Partia me siglën FSHF

Postuar në 20 Tetor, 2015 12:09

Ajo çfarë ndodhi pas ndeshjes kualifikuese në Europian të kombëtares shqiptare të futbollit, provon më së miri se Federata Shqiptare funksionon as më shumë e as më pak si partitë politike. Kuptohet me kryetar të përjetshëm dhe historik, Armand Dukën. Pas ndeshjes, disa media shkruan se merita e kualifikimit i takon më së shumti trajnerit De Biasi, i cili u prit mirë edhe nga tifozët, por edhe nga qeveria, kreu i së cilës nuk dihet nëse rastësisht ose jo, përmendi në fjalën e tij edhe Platininë. E kundërta me Armand Dukën, i cili fishkëllye hapur. Kualifikimi është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe këtu nis edhe lufta e meritave, të cilat kalibrojnë edhe karrierat. Pra lavdërimi i De Biasit nuk u prit mirë. Së pari doli në skenë Alban Bushi, menaxher i ekipit kombëtar që tha troç dhe hapur se merita kryesore për kualifikimin i takon Armand Dukës. Pa mohuar kontributet e të tjerëve Bushi emfatizoi: “Na bëri krenar që jemi shqiptarë”. Sot, i njëjti njeri flet pak më ndryshe. Mund të kalonte pa u përfillur ky ndryshim po qe se do merrnim për bazë konsistencën logjike, por në fakt këto qëndrime pasqyrojnë koniunkturë. Thotë Bushi në “Procesi Sportiv”: “Unë kam bërë një deklaratë ku kam thënë që falënderoj tifozët dhe kreun e FSHF-së, por nuk kam falënderuar stafin teknik, pasi unë bëj pjesë te stafi dhe nuk më është dukur e udhës ta bëj një gjë të tillë. Tani është marrë kjo pjesë e deklaratës dhe është krijuar një zhurmë e madhe. Dua t’ju kujtoj që në fund të sezonit të kaluar, kur të gjithë ishin kundër rinovimit me De Biasi-n, ne i kemi dhënë edhe një mundësi. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre që ekipi Kombëtar të kualifikohet, prandaj ky debat është i stisur. Nuk ka përçarje në Kombëtare, përkundrazi jemi të bashkuar”. Le të kujtojmë këtu për zotërinë që e ka merak aureolën e presidentit të FSHF-së se ishte ky i fundit, pra Armand Duka, që pak ditë më parë solli një shembull domethënës: sipas tij, as Sportingu nuk e mbajti dot Ronaldon. Pra, edhe Shqipëria me një trajner si De Biasi rrezikon të mos jetë në gjendje ta financojë më. Një tjetër zyrtar i FSHF-së doli e tha dje se “De Biasi ishte pa identitet. Dhe atë ja dhamë ne”.

Ka patur pra një përballje të hapur që ka si sponsorizues kryesor një njeri: Armand Dukën. Arsyet mund të jenë disa dhe mund të hamendësohen. Por fakt është se arsyeja financiare që është nxjerrë përpara nuk qëndron edhe aq. Pasi nëse De Biasi do të kërkonte një shifër të papërballueshme, kjo e ka justifikimin brenda: Falemnderit shumë, por nuk kam mundësi. Ndaj ndoshta arsyet qëndrojnë gjetkë. U tha që në fillim që De Biasi kërkoi të punonte me rregullat e veta dhe është pranuar se ai ka vënë disiplinë në ekip. Një ekip që ndonëse ka patur president FSHF-je të njëjtin person, nuk ka arritur të kualifikohet. Madje ka humbur edhe me turp si p.sh ndeshja me Rumaninë. Askush nuk është ngritur të thotë se fajin e ka presidenti. Jo. Është penalizuar trajneri i radhës që ka iku. Pse sot kjo zhurmë? Nëse do të rikthehemi te ideja se FSHF-ja me këtë lojë presioni që aplikoi kësaj radhe i ngjan partive politike mund të kuptohet diçka. De Biasi e zhbën aureolën e një federate që ka probleme serioze, që drejtohet prej kohësh nga një dorë e që sot po kërkon të pronësojë një fitore që as i takon hiç. Ajo u takon lojtarëve dhe trajnerit. Por edhe tifozëve. Lojtarë që në një masë të madhe nuk luajnë në Shqipëri, kështu që nuk i detyrohen kushteve të mrekullueshme që ka krijuar federata. Trajneri po ashtu ka realizuar rritje dhe ky është fakt. Fakt që i jep kredite, por nuk e bën të imunizuar nga përgjegjësitë. Sa për tifozët ata janë barometri i klimës dhe fishkëllimat e tyre i kanë dëgjuar të gjithë. E me gjasë edhe kanë prishur rehatinë e gjatë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.