Miq në ekonomi, armiq në politikë. Greqia, investitor i parë në Shqipëri
Ndonëse marrëdhëniet politike janë në pikën më të ulët, ato ekonomike mbeten të një rëndësie parësore në veçanti për Shqipërinë. Statistikat e fundit të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se Greqia ka stokun më të madh të investimeve të huaja në Shqipëri, në vitin 20014, me 1.16 miliardë lekë, në rritje prej 7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sektori që mban peshën kryesore në këto investime është telekomunikacioni (AMC dhe Vodafone figurojnë si kompani me kapital grek). Sektorë të tjerë janë industria përpunuese, me 44 milionë euro stok investimesh, tregtia me shumicë, pasuritë e patundshme etj. Por pesha ekonomike e investimeve greke duket se nuk e ka ndihmuar klimën politike mes dy vendeve që duhet thënë se është përkeqësuar 2 vitet e fundit edhe me këmbënguljen e qeverisë shqiptare për të synuar marrëdhënie të reciprocitetit.
Monitor raporton se Kanadaja ka vijuar të jetë shteti i dytë më i madh, përsa i përket stokut të investimeve të huaja të realizuara në Shqipëri, me 775 milionë euro. Megjithatë, në 2014-n ky stok ka shënuar një rënie prej 5.3%. Kontribuesi më i madh në investimet kanadeze është Bankers Petroleum, i përqendruar në industrinë nxjerrëse.
Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i vendit, sidomos eksporteve, është investitori i tretë më i madh në vend, me 526 milionë euro, rritje 3.5% në 2014-n. Këtu rolin kryesor e luan industria përpunuese (tekstile e këpucë), me 122 milionë euro; ndërtimi 22 milionë euro; pasuritë e paturndshme janë rritur nga 50 në 60 milionë euro.
Holanda ka kaluar në vendin e katërt në 2014-n, me 505 milionë euro dhe rritje 30%, pas investimeve për ndërtimin e HEC-it të Devollit nga kompania Starcraft.
Austria ka zbritur në renditje, pasi stoku i saj i investimeve ka rënë me 17%, në 357 milionë euro, i ndikuar nga strategjia e bankës Raiffeisen për të ulur ekspozimin e saj në Shqipëri.
Gjermania është vetëm investitori i shtatë, me 126 milionë euro dhe rritje 6%. Investitorët gjermanë kanë qëndruar “larg” tregut shqiptar, ndërsa kanë qenë shumë më aktivë në vendet e tjer të rajonit, si Serbia, Maqedonia etj.
Në vitin 2014 ka pasur një rritje të ndjeshme të investimeve nga Qipro, me 36% në 116 milionë euro, ndërsa janë dyfishuar investimet nga SHBA, në 88 milionë euro.
Add new comment