Dixhitalizohet fototeka "Marubi"
Emri i Bernardina Marubit, shfaqet sërish këtë herë jo si vajza që qëndisi flamurin me një shqiponjë dykrenore me dy flatra më 1913-n (flamur që gjendet sot tek arbëreshët e Italisë), por bri fotove bardhezi që për vite me radhë kanë qenë diku në një kënd të fototekës së madhe të Marubëve. Vajza e Kel Marubit, u rrit duke ndjekur lojën e aparatit fotografik të të atit, duke parë sesi në studion e vogël, merrnin jetë negativa filmash. Ashtu me ndrojtjen e një fëmije, ajo nisi të bënte fotot e para, pa e ditur se ato shkrepje do të shënjonin një periudhë të rëndësishme për fotografinë shqiptare. Sot emri i Bernardinës, renditet bri emrave të njohur të dinastisë Marubi, si të atit Kel, Gegë Marubi, Mati Marubi, Pietro Marubi dhe Shan Pici. E veshur me një fustan me vija, ku në bel ka lidhur një përparëse të bardhë, Luke Ndocja pozon me duart e mbështetur në një karrige përpara Bernardinës. Është 4 maj 1922 dhe me syrin e një artisteje që i pëlqen detajet, Bernardina ka vendosur një lule në fustanin e saj. Zenel Tepelena, Alo Çami, Prengë Jaku, Rakib Gjylbegu, kanë pozuar me kostumet e tyre më të mira përpara Bernardinës. Të gjithë këta personazhe u shihet një detaj në foto. Këto foto nuk tregojnë thjesht vajzën e Kelës, por një fotografe profesioniste që ashtu si i ati, e ka përsosur artin e saj. Prej disa ditësh, fotot e realizuara nga Bernardina dhe anëtarë të tjerë të dinastisë Marubi, mund t’i shohim në muzeun virtual që tashmë është gati për të mirëpritur shikuesit. Rreth 100 000 fotografi të dixhitalizuara (45 000 prej tyre janë hedhur në muze) të ftojnë të udhëtosh në kohë, për të parë personazhe dhe imazhe që të japin një pasqyrë tjetër të kulturës dhe historisë të së shkuarës sonë, të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Nëse do të shohësh Shkodrën e pas viteve ’20 mund ta gjesh në këtë muze. Çdo shkodran i asaj periudhe ka bërë një foto për Marubët. Udhëtimi në këtë muze është plot emocion. Gruaja e Mihail Liçkovës, vjen e heshtur në një foto të realizuar nga Kel Marubi. E veshur me rroba të bardha ajo ka në flokë një kapele tepër elegante për kohën. Interesante janë fotot familjare. Burrat e veshur me kostumin e zi dhe gratë të veshura me fustanet e gjata tradicionale. Nuk mungon në fotot e Kel Marubit dhe mbretëresha Geraldinë. Ajo shfaqet e lumtur në ditën e saj të martesës me një tufë lule në duar. Interesante janë fotot e fëmijëve realizuar nga Pietro Marubi. Roza, vajza e Pjetër Daragjatit, është veshur si nuse në një foto të realizuar prej mjeshtrit. Rrok Gjanej, pozon si të ishte një burrë i madh. Të ulur bri një tryeze të veshur me kostume të zeza, dhe këmisha të bardha, miqtë si Kel Marubi, Sulë Bejlegu dhe Sulë Mërlika, ia kanë besuar foton Shan Picit. Gegë Marubi ka një stil të tijin në foto. Pjesa më e madhe e fotove të hedhura në muze prej tij kanë personazhe burra. Të veshur me pardesy të mëdha, ata kanë ngulur vështrimin në aparatin e Gegës. Në studion e mjeshtrit ka pozuar dhe Kol Guraziu me të shoqen e veshur me fustanin e gjatë të bardhë në ditën e tyre të martesës. Nuk mungojnë në foto dhe të huajt që në atë periudhë jetonin në qytetin e Shkodrës, të veshur me veshjet popullore shqiptare. Plaino Orazio është një prej tyre. Janë të pafundme personazhet që mund të gjejmë në këtë muze virtual, që i ngjan një udhëtimi që nuk mbaron në të shkuarën. Një muze i cili mban brenda një nga pjesët më të rëndësishme të identitetit tonë kulturor, i cili vjen si një nga pasuritë e çmuara që për më shumë se gjysmëshekulli u lanë në harresë.
Bernardina Marubi – Vajza e Kel Marubit është një ndër autoret që mund ta gjeni në këtë muze. Ajo mund të konsiderohet dhe si femra e parë fotografe në historinë e fotografisë shqiptare. Galeria e fotove të realizuara prej saj është e pafundme. Kryesisht e tërhequr nga imazhet femërore, ajo ka fokusuar gratë e Shkodrës së pas viteve 1920.
Gegë Marubi – Djali i Kel Marubit. Ashtu si e motra Bernardina dhe ai ndoqi pasionin e të atit. Fotot e tij përbëjnë një pjesë të koleksionit të këtij muzeu.
Mati Kodheli – Ai shkonte shpesh me të atin në studion e Pietro Marubit. I tërhequr nga fotografitë ai kërkon me ngulm të mësojë të fotografojë. Kështu nis të punojë pranë mjeshtrit. Pas specializimit në Trieste ai kthehet të punojë në Shkodër ku zë miqësi dhe me Kol Idromenon. I riu nuk pati fatin të jetonte gjatë, por ka lënë pas gjurmë që do të mbeten në historinë e fotografisë sonë.
Shan Pici – Me aparatin e tij fotografik, Pici, me një krijimtari gjysmë shekullore (1924- 1976) ka lënë në arkivin e tij rreth 80 000 pllaka filmi dhe negativë të madhësive të ndryshme.
"Shqip"
Comments
Prenge Jaku
Ndonji foto nga Bernardina Marubi a mundet te shoh
Add new comment