Andrea Stefani "prezanton" Dimitrije Tucović nr.2
Andrea Stefani shkruan sot në gazetën “Dita” një shënim me titull: “Heroi im nuk është Morina, por studenti serb Vojkan Udovičić”. Shkrimi i Stefanit i kundërvihet prirjes së përgjithshme, e me investim nga një set i tërë mediatik si Top-Channel, për glorifikimin e Ismail Morinës. Së fundmi për këtë kërkohet edhe nga politika që të lirohet. Mirëpo, është njëra gjë të kritikosh qëndrimet dhe problemet tona me nacionalizmin dhe urrejtjen, e tjetër të kalosh në të kundërtën duke shpallur për modele shembuj periferikë dhe të inskenuar nga politika. “Ata studentë serbë që erdhën në Tiranë dhe u deklaruan për paqe e fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve, janë ku e ku më europianë se Ismail Morina që me ngritjen e dronit në stadiumin e Beogradit, nuk bëri gjë tjetër veçse e ushqeu edhe më shumë marrëzinë e turmave nacionaliste që, padyshim, janë prezente akoma në të dy vendet...Është shumë më europian studenti serb, Vojkan Udoviçiç, që pas vizitës në Tiranë, duke u ngritur mbi mllefin këmbëngulës të disa mediave në atdheun e tij për të ngjallur paragjykime dhe antipati për shqiptarët, duke u ngritur mbi nacionalizmin dhe armiqësitë e kalçifikuara ndër shekuj, deklaroi se, ndryshe nga ç’propagandohet rëndom në Beograd, ai kish parë me sytë e tij se shqiptarët janë njerëz shumë të mirë, të besës, mikpritës dhe tolerantë “të ngrohtë si klima e Shqipërisë”. Një mesazh fisnik që kërkon të vadisë atë që është natyrore, miqësinë mes kombeve”, shkruan Stefani. Nuk është se mendimet e këtij të fundit kanë ndonjë vlerë kush e di se çfarë, pasi me dashuritë me shikim të parë me Perëndimin kemi 25 vjet që u mësuam. Por si një njeri të cilit i konsiderohet fjala akoma, do thënë se askund nuk dëgjuam që dikush të ngrihej në Serbi e të kontestonte deklaratat e Presidentit Tomislav Nikoliç, që u shpreh me përbuzje për një komb të tërë: shqiptarët. Nëse do marrim për shembull studentin serb, pas të cilit ka lënë mendjen Andrea Stefani, atëherë nuk ka pse të mos sjellim si shembull, edhe më domethënës deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Edhe ky i fundit foli për paqe, e demokraci. Madje për Stefanin kjo do ishte shumë konveniente.
E keqja e shënimeve të tilla qëndron në faktin se pranohet si shans për miqësim, një raportim gati ekzotik i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga fqinj që përçojnë sëmundje kolosale me ndërgjegjen e tyre. Madje pse studenti serb përgënjeshtron bashkëombasit e vet, na i provon këto sëmundje.
Njësoj si pyetja reflektike e çdo gazetari për një të huaj: “Ç’mendim ke për Shqipërinë”, edhe kjo duatrokitje për disa përshtypje të një studenti serb na shërbehet si dëshmi e qytetërimit shqiptar. Si një lloj broshure europianizuese të cilën të çmendurit pas Ballist Morinës duhet ta kenë parasysh. Sjellja e përgjithshme me Ismail Morinën është krejt e pavend dhe emocionale, por paraqitja e Shqipërisë nga studenti serb, ofron gjithsesi një shans për të kuptuar se sëmundja nacionaliste është më konsistente dhe më e thellë në vendin e tij. Teksa flet për Ne, ai zbulon kriteret e vendit të tij në gjykim ndaj fqinjit. Si politika, edhe zoti Andrea Stefani kërkon të na mësojë me nevojën për miqësi me serbët: një gjë kjo e tepërt. Nuk ka patur e nuk ka nevojë për miqësi, as edhe si “opsion natyror”, por për normalizim marrëdhëniesh. Sepse nëse historia nuk duhet instrumentalizuar, ajo edhe nuk ka sesi të harrohet. Shqiptarët dëgjuan për 50 vjet vetëm një shembull të “serbit të mirë”: Dimitrije Tucović. Por ai ishte e mbeti përjashtimi që sanksiononte rregullin. Kushdo mund të ketë miq në Serbi, nuk është kjo ndonjë arritje në jetë. Mund të gjejë edhe heronj të vetët aty, por kjo nuk ka ndonjë vlerë për të kuruar marrëdhënien serbo-shqiptare, e cila qëndron më pranë së vërtetës, jo bazuar tek miqësia që nuk ekziston, por tek realizmi. Edhe Europa që sillet si model, shihet se funksionon jo përmes dashurisë dhe venerimit reciprok, por përmes një vetëdijeje për të përbashkëtën. Mëritë dhe cinizmi është po aty, por kjo nuk i bën më pak të civilizuar se tiranasit.
http://www.gazetadita.al/shenim-heroi-im-nuk-eshte-morina-por-studenti-s...
Add new comment