Pse nuk u publikua letra e Spartak Brahos? “Dita” shkruan se bëhet fjalë për një atentat, bazuar në “raportime të shërbimeve perëndimore”
U njoftua me të madhe se letra “Braho” për krerët e shtetit do të publikohej e se në të bëhej fjalë për paralajmërimin e një skenari destabilizues. Orët kaluan e letra mbeti ashtu siç edhe u lajmërua: sekrete dhe ndoshta “me zarar”. Arsyet nuk u dhanë nga ata që e lajmëruan publikimin, por gazeta “Dita” jep disa detaje që japin një version. Më poshtë raportimi i “Dita”:
“Letrën e plotë askush nuk e ka publikuar ende, as portalet pranë opozitës që e paralajmëruan një gjë të tillë që në orët e para të mëngjesit. Vetë z.Braho nuk dëshiron të flasë mbi këtë. Një telefonate të gazetës DITA ai iu përgjigj me fjalët: “Më pyesni për çdo gjë, por jo për letrën”. Në lajmet e mbrëmjes ndërkohë është shfaqur bashkëshortja e Kastriot Ismailajt e cila e ka konsideruar këtë letër të deputetit Braho si një kërcënim të shtetit në vijim të kërcënimeve që znj.Ismailaj thotë se i merr prej ditësh nga njerëz të panjohur në rrugë. Një burim i gazetës DITA që e ka lexuar letrën e plotë thotë ndërkohë se pretendimi për “destabilizim të vendit” mbështetet në raportime të shërbimeve të huaja perëndimore. Ai shton se kjo është një përpjekje e përsëritur dhe përmend rastin “Bami”. Durim Bami është personi që pak kohë më parë u vu në qendër të vëmendjes pas një publikimi nga ana e deputetit Tom Doshi në mbështetje të pretendimit të tij se Ilir Meta ka dashur ta vrasë. Bami dëshmoi më pas se gjithçka ishte një inskenim. Burimi i tha gazetës DITA se letra e Brahos bazohet në “xhirime dhe fotografi”. Letra jep detaje mbi një takim të regjistruar të Doshit dhe Priftit në një nga baret e Hotel Sheraton, me gruan e Kastriot Ismailaj, pronari i DIA-s person kyç në hetimin e aferës DIA-CEZ, e cila për nga sasia e parave në lojë, në këto 25 vitet e fundit ka për shoqe vetëm skandalin “Basha” të Rrugës së Kombit. Burimi në fjalë zbulon për DITA se letra e z.Braho për krerët e shtetit i njofton këta të fundit edhe mbi një përpjekje për t’i bërë atentat ose për ta marrë peng gruan e Kastriotit dhe për t’ia faturuar më pas këtë veprim Ilir Metës. “Kanë thurrur një rrjet gënjeshtrash të vogla të ngjashme me rastin Durim Bami për të dalë tek një gënjeshtër e madhe” – tha dje një zyrtar i lartë i LSI i pyetur mbi ngjarjen”.
http://www.gazetadita.al/letra-e-brahos-atentat-ose-pengmarrje-gruas-se-...
Add new comment