Largimi i romëve nga Liqeni, reagon “Amnesty International”
“Amnesty International” ka nisur një letër në adresë të Avokatit të Popullit, Igli Tototzani, ku shpreh shqetësimin dhe dënon dhunën e ushtruar ndaj komunitetit rom. Fjala është për lëvizjen e një komuniteti nga zona e Liqenit Artificial, pas një incidenti që ndodhi me një shtetas gjerman. “Amnesty International i kërkon Ministrit të Zhvillimit Urban dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ndalojnë dëbimin me forcë të 44 familjeve rome dhe egjiptiane (200 individë) nga autoritetet e Bashkisë Tiranë, dhe të garantojnë se në qoftë se një zhvendosje është e domosdoshme, të kryhet në mënyrë të ligjshme, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Organizata u kërkon autoriteteve t’u sigurojnë këtyre familjeve një zgjidhje të qëndrueshme strehimi, siç është propozuar nga Avokati i Popullit. Nga kërkimet e Amnesty International rezulton se shumë prej tyre kanë qenë zhvendosur në mënyrë të përsëritur me forcë nga viti 2011 pa pasur kurrë mundësinë e një strehimi alternativ të përshtatshëm. Kjo është e papranueshme dhe ekspozon familjet egjiptiane dhe rome ndaj shkeljeve të përsëritura dhe të shumta të drejtave të njeriut. Personat në rrezik dëbimi duhet të konsultohen plotësisht dhe njoftohen për arsyet e dëbimit të tyre”, thuhet në letër. Kërkesa mbështetet në detyrimet e Shqipërisë nga angazhimi i saj në konventat ndërkombëtare. “Për më tepër, atyre duhet tu sigurohet strehim i përshtatshëm alternativ. Si shtet palë në Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe të drejtave kulturore, Shqipëria është e detyruar të respektojë, mbrojtur dhe përmbushur të drejtën për strehim të përshtatshëm”, vijon letra. Organizata i quan të papërshtatshme edhe sugjerimet e Bashkisë së Tiranës, për shkak seato nuk përkojnë me statusin ekonomik të familjeve rome në fjalë. Familjet e prekura përfshijnë disa prej atyre që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në afërsi të stacionit hekurudhor të Tiranës pas zjarrvënieve në vitin 2011.
Add new comment