PUSHKINI: Don Zhuani i letrave ruse
Agron Tufa në një rrëfim për poetin e gjithëkohshëm
Unë ju kam dashur: ndoshta dashuria,
Në shpirtin tim krejt jo nuk u fik.
Por le të mos ju brejë ju mërzia,
T’ju trishtoj nuk dua asnjë çikë.
Unë ju kam dashur heshtur, shpresëhumbur,
Herë me drojë, herë me xhelozi.
Unë ju kam dashur çiltër, e aq bukur
Sa, kaq o Zot, ju dashtë tjetër njeri.
Pushkini i pangatërrueshëm! I madh, i gjithëkohshëm! Vargjet e mësipërme janë përkthyer (ende jo botuar në ndonjë përmbledhje) nga Agron Tufa. Asnjë ngurrim, asnjë mëdyshje për t’i përkthyer a ripërkthyer, edhe pse Pushkini ka ardhur e riardhur në shqip nga koha në kohë, nga duar të ndryshme përkthyesish në zë. Asnjë ngurrim, më pas, për t’u lexuar, edhe pse duket sikur bashkëkohësia kërkon gjëra të kësaj kohe. Shija, gjithaq e epërme si dikur, si sot, si gjithherë!
Ta lexosh, por edhe të flasësh për Pushkinin, ia vlen gjithnjë. Është kaq interesant, joshësh. E gjithaq në të njëjtën lartësi rrëfimi për të i shkrimtarit shqiptar, përkthyes gjithashtu i shumë veprave pushkiniane, Agron Tufës …
Arta MARKU: Sa më sipër është varianti i përkthyer prej jush, i një prej poezive më të famshme të Pushkinit të njohura masivisht në Shqipëri. Sigurisht ka jo pak të tjera sikurse “Shalli i Zi” apo “Ju dhe Ti” … por zgjodha pikërisht këtë poezi për ta filluar bisedën për një arsye konkrete: variant gegë i përkthimit të kësaj poezie sërish nga ju:
(në variantin gegë)
Un ju kam dashtë: dashnia ka gjasë
Në shpirtin tem krejt jo nuk â shqimë:
Por mâ ajo le t’mos iu gërgasë;
M’iu ngrysë nuk due asnji grimë;
Un ju kam dashtë, pa bzâ, pa uzdajë,
Herë djegagur e herë me drojë:
Un ju kam dashtë çiltas, i pafaj,
Sa bane Zot, nji tjetër kaq t’ju dojë.
Dy variante pra të së njëjtës poezi, e cila është përkthyer ndërkaq në sa e sa variante të tjera nga të tjerë përkthyes. Tingëllimi muzikor, i jashtëzakonshëm! Gjithnjë në të njëjtën lartësi! Është po kaq e bukur në të gjitha variantet, sigurisht të përkthyera nga duar profesionistësh.
Ku qëndron kyçi i suksesit, ku qëndron vlera e poezisë së Pushkinit, që tingëllon ende kaq bukur, pas 200 vjetësh sërish muzikë aspak e vjetruar?
Ky është misteri i një poeti që u bë, si të thuash, shprehësi i gjithë materies shpirtërore ruse. Ai u bë instanca më e lartë e shprehjes së gjuhës ruse, sepse gjuha letrare ruse është gjuha letrare e Pushkinit. Vetë poetët rusë dhe njerëzit e thjeshtë e perceptojnë Pushkinin, ligjërimin e Pushkinit veçanërisht në poezi, si ligjërim i Zotit. Ata thonë që kumbon, drithëron … në mënyrë kaq të kulluar. Nuk mund të kumbojë më mirë se kaq rusishtja. Për përkthyesin mbetet sfidë shumë e madhe, e vazhdueshme. Dihet se sa i vështirë është përkthimi i poezisë, vështirësia për të dhënë atë kompleksitet tingujsh dhe asosacionesh që shkaktojnë në gjuhën origjinale, te lexuesi origjinal.
Është edhe rima që e vështirëson gjithashtu procesin e përkthimit …
Nuk është problemi i rimës. Është problemi se me sa imazhe përkon përkthimi krahasuar me fuqinë asociative të origjinalit … dhe është jashtëzakonisht delikate poezia e Pushkinit. Droja që përcjell një dashuri e pashprehur, ajo drithërimë e shenjtë, është vështirë të artikulohet, të kapërcehet barriera se në radhë të parë çdo i dashuruar është i pasigurt. Është dakord që më mirë ta mbajë të pashprehur mrekullinë sesa ajo të thyhet nga veshja materiale e fjalëve. Unë besoj se këtë Pushkini e ka vizatuar me tërë brishtësinë e vet dhe mund të themi që, është margaritar i simbolikës lirike.
