Dossier: Banka Serbo-Shqiptare në Shqipëri (1925-1927)
Materiali i mëposhtëm, me autor Saša Mišić, i Universitetit të Beogradit, është një punim i përmbledhur dhe i dokumentuar i përpjekjeve të Mbretërisë Serbo-Kroate –Sllovene për të depërtuar në ekonominë shqiptare. Banka Serbo-Shqiptare u ideua me synimin e një Banke Kombëtare, që do të emetonte kartëmonedha. Siç mund të lexohet, punimi ka interes për të kuptuar si negociohej, për të vlerësuar deri diku tezat e historiografisë shqiptare në këtë drejtim, si dhe për të parë praktikën ligjore të një veprimtarie të shumëpërfolur edhe sot: konçesionet. Për këto arsye materiali është interesant dhe shumë informues.
Ideja e ngritjes së një banke me kapital jugosllav në Shqipëri, e cila, duke operuar në terren, do të shërbente si një kanal për penetrimin ekonomik, dhe jo vetëm, në Shqipëri, mund të hulumtohet në periudhën pas Luftës së Parë Botërore. Banka ishte një aspekt i politikës së qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ndaj Shqipërisë, që synonte vendosjen e marrëdhënieve sa më të ngushta të mundshme “tregtare, kreditimi dhe transporti me shtetin fqinj të Shqipërisë dhe me pjesën veriore të tij në veçanti”(¹). Një tjetër motiv ishte edhe kundërveprimi ndaj rritjes së ndikimit ekonomik të Italisë në Shqipëri.(²) Po kështu, kjo sipërmarrje duhet analizuar gjithashtu në dritën e faktit se në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri nuk funksiononte asnjë bankë. Domethënë, përpara Luftës, në vend operonte Banka Otomane, në të vërtetë turke, e cila hapi zyrat e degës së vet në Shkodër në vitin 1911.(³) Kur Shqipëria u bë e pavarur në vitin 1913, edhe disa banka nga Austro-Hungaria dhe Italia, treguan po ashtu interes. Grupe të bankave austriake dhe italiane, të drejtuara respektivisht nga Wiener Bankverein dhe Banca Commerciale Italiana, u përpoqën që të ngrinin Bankën Kombëtare Shqiptare, por pa sukses. (4) Përgjatë luftës, vetëm Wiener Bankverein veproi në territorin e Shqipërisë.(⁵) Ndërsa veprimtaria e saj do të ndërpritej në fund të luftës, lindi sërish nevoja për të mbushur boshllëkun e krijuar dhe për të ngritur një bankë e cila do të kishte dominimin mbi të gjithë jetën ekonomike të Shqipërisë.
Është pikërisht ky konteksti në të cilin duhet parë edhe themelimi në Cetinje i Bankës Serbo-Shqiptare. Pas disa vështirësive me aksioneren Yugoslav Mercantile Bank (Jugoslovenska merkantilna banka), themeluar në vitin 1919, diku nga fundi i marsit të vitit 1922, dy vëllezërit Zuber, Lale dhe Nikolla, ishin gati që të ngrinin një kompani të re aksionere me bazë në Cetinje, tashmë nën një emër të ri: Banka Serbo-Shqiptare.(6) Mes arsyeve për ndryshimin e emrit dhe të selisë së bankës ishte, ashtu siç është deklaruar, dëshira për të zhvilluar marrëdhënie “më të ngushta” me Shqipërinë fqinje dhe pra, për të frenuar “ndikimin e huaj” në këtë vend. (7)
Banka u krijua menjëherë pas vendosjes më në fund të marrëdhënieve diplomatike jugosllavo-shqiptare në vitin 1922. Asambleja themeluese u mblodh në fillim të prillit të po atij viti dhe banka u regjistrua në gjykatën e Cetinjes më 20 qershor të vitit 1922.(8) Ajo e nisi operimin e vet në muajin shtator , pas mbledhjes së Ansmablesë Konstituuese të Aksionerëve. Kapitali fillestar prej 10 milionë dinarësh u nda në 10 mijë aksione, me një kapital të likujdueshëm fillestar në masën 75%. Pjesa më e madhe kontrollohej nga familja Zuber nga Cetinja. Një nga qëllimet kryesore të Bankës Serbo-Shqiptare, në vitin e parë të operimit, ishte hapja e një dege në Shkodër, me persepktivën e zhvillimit të raporteve ekonomike më të forta me fqinjin dhe të përmirësimit të tregtisë së përbashkët, të karakterizuar nga një rënie në vitet e para të pas luftës.