikat e menaxhimit të serverit për të përcaktuar nëse ka fshirje apo jo;
Ekspertimi i dytë i kryer me ekspert privat i datës 24.04.2015 evidenton se nga analiza e fileve nuk konstatohet asnjë e dhënë për fshirjen e deklarimeve, pasi të dhënat ekzistojnë si në skedarët e të dhënave ashtu dhe në skedarin e depozitimit. Gjithashtu vihet re një aktivitet shumë i madh i proceseve që tërheqin dhe transformojnë dhe pastrojnë të dhënat si dhe aktivitetet automatike.
Nga ana tjetër lidhur me akuzën e ngritur nga Renald Rista se grupi i Auditit ka konsultuar, kopjuar apo fshirë të dhënat shtetërore që ruheshin në serverin e tatimeve, Prokuroria shprehet se është e vërtetuar se grupi i auditit i kryesuar nga Panajot Gjiknuri dhe Ermal Beqiri ka kryer kopjimin e të dhënave në server, provuar nga deklarimet e specialistëve por dhe nga akti i ekspertimit ku u provua lidhja e një pajisje kopjuese të hard disqeve. Sipas prokurorëve, kopjimi dhe klonimi i të dhënave është i justifikuar në funksion të auditimit, në bazë të detyrës së caktuar me Urdhrin e Ministrit të financave nr. 68 në 12 nëntor të vitit 2013 dhe planit të auditimit nr 17208 i të njëjtës datë.
Add new comment