Pse thoni: gjuha letrare ruse është gjuha letrare e Pushkinit?
Sepse Pushkini lëvroi lirikën ruse dhe i dha një status gjithëpopullor. Rusia e Pushkinit ka qenë Rusia e salloneve ku më shumë flitej frëngjisht sesa rusisht. E kemi parë edhe te letra e Tatianës: Ajo rusishten mire s’e dinte. Dhe pikërisht me ligjërimin poetik të Pushkinit, me veprat e tij, fillon të hyjë në përdorim rusishtja. Pushkini pati atë aftësinë magjike që ta bëjë të ndjeshme, të prekshme dhe ta lartësojë gjuhën e një populli. Gjuhët bashkëkohore të përpunuara të çdo populli, në themel janë rezultatet e poetëve të mëdhenj. Siç është italishtja e Dantes apo anglishtja e Shekspirit etj. Dhe ne i kemi, si të thuash, themeluesit e shqipes që po flasim nga Naim Frashëri e Konica.
Poet i jashtëzakonshëm, karakter rebel, dashnor i famshëm … cila syresh ia dha më së shumti famën Pushkinit? Si u ndërthurën këto për ta bërë kaq të madh Pushkinin në kohën e tij?
Po t’u hysh leximeve biografike, të gjithë, kryesisht bashkëkohësit, e vizatojnë Pushkinin me një personalitet origjinal, të veçantë, me një liri të menduari dhe të konceptuari të gjerë, me një aftësi sintetizuese jo vetëm në të shprehur. Ka qenë njeri me potenciale të jashtëzakonshme jo vetëm kulturore! Ka përçuar një frymë të përhershme cilësie lideri, të njeriut karizmatik qysh në rrethet e gjimnazit e në vijimësi. Rreth i komunikimit të tij ishin aristokracia ruse dhe jemi pikërisht në kohën kur lulëzojnë sallonet, ngjashëm me Francën e shekullit XVIII. Në këto sallone zakonisht ishin damat me një bukuri të hyjnishme, të perëndishme, ato që mblidhnin rreth e rrotull poetët …
Ajo që të bën përshtypje është që këto dama rrëzëllitëse josheshin nga Pushkini, i cili në fakt nuk ishte dhe aq tërheqës në pamje.
Pushkini ishte tjetër, ishte një lule ekzotike: ezmer, i fortë, me kaçurrela. Mes dëborës ruse dhe një race të bardhë, Pushkini ishte tërheqës, kishte atë shkëndijën magjike tërheqëse jo vetëm si ligjërues, bashkëbisedues, ishin një tok cilësish të përbashkëta të karakterit që e bënin të ishte lider. Pushkini kishte prejardhje etiopiane. Ishte shtatshkurtër, afër mesatares, por mprehtësia e tij, zotërimi elegant i gjuhëve, mënyra për të sintetizuar çdo kontekst ose replikë, e bënin të ishte i kërkuar gjithkund dhe jo vetëm në sallonet e të bijës së Nikolai Karamzinit, shkrimtarit sentimental, autor i veprës shumë të njohur “Liza e varfër” dhe një sërë romanësh historikë, por edhe në sallone të tjera si gjithnjë të udhëhequra nga dama aristokrate dhe me emër. Në këto vende të kulturës zhvillohej poezia, bisedimet filozofike, deri edhe depërtimi i ideve, gjithmonë nga Franca, Anglia, por diskutoheshin edhe zhvillimet e brendshme intelektuale ruse deri vetë rrethi i dekabristëve, që ishin shkrimtarë, kryesisht poetë, të cilët u dënuan pastaj nga Cari me internim. Pushkini ishte njëri syresh.
Dy ndjenja të kundërta që i drejtoheshin Pushkinit: adhurimi nga njëra anë dhe urrejtja nga ana tjetër. Pse kjo kundërshti ndjenjash drejtuar këtij poeti?
Dihet, në kohën e Pushkinit, si në çdo epokë tjetër, kishte njerëz që nuk ta falnin suksesin, ziliqarë.
Jeni duke folur për intrigantë dhe intriga oborresh?