(9) Për të siguruar arritjen e rezultateve optimale qeveria jugosllave plotësoi nevojat e bankës dhe i akordoi asaj statusin e agjëncisë tregtare të privilegjuar, me seli në Shkodër dhe në Durrës.(10) Gjithsesi, mes fundit të vitit 1922 dhe fundit të vitit 1924 banka nuk operoi në Shqipëri. Ndonëse u morën me qira ambientet në Shkodër, banka nuk vuri në funksionim sportelet dhe as i hapi dyert sikurse ishte parashikuar, kjo në pritje të licensës nga autoritetet shqiptare.(11) Ndërkohë banka i kreu të gjitha pagesat në llogarinë e Bankës Serbo-Shqiptare në Shqipëri bashkë me të gjitha pagesat e tjera, përmes një farë Pashko Gurashi, i cili drejtonte një zyrë këmbimi në Shkodër dhe vepronte si “agjent” i bankës jugosllave.(12)
Çështja e bankës u përkeqësua edhe më shumë me shpërthimin e Revolucionit të Qershorit në Shqipëri në vitin 1924(sic). Qeveria u përmbys, drejtuesi i saj Ahmed Zogu(13) u largua nga vendi për t’u vendosur si refugjat në Jugosllavi dhe peshkopi ortodoks Fan Noli u bë drejtuesi i Shqipërisë. Gjatë qeverisjes 6-mujore të Fan Nolit, qeveria jugosllave i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Ato u rivendosën vetëm pas kthimit në pushtet, me ndihmën jugosllave, të Ahmed Zogut në dhjetor të po atij viti. Marrëdhëniet e mira, të vendosura mes dy vendeve në fillim të vitit 1925, i dhanë një impuls të ri aktiviteteve të përqendruara në operimin e Bankës Serbo-Shqiptare në Shqipëri, një çështje kjo që padyshim ka qenë negociuar mes zyrtarëve jugosllavë dhe Zogut, gjatë qëndrimit të tij në Beograd në vitin 1924.(14) Paralelisht me negociatat për demarkacionin e kufirit, bisedimet për ngritjen e një banke me kapital jugosllav në Shqipëri nisën aty nga fillimi i muajit shkurt të vitit 1925.
Veprimi për hapjen e një banke me kapital jugosllav në Shqipëri ishte ndërmarrë nga Banka Serbo-Shqiptare, e themeluar tre vjet më parë pikërisht me këtë qëllim. Siç kemi parë, banka zotërohej nga vëllezërit Zuber nga Cetinja. Ndërkohë banka e investoi të gjithë kapitalin e vet prej 10 milionë dinarësh. Ka disa arsye të mendohet se gjysma e kapitalit të bankës(5 milionë dinarë) ishte ofruar nga qeveria, i.e. Ministria e Punëve të Jashtme.(15) E sigurtë gjithësesi, është që banka mori të njëjtën shifër në formën e një huaje nga Privileged National Bank e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Në kohën që po përgatitej hapja e një zyre në Shkodër, Nikola Zuber, anëtar i Partisë Nacionale Radikale nga Mali i Zi, ishte kandidat i saj në Cetinje dhe në Tivar, në zgjedhjet e përgjitshme të vitit 1925. I pari në listën e Radikalëve në Malin e Zi, ishte ministri i Financave, Milan Stojadinoviç dhe Nikola Zuber u përfshi në mënyrë aktive në fushatën e tij. Vëllezërit Zuber mund të kenë përdorur lidhjet e tyre me ministrin, në mënyrë që të përshpejtonin procesin e hapjes zyrës së filialit të bankës dhe të siguronin kushte sa më të favorshme për veprimtarinë e bankës në Shqipëri.(16)
Përgatitjet për hapjen e filialit në Shkodër u intensifikuan në shkurt të vitit 1925, kohë kur autoritetet shqiptare dhanë edhe licensën e nevojshme, akt ky që u raportua në Beograd nga konsulli në Shkodër, Ivo Vukotiç.(17) Më 6 mars gjithçka ishte gati për ceremoninë e hapjes dhe pritej aprovimi i Lale Zuberit si dhe mbërritja e delegacionit nga Cetinja. I vënë në dijeni se përgatitjet për nisjen e punës në Shqipëri kishin përfunduar, Lale Zuber, i cili ndodhej në Beograd, dha aprovimin e tij dhe më 15 mars autorizoi Krsto Pejoviç, drejtorin e Bankës, që të hapte zyrën e filialit, duke theksuar se ishte e nevojshme përcjellja e një raporti të plotë për Privileged National Bank dhe për Ministrinë e Financave në mënyrë që të bëhej kalimi i fondeve të nevojshme për hapjen e filialit. Pak ditë më vonë, në padijeni(*) të zhvillimeve në Shqipëri, Zuber kërkoi hapjen “urgjent” të filialit. Komenti i tij: “edhe nëse nuk bëjmë asgjë”, flet vetë për qëllimin për të nisur aktivitetin e plotë sa më shpejt që të ishte e mundur.(18) Nxitimi që vihet re në hapin e fundit të hapjes së një banke në Shqipëri, mund të kuptohet nëse ne marrim parasysh se ishte pikërisht në ato kohë që nga Shqipëria nisën të vinin lajmet për një “përplasje” mes Britanisë së Madhe dhe Italisë mbi themelimin e një Albanian National Bank-Banke Kombëtare Shqiptare.
Konkretisht, në shkurt të vitit 1925, Zogu negocionte njëherazi me britaniken Midland Bank dhe me një grup italian bankierësh të drejtuar nga profesor Mario Alberti, drejtor i Credito Italiano. Midland Bank ofroi që të hapte një bankë në Shqipëri me kapital 500 mijë paundësh, prej të cilave Zogut do t’i derdheshin 100 mijë paundë menjëherë për të paguar ushtrinë; ndërkohë e gjithë shuma do të garantohej nga monopolet shqiptare dhe detyrimet doganore. Paralelisht me këtë, negociata zhvillonin në Romë edhe të mirënjohurit vëllezërit Libohova, që vepronin si ndërmjetës me synimin për të hapur një bankë me kapital italian. Fituesi do të vendosej nga vlera e rryshfetit që do të jepej nga palët konkuruese për të shpërblyer këtë koncesion të rëndësishëm.(19) Qeveria jugosllave u përfshi në mënyrë aktive në garën për të themeluar Bankën Kombëtare Shqiptare. Ndonëse e preokupuar me probleme të brendshme si pasojë e zgjedhjeve parlamentare të muajit shkurt, sërish diplomacia u përpoq që të rriste ndikimin e vet në Shqipëri. Me t’u bërë e njohur oferta britanike, e cila provokoi interesim të madh në publikun jugosllav, ministri i Punëve të Jashtme, Momçilo Ninçiç i propozoi Romës themelimin së bashku të një banke emetimi në Shqipëri dhe në fund të muajit shkurt, gjenerali Alessandro Bodrero, diplomat italian në Beograd, mori një ofertë nga Beogradi për të investuar kapital italian në Bankën Serbo-Shqiptare.(20) Kjo faktohet nga një dokument interesant i datës 5 shkurt 1925, “Memorandum mbi Shqipërinë”, të gjetur në arkivat e Bankës Serbo-Shqiptare.(21) Në dokument deklarohet se Banka Serbo-Shqiptare zotërohet nga “një malazez i shquar” dhe propozohet që , për të mirën e penetrimit paqësor ekonomik në Shqipëri, si nga Italia, ashtu edhe nga Jugosllavia, kësaj banke t’i jepet roli i bankës qendrore të Shqipërisë.(22) Ndërsa deklaron se kapitali i bankës është 10 milionë dinarë dhe fondi rezervë në 1 milion, në Memorandum propozohet një rritje e kapitalit të bankës në 50 milionë dhe një shpërndarje e kapitalit, ku Italia duhet të investonte gjysmën, kurse gjysma tjetër do të duhet të ndahet mes qeverisë jugosllave dhe poseduesve të bankës. Lidhur me çështjen e menaxhimit të bankës, në Memorandum përcaktohej se Bordi i Menaxhimit do të përbëhej nga përfaqësues jugosllavë, italianë dhe shqiptarë-Italia dhe Jugosllavia do të kishin nga katër përfaqësues secila dhe Shqipëria një.(23) Selia qendrore e bankës do të ishte në Shkodër, ndonëse “disa qytete të tjera shqiptare” nuk përjashtoheshin; ndërkohë filiale do të hapeshin jo vetëm në Shqipëri, por gjithashtu në Jugosllavi dhe në Itali. Memorandumi, në fakt i paraprin transformimit të Bankës Serbo-Shqiptare në Bankën Kombëtare Shqiptare, e autorizuar për të lëshuar bankënota, i.e bankë emetimi.
Në Memorandum vë theksin edhe te një tjetër rol shumë i rëndësishëm i bankës. Ajo do të ishte rregullatori i të gjithë jetës financiare të Shqipërisë, që do të thotë se asnjë koncesion bankar nuk mund të aprovohej padijeninë e saj.(24) Të merrje kontrollin e të gjithë koncesioneve financiare në një vend të nënzhvilluar si Shqipëria, do të thoshte të kontrolloje të gjithë jetën ekonomike dhe strategjinë e tij të zhvillimit. Duke kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të propozimit në fjalë, në Memorandum parashikohet një marrëveshje e veçantë mes Romës dhe Beogradit që ka të bëjë me këtë çështje. Roli i bankës në të gjithë projektin ishte ai i “garantuesit të jetës ekonomike të Shqipërisë”.(25)
Në mesin e muajit mars, kur u bë e qartë se Jugosllavia do të kishte bankën e vet në Shqipëri, ministri i Jashtëm jugosllav Ninçiç i riafirmoi diplomatit italian Bodrero nevojën e një aksioni të përbashkët ekonomik të të dyja vendeve në Shqipëri,(26) ku themelimi i një banke emetimi do të ishte hapi i parë. Ninçiç i ofronte bashkëpunimin Italisë, duke e shpjeguar atë me paaftësinë e Jugosllavisë për të krijuar një bankë të tillë vetë dhe me dëshirën e saj që të parandaloheshin “fuqi të tjera të mëdha”–së pari Britania e Madhe-që të bënin biznes në Shqipëri.(27) Pikërisht në këtë kohë, rodhi informacioni se një marrëveshje për krjimin e një tjetër banke në Shqipëri ishte përfunduar, kësaj radhe si rezultat i misionit të suksesshëm në Romë të ministrit shqiptar të Financave, Myfit Libohova.(28) Në të vërtetë, që më 19 mars, vetëm dy ditë pasi në Shkodër ishte hapur zyra e filialit të Bankës Serbo-Shqiptare, ishte nënshkruar, mes shtetit shqiptar dhe grupit të drejtuar nga Mario Alberti, Protokolli mbi krjimin e Bankës Kombëtare Shqiptare. Teksti i Konventës bashkë me dokumentet shoqëruese ishte aprovuar më 15 mars 1925 dhe u firmos zyrtarisht katër ditë më vonë.(29) Konventa përcaktonte kapitalin e bankës në 12.5 milionë franka ari, të ndara në 495 mijë aksione të zakonshme prej 25 franga ari secila dhe 100 mijë aksione për themeluesit me një vlerë prej 1.25 frangash për aksion.(30) Parashikohej gjithashtu se 49% e aksioneve të zakonshme t’u rezervoheshin qytetarëve shqiptarë dhe pjesa tjetër të ndahej mes MSKS-së (10%), Basler Kommerzial Bank (10%), Banque Belge pour l’Etranger(5%) dhe Italisë, e cila gjithsesi përfitoi pjesën më të madhe(26%) bashkë me aksionet e themeluesve.(31)
Lajmi i krjimit të Bankës Kombëtare Shqiptare i erdhi si shok palës jugosllave, e cila, siç kemi thënë më sipër, kishte plane të ndryshme dhe e konsideronte krijimin e një banke të përbashkët emetimi si një akt të vullnetit të mirë nga ana e MSKS-së në përputhje me Paktin italo-jugosllav të Miqëisë.(32) Branko Lazareviç, përfaqësuesi i ri diplomatik në Shqipëri, i cili mbërriti në Tiranë vetëm dy ditë përpara se Konventa të bëhej publike, ishte shumë i acaruar dhe sugjeronte që qeveria shqiptare duhet të kërkonte pjesëmarrjen e kapitalit jugosllav në mënyrë që të siguronte kontrollin mbi operacionet e kryera nga italianët.(33) Ndryshe nga plani jugosllav për barazinë në përfaqësim mes italianëve dhe jugosllavëve në menaxhimin e bankës, përfshirë një përfaqësues nga Shqipëria, siç parashikohej në Memorandum dhe që i ishte propozuar Bodreros nga Ninçiç, Konventa e 19 marsit 1925 përcaktonte që menaxhimi qendror të realizohej nga dy përfaqësues të Italisë dhe të Shqipërisë dhe që presidenca dhe vota decizive t’i përkiste përfaqësuesit të Italisë.(34) Përballë kësaj situate të re, qeveria jugosllave shpresonte që pavarësisht pjesës së vet të vogël prej 10% në zotërimin e kapitalit, ajo do të ishte ende në gjendje që të vinte në kontroll pjesën shqiptare prej 49% të aksioneve, duke marrë kështu kontrollin e bankës dhe duke u ngritur mbi rolin e një vëzhguesi.(35) Gjithesesi Roma ishte e përgatitur për një situatë të tillë. Musolini i dërgoi përfaqësuesit diplomatik italian instruksione të qarta lidhur me këtë çështje. Nga 49% të aksioneve të destinuara për shqiptarët, Duçja kërkoi që 30% t’u ofrohej shqiptarëve me rezidencë në Itali, që do të thoshte se kjo pjesë do të binte nën ndikimin e kapitalit italian. Më tej akoma, pjesa e mbetur prej 19% u ble nga një grup financiar italian.(36) Kështu, duke blerë të gjitha aksionet e zotëruar nga qytetarët shqiptarë, pala italiane ua hodhi me zgjuarësi jugosllavëve dhe mori kontrollin e bankës.
Këto zhvillime, siç duket, nënkuptonin se faktori kryesor, raison d’être, për filialin e Bankës Serbo-Shqiptare, siç thuhej në Memorandumin e muajit shkurt, pushoi së ekzistuari. Ndonëse humbi betejën për bankën qendrore, kishte ende shpresë se mund të mbahej rolin i saj në Shqipëri duke siguruar që “kuota” jugosllave do të duhej të merrte pjesë në kapitalin e Bankës Kombëtare Shqiptare duke përfshirë bankën “me të gjithë astetet e saj dhe kapitalin e investuar”.(37) Si një alternativë, “nëse kjo nuk është e mundur, sepse kapitalistë të tjerë, themelues të Bankës Shqiptare të Emetimit nuk bien dakord”, Banka Serbo-Shqiptare propozoi që “vlera me të cilën shteti ynë do të marrë pjesë të regjistrohet përmes bankës sonë dhe që banka jonë ta përfaqësojë atë në menaxhimin e Bankës së Emetimit”. U kërkua ndërhyrja e Ninčić për të mbrojtur interesat e vëna në rrezik, duke i kujtuar “rëndësinë ekonomike dhe politike” të penetrimit të bankës në Shqipëri dhe duke kërkuar që të përcillte kërkesën e Bankës Serbo-Shqiptare, “pionerja e vetme në Shqipëri”.(38) Pavarësisht të gjithave, banka vijoi të operonte por me një rol krejtësisht të ndryshëm. Shumë shpejt pas hapjes së bankës, filiali i Shkodrës bëri si klientë të vetët anëtarë të njohur të komunitetit serb në këtë qytet dhe të disa fshatrave afër, përfaqësues të Konsullatës dhe të klerit ortodoks. Konsullata jugosllave hapi llogarinë e saj në bankë dhe Ivo Vukotić, konsulli, u bë anëtar i Bordit të Menaxhimit.(39) Përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Shqipëri, drejtuar nga Peshkopi Victor Mihailović dhe kleri i qytetit dhe fshatrat serbe afër Shkodrës, u bënë po ashtu klientë të bankës.(40)
Mes klientëve figuronin edhe disa miq të provuar të Mbretërisë SKS, mes të cilëve më i rëndësishmi ishte “Peshkopi Visar i Tiranës”(Visarion Xhuvani, peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare).(41) Filiali hyri gjithashtu në marrëdhënie biznesi me shqiptarët e njohur projugosllavë si Ceno Bej Kryeziu, tregtari i njohur mirditor Zef Ndozi(Noci) dhe të tjerë. Tregtari Riza Bej Kopliku, një mysliman influent projugosllav nga Shkodra, u bë gjithashtu anëtar i Bordit të Menaxhimit.(42) Me krijimin e filialit, një Agjenci Tregtare e Privilegjuar u hap nën të njëjtën firmë, me “agjentë” në qytetet shqiptare të Durrësit dhe Sarandës, me synimin e rritjes së tregtisë mes Mbretërisë SKS dhe Shqipërisë. Në përmbushje të këtij qëllimi, banka hapi një fushatë të gjerë publicitare, që mbulonte një numër bankash të vendit dhe të huaja, të gjitha dhomat e tregtisë, sikurse edhe kompanitë të cilat kishin zhvilluar tashmë lidhje biznesi me Shqipërinë. U konsultuan me këtë rast dhomat jugosllave të tregtisë, lidhur me produktet që mund të importoheshin në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër. Duke patur parasysh marrëveshjen e afërt të tregtisë mes të dyja vendeve, konsultime u pëqendruan në llojet e produkteve për të cilat taksa doganore duhej reduktuar apo edhe për ato për të cilat duhej hequ fare.(43) Filiali i bankës vinte theksin te fakti se operacionet e tij ishin pëqendruar në konkurencën me produktet italaine në tregun shqiptar.(44) Në mënyrë që të rriste importet jugosllave në Shqipëri, banka e pa të udhës që të vendoste marrëdhënie biznesi me firma të angazhuara në prodhimin dhe eksportin e disa produkteve. Ajo ishte e interesuar për lëndë drusore, çimento dhe ushqime, si sheqeri, mielli, birra dhe misri. Firmave, të cilat kishin zhvilluar tashmë marrëdhënie me Shqipërinë, iu kërkua që t’i realizonin operacionet e tyre përmes bankës.(45) Në të njëjtën kohë, banka i kërkoi misioneve diplomatike jugosllave në Shqipëri që t’i vinin në dispozicon të dhëna statistikore për importet dhe eksportet nga Shqipëria.(46) Përgjigja varioi sipas interesimit; nga aktorë të jashtëm dhe nga ata të përfshirë tashmë në raporte me Shqipërinë, siç ishin disa dhoma tregëtie dhe banka. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Dhomën e Tregëtisë të Splitit, e cila, e vetëdijshme për “veprim tregtar dhe ekonomik në Shqipëri”, e këshilloi bankën që të rriste tregëtinë mes Mbretërisë SKS dhe Shqipërisë, pikërisht përmes veprimeve të saj. Duke nënvizuar lidhjet natyrale mes Shqipërisë dhe Dalmacisë, Dhoma e Splitit ishte e interesuar në shitjen e disa produkteve në tregun shqiptar, mbi të gjitha të çimentos.(47) Nga ana e vet, filiali i bankës në Shkodër, mblodhi informacion për disa biznesmenë shqiptarë, për llogari të industrive jugosllave.
Brenda disa muajve nga nisja e operacioneve të veta, me hapjen e Bankës Kombëtare Shqiptare dhe filialin e grekes Banka e Athinës në Durrës, po më 1925, filiali i Shkodrës i Bankës Serbo-Shqiptare u përball me probleme. Përderisa edhe qëllimi i operacioneve të saj ishte i kufizuar, filiali i Shkodrës iu ankua selisë qendrore në Cetinje për pamjaftueshmëri parash, që nuk mund të kalonin shifrën totale të 500 000 dinarëve. Sipas fjalëve të tyre, kjo nuk mjaftonte për nisjen dhe zhvillimin e çfarëdolloj biznesi në Shkodër(48) Pas procesit të shpejtë të hapjes, u bë e qartë se filiali, duke e humbur konkurencën me Bankën Kombëtare Shqiptare, u la pa një strategji të qartë. Përderisa ideja origjinale e kthimit të saj në të vetmen bankë në Shqipëri, madje qendrore, dështoi, dhe përderisa sasia e parave nuk mund të kënaqte nevojat e biznesit, pritej që selia e bankës të hartonte udhëzime për operacionet e mëtejshme të filialit.(49)
Me themelimin e Bankës Kombëtare Shqiptare, më 2 shtator 1925, disa banka, të drejtuara nga Beogradska Zadruga (Belgrade Credit Union) u bënë pjesë e kapitalit prej 10% që i takonin jugosllavëve në pjesën e përgjithshme të aksioneve.(50) Siç mund të kuptohet qartë, me kërkesë të Bankës Serbo-Shqiptare, Lale Zuber u caktua si përfaqësues i pjesës jugosllave të aksioneve në Bordin e Menaxhimit.
Banka në Shqipëri mbijetoi, por vazhdoi të përballej me të njëjtat probleme gjatë vitit në vazhdim. Ajo e përmbylli vitin e parë të operimit më 1926-ën, me një fitim minimal, thujase i gjithi ky nga veprimet e shkëmbimit. Në raportin e saj drejtuar selisë qendrore, kemi sërish ankesën për mungesën permanente të parave, të nevojshme për zhvillimin e operacioneve të biznesit në Shqipëri.(51) Interesat e saj të biznesit, gjithësesi, u përqendruan përherë e më shumë në mbajtjen e një linje trageti në liqenin e Shkodrës dhe në sigurimin e koncesioneve minerare për nxjerrjen e bakrit në rajonin e Pukës.
Një nga qëllimet e bankës, i rëndësishëm në momentin e themelimit të saj, ishte vënia në punë e një linje të rregullt trageti Rijeka-Vir-Plavnica-Shkodër në liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna. Banka krijoi një kompani transporti detar, Jadransko-skadarska plovidba(Transporti Adriatik-Shkodër) dhe vendosi linjën duke vepruar me nënkontraktorë shtetërorë. Gjithsesi, as ky aktivitet nuk shkoi pa probleme. Në mars të vitit 1924, si pasojë e e pagesave të parregullta të nënkontraktorëve dhe konkurencës me anijet me avull të ushtrisë, banka Serbo-Shqiptare, e pezulloi linjën. Ajo u rivu në punë vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje të re me qeverinë në vjeshtë të po atij viti(52). Në fillim të vitit 1925, problemi i krijuar nga konkurenca mes Bankës dhe Ushtrisë u zgjidh. Konkretisht, sipas marrëveshjes të arritur me Marinën e Mbretërisë Serbo-Kroate –Sllovene në fund të janarit, Bankës Serbo-Shqiptare iu dha e drejta për “të shfrytëzuar” një numër të caktuar të anijeve ushtarake, ndërkohë që detyrohej të transportonte trupa dhe furnizime ushtarake me tarifa të reduktuara(53). Kompania e Transportit Adriatik-Shkodër pushoi aktivitetin në vitin 1928, kur Ministria e Transporteve urdhëroi bashkimin e kompanive të transportit detar në Distriktin e Zetës dhe e transferoi flotën e vet në Boka, një kompani transporti detar me bazë në Kotor(54).
Me t’u vendosur në Shