Qeveria merr masa për sigurinë e “personaliteteve”. Do të blihen 29 “Jaguar” të rinj
Tender i ri nga qeveria. Dhe do të jetë për pajisjen me makina të reja për drejtuesit e qeverisë. Tenderi do të zhvillohet në mënyrë sekrete, jo përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike, pasi kështu thuhet se ruhet sekreti, meqenëse bëhet fjalë për sigurinë e personaliteteve. “Vizion Plus” raporton se bëhet fjalë për 29 makina, tenderin e të cilave do ta zhvillojë Garda e Republikës. Interesante është se nuk është përcaktuar fondi limit, por bëhet e ditur se tipi i makinës do të jetë “Jaguar”. “Pjesa më e madhe e makinave që do të blihen janë të tipit “jaguar” me fuqi motorike të mëdha, ndërkohë që specifikimet janë nga më absurdet. Në dosjen e siguruar nga “Vizion Plus”, ku jepen detajet e mjeteve që do merren, renditen opsionet e makinës, që nga numri i cilindrave, xhamat e errësuar e deri te timoni multifunksional me 3 krahë dhe aplikacione alumini apo airbagë te dritaret dhe sinjalizues për presionin e gomave. Vlera e këtij lloji automjeti, në faqen zyrtare të kompanisë që i prodhon, pa llogaritur opsionet ekstra nis nga 95 mijë dollarë”, raporton VP. Më tej edhe bukuria e kësaj pune: “Garda e Republikës u shpreh se nuk mund të nxirrte dot fondin që i duhet ministrive për të paguar makinat, sepse informacioni është i klasifikuar, por burimet në këto dikastere thonë se pagesa do të bëhet përgjatë 4 viteve, duke qenë se nuk mund të sigurojnë menjëherë të gjithë shumën brenda një viti. Garda thotë se procedura është sekrete për shkak të sigurisë të personaliteteve të larta, por në fakt e shkuara jep fakte të tjera. Shumë automjete në vitet e mëparshme edhe pse kanë qenë për funksionarët e lartë janë marrë me tender të hapur”, vijon VP. Mund të na lejohet të bëjmë një pyetje meqenëse po shpenzohen para publike: Kush janë personalitetet në këtë shtet dhe kush ka kohë të merret me këta saqë të paguajmë për sigurinë e tyre?
Add new comment