Absolutisht. Bullgarini ka qenë një ndër shkrimtarët me një sukses shumë të madh leximor, që shkruante romane aventureske ose këto që sot i quajmë letërsia masovike. Nga ato që botohen me kopertina me shkëlqim, pra histori thjesht zbavitëse, tipi i telenovelave. Nga ana tjetër, Pushkini nuk është se u lexua dhe u përqafua menjëherë. Mes tyre kishte polemikë, të cilat ne i kapim në kontekstet letrare. Pushkini mbante një pozicion përbuzës ndaj tij. Kurse zilia që i drejtohej ka qenë e demonstruar në forma nga më perfidet. Por koha është e pamëshirshme dhe bën seleksionin e vet, kështu që sot Bullgarini mund të gjendet vetëm në arkiva, ku përmendet se dikur ka ekzistuar. Ama në kohën e Pushkinit konsiderohej si një rival i madh. Megjithatë kanë qenë shumë faktorë dhe jo një person. Në rrethet e Carit, në pallatet e Carit, përpunoheshin komplote të ndryshme, pabesi për ta vrerosur të talentuarin. Ka pasur edhe qëndrime të egra të Pushkinit, i cili për nga natyra nuk ta përtonte, shpeshherë të shprehej publikisht dhe për këtë ndëshkohej vazhdimisht jo vetëm me censurë në botime, por edhe me dëbim.
Lirikat e Pushkinit, teksa i lexon të nxisin të kërkosh personin real që fshihet pas vargjeve. Dikë të cilit i kushtohet poezia. Në kohën e Pushkinit ka qenë modë që të mbaheshin ditarë. Ndoshta këta ditarë japin informacion për gjëra konkrete, për personazhe që mund të fshihen pas poezive. A ishte kështu në fakt? A fshihen pas poezive të Pushkinit gra reale, të dashurat e tij? Si i përshkruan ai ato?
Absolutisht. Dihet, nuk është ndonjë e fshehtë, Pushkini kishte dozën e vet të fortë prej donzhuani. Në poezitë e tij janë të kamufluara një shumësi e madhe femrash të epokës. Ndër të cilat ka qenë p.sh. A. P. Kerna (Ana). Ana Kerna është e identifikuar, ka qenë personazh real historik. Ekzistojnë madje dhe portrete të saj. Por vini re:
Kujtoj me mall atë çast takimi
Kur para meje u shfaqe ti,
Si vezullim i një vegimi,
Si engjëll plot me bukuri.
Vazhdon poezia në 6-7 strofa, një perlë e lirikës së Pushkinit dhe ky engjëll që duket sikur nuk i prekin flatrat në tokë, që është gjithmonë një frymëzim i diafragmës së lartë, paraqitet në shënimet e ditarit të tij krejt ndryshe …
Në shënimet e cilit ditar? E keni fjalën për ditarin sekret?
Po. Në të janë mbledhur gjërat që nuk botoheshin, gjëra tepër private të Pushkinit, që censura e kohëve të ndryshme …
Censurë e kohës?! Në fakt, edhe sot tingëllojnë vështirë të botueshme ato që janë shkruar në atë ditar …
Pushkini ishte ikonë e kulturës, e krenarisë ruse. Me atë edukoheshin fëmijët në shkolla. Por, në ditarin sekret ai shkruan për veten. Madje këtu zë fill një dukuri: përdorimi i niveleve të ndryshme të gjuhës. Një nivel gjuhe përdoret për artin dhe një nivel tjetër në ditar. Pra është i njëjti subjekt femëror, i cili shfaqet në dy trajta. Në rastin e parë, siç është poezia, pra engjëll, ndërsa në shënimet e ditarit ai është krejt në anën e kundërt kur thotë, p. sh.: Atë ditë, kur me ndihmën e Zotit, iu shtiva në dorë … Dhe hyn në hollësi fiziologjike. Madje ai arrin deri aty sa shkruan edhe për bashkëshorten e vet, Natalia Gonçarovën, duke supozuar se çfarë mund t’i ketë bërë Cari asaj.
Cari ishte një nga adhuruesit e gruas së Pushkinit dhe kjo ishte një gjë publike. Apo jo?
Po. Dhe Pushkini hamendëson për lidhjen e tyre të mishit. E gjitha është një nivel tjetër gjuhe krahasuar me poezinë. Këtë e ka shpjeguar Roman Jakobsoni, kreu i formalizmit rus, që thotë në esencë se poezia, kanioni romantik e kishte estetikën të kufizuar në një gamë motivesh, tematikash, përshkrimesh dhe leksiku poetik i romantizmit me elegancat, liqenet, parfumet, sallonet, hënën, shëtitjet nën dritën e saj, fytyrat e zbehta etj., etj., do të ishte katastrofal nëse në mes të sa më sipër do të depërtonin p.sh., përshkrimi i ndonjë hani fshati me xhama plot me të dhjerë mizash. Kjo do të ishte diçka e pahonepsshme.
Të qëndrojmë pak në një rrafsh përtej poezisë: te marrëdhënia midis Pushkinit dhe Natalisë, gruas së tij. Do të doja të dija vijimësinë e kësaj historie, për të arritur te fundi pastaj, që ishte një duel, në një farë mënyre, për shkak të Natalisë?
Nga një numër i madh portretesh (dhe kemi parasysh atë zhanër të pikturës romantike realiste, që është shumë i afërt me fotografinë), krijojmë idenë se Natalia ka qenë një nga femrat më të bukura. Një bukuri tipike ruse, me një qafë jashtëzakonisht të gjatë, qafë mjellmë. Ajo ishte e shenjtë për Pushkinin, dhe ishte dhe simbol i paprekshmërisë, i pastërtisë, i gjithçkaje të shenjtëruar pra. Pushkini xhelozohej kur shihte ndonjë demarsh ndaj Natalia Gonçarovës. Kuptohet ka përshkrime të imtësishme rastesh të ndryshme, por për të qenë sa më ekonomikë ne dalim te rasti i fundit kur një francez, oficer i një regjimenti husarësh të Carit e fyen Pushkinin pikërisht në nderin e gruas. Kjo ndodhi gjatë një banketi. Aludimet ishin jo të drejtpërdrejta, e megjithatë Pushkini kërkoi duel. Pushkinologët thonë se Pushkini gjatë asaj darke i drejtohet Dantesit në një frëngjishte aq alegorike sa askush nuk e mori vesh përveç tij, që Pushkini i kërkoi duel, i cili rezultoi fatal për poetin.
Çfarë ndodhi në periudhën e agonisë, ai jetoi dhe dy ditë pas duelit. Ka shprehur ai ndonjë përjetim apo ndonjë pendesë ose …
Unë u referohem bashkëkohësve. Përveç ca pak porosive, që arriti të artikulojë, ai nuk foli. Pavarësisht se janë bërë improvizime të ndryshme, të lira. Plaga ishte e fortë dhe ai ishte në agoni.
Në fakt, një personazh si Pushkini, jo vetëm poet i madh, por dhe një personalitet shumë i fortë, çfarë fundi tjetër mund të kishte përveç këtij …
Shumë studiues i kanë mëshuar idesë se ishte një frymë mbytëse në pallatet e Carit që e çoi poetin të kishte një fund të tillë. Por ky më duket më tepër si shpjegim i kërkuar sociologjist. Pak më vonë, të njëjtin fat pati Lermontovi, i cili nuk ishte analogjikisht në të njëjtat rrethana. Mendoj se thjesht kemi të bëjmë me cilësi të brendshme të karakterit që nxjerrin krye dhe nuk pranojnë kompromise. Janë njerëz që nuk e honepsin kompromisin kur bëhet fjalë për çështje nderi. Mund edhe të kishte jetuar, por parashikueshmëria dhe paparashikueshmëria janë gjëra krejt të tjera. Pushkini la të hapura disa prej udhëve më të rëndësishme të letërsisë ruse, sepse ai arriti të prekë lirikën, ta ngrejë në një nivel që nuk e kishte parë kurrë gjuha ruse. Çeli të gjitha shtigjet e tregimit realist si te “Nëpunësi i stacionit të postës”, të romanit kreol, të romanit aventuresk, të dramave, poemës edhe të kritikës letrare.
Një monument i gdhenda vetes, pa vënë dorë,
Udhëza drejt tij s’ka me u veshë prej barit;
Më i lartë do të jetë ai – më madhështor
se shtylla e Aleksandrit.
Është pjesë nga poezia që Pushkini ia kushtoi vetes. A keni një interpretim për një tekst të tillë që dikush mund të shkruajë për veten, në prag të vdekjes, për me tepër krejt të paparashikuar?
Kjo është te poezitë që kanë qenë dorëshkrim. Është shkruar në vitin e vdekjes, punë muajsh. Poezia profetizon atë që ndodhi dhe parashikon kuptimin që mori arti dhe figura e Pushkinit, jo vetëm në poezinë ruse, por edhe për gjithë romantizmin europian. Poezia është krejtësisht e saktë dhe çuditërisht realiste. Exegi monumentum është një motiv i Horacit, mbi të cilin janë shkruar shumë poezi në të gjitha traditat letrare të Europës, e cila është një lloj përmendoreje që ia ngre artisti vetes. Padyshim që, Pushkini në këtë rast ka parë shumë larg dhe shumë saktë. Aq herët, sepse zakonisht këto janë poezi që aplikohen si rezyme të punës së artistit.
E çuditshme pse nuk e interpretoni si një lloj narcisizmi! Nuk ka vend këtu për ta shpjeguar në këtë mënyrë?
Në fund të fundit, Pushkini ishte i kthjellët dhe ia dinte vlerën vetes. Ndoshta nuk do ta kishte botuar poezinë po të mos ndodhnin rrethanat e vdekjes së papritur. Kjo poezi mund të ishte lënë zakonisht për të mbyllur kapitullin. Por ndoshta proceset inkoshiente, psikike, fatidike janë të lidhura.
Add new comment