Riciklimi dhe Rimendimi në Shqipëri

Postuar në 05 Tetor, 2015 17:01
Lora Remacka

Jetesa në Stokholm gjatë dy viteve të fundit më ka bërë të mendoj vërtet shumë mbi ndërgjegjësimin për çështjet e mjedisit dhe mbi kontributin sado të vogël që mund të jape gjithsecili prej nesh e që në fakt mund të bëjnë diferencën. Origjina ime është shqiptare, kam lindur në Tiranë, por u largova për në Kanada në moshën tetë vjeçare. Që prej atëherë, kam jetuar, studiuar dhe punuar në Toronto, Sinagapor, Shqipëri dhe Suedi.

Kam studiuar për çështje të zhvillimit, për marrëdhënie ndërkombëtare, duke punuar me disa agjenci të Kombeve të Bashkuara apo agjenci qeveritare dhe kam pasur një përvojë të shumëanshme që krijojnë një lidhje mes zhvillimit dhe mjedisit. Të jetuarit në vendet skandinave më ka bërë edhe më shumë të mendoj se zhvillimi është i lidhur drejtpërdrejt me mjedisin.

Koncepti i riciklimit është tashmë një standard në të gjitha shtëpitë evropiane, por mbetet ende diçka e padëgjuar ose të paktën e pakonsiderueshme në shumicën e mjediseve shqiptare. Po çfarë është realisht riciklimi? Riciklimi është procesi i mbledhjes dhe përpunimit të materialeve, të cilat janë të destinuara për t’u hedhur si mbetje dhe kthimi i tyre në produkte të reja konsumi. “Pakëso, ripërdor, riciklo” është slogani i riciklimit që promovon ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe prodhuesve.

Sidoqoftë, riciklimi konsiston më tepër se thjesht “kursim dhe ripërdorim”, por tek një mënyrë e përditshme të jetuari që rrit respektin dhe ndërgjegjësimin ndaj mjedisit dhe brezave të ardhshëm. Është diçka që kërkon pak kohë dhe prej së cilës mund të përfitojnë të dy palët; mjedisi dhe komuniteti.

Sipas një raporti të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është në nivele shumë të ulëta dhe sistemet e mbledhjes e të depozitimit lënë për të dëshiruar. Niveli aktual i riciklimit thuajse nuk egziston dhe vihet re një mungesë totale e ndarjes së mbetjeve duke vijuar me depozitimin e tyre të pasigurt, ligjor apo joligjor, apo edhe djegien e tyre në zonat e grumbullimit.

Edhe pse panorama aktuale duket dekurajuese, që nga viti 2013 me ecjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, janë bërë një sërë përmirësimesh ligjore. Në progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë të vitit 2014, njihet si progres ngritja e një trupe kombëtare këshilluese mbi mbetjet dhe formimi i Komitetit Kombëtar për menaxhimin e mbetjeve për të planifikuar dhe koordinuar zbatimin e politikave në këtë fushë. Ligji “Mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua së fundmi në parlament dhe, megjithëse ambicioze, objektivat janë që 25% e mbetjeve urbane të riciklohen prej vitit 2015, dhe 50% e tyre të riciklohen në vitin 2020.

Nga ana tjetër, ka rreth 15 vjet që BE-ja ka përcaktuar objektivat e riciklimit duke ecur në drejtim të idesë për një shoqëri të riciklimit përmes një legjislacioni të mirëpërcaktuar. Që prej asaj kohe, vetëm shtatë vende kanë një shkallë riciklimi prej mbi 50% dhe shumica e vendeve riciklojnë nën 35% të mbetjeve. Përgjithësisht, vendet e BE-së në Veri dhe Perëndim të Evropës (Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe Gjermania) kanë nivelin më të lartë të riciklimit dhe vendet e Evropës Juglindore kanë nivele shumë më të ulta.

Duke ndjekur këtë model, praktikat e riciklimit në Shqipëri sapo kanë nisur të zhvillohen. Si një vend kandidat në BE do të thotë që jo vetëm legjislacioni të përmirësohet por edhe biznesi. Për shëmbull, bankat dhe kompanitë telefonike në Shqipëri kanë nisur të mbështesin një sërë inisiativash për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjet mjedisore, duke edukuar fëmjët në shkolla si edhe mbi pastrimin apo ndarjen e mbetjeve sipas kategorive. Aktualisht janë 60 kompani private që po tentojnë modelin e riciklimit majde disa organizata u ofrojnë asistencë bizneseve që të jenë në përputhje me legjislacionin. Ricikluesit më të përkushtuar në Shqipëri janë ata të komunitetit Rom dhe Egjiptian, të cilët kanë nisur madje të mbledhin derë më derë gjithçka që mund të riciklohet. Ata janë pjesë e një komuniteti prej 12 mijë njerëzish që mbledhin dhe ndajnë mbetjet sipas kategorisë, sigurisht për arsye ekonomike, por që po japin kontribut në ndarjen e mbetjeve në Shqipëri dhe po shërbejnë si një shembull për të treguar se “ri-mendimi” është i mundur.

Janë këto inisiativa të vogla që po rrisin ndërgjegjësimin për të kapur momentin e duhur.

*Lora Remacka është një profesioniste e re, me eksperiencë akademike dhe profesionale ndërkombëtare, e interesuar në mënyrë të veçantë në çështjet e mjedisit. Studimet e saj janë fokusuar në Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, ndërsa eksperiencën profesionale e ka ndërtuar në agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara dhe qeveritare. Lora ka lindur në Tiranë dhe është zhvendosur në Kanada në një moshë shumë të vogël. Që prej asaj kohe ajo ka jetuar, studiuar dhe punuar në Toronto, Singapor, Shqipëri dhe Suedi.

http://agroweb.org/?id=10&l=588&ln=sq&url=riciklimi-dhe-rimendimi-ne-shq...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.