Debat në grupin e PD-së, Ruli, Imami e Bregu përplasen me Bashën
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është përfshirë dje nga debatet e brendshme dhe shkak është bërë sulmi i ditëve të fundit, që disa krerë lokalë po u bëjnë deputetëve dhe ishministrave demokratë për mos angazhim në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Pas dy vitesh nën drejtimin e Partisë Demokratike, kryetari Basha është përballur me akuzat se po përkrah një sërë prurjesh të reja në PD, duke lënë në hije, madje edhe duke i cilësuar si pengesë “senatorët e vjetër”. “Gazeta Shqiptare” shkruan se gjatë mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllura, disa deputetë kërkuan penalitete për kryetarët e degëve humbëse, por kryetari Lulzim Basha mësohet të ketë kërkuar më parë një analizë të hollësishme në çdo degë. Genc Ruli, Arben Imami dhe Majlinda Bregu kanë ngritur zërin kundër kritikave të drejtuesve lokalë, të cilët kanë akuzuar ishministrat se nuk u angazhuan ashtu siç duhet në fushatën elektorale të 21 qershorit. Burime brenda mbledhjes bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se deputeti Genc Ruli ka mbajtur peshën e fortë të debatit për këtë çështje, pas të cilit ai është nervozuar duke braktisur mbledhjen, për shkak të termave të butë të kryedemokratit Basha lidhur me shkarkimin e kryetarëve të degëve.
Add new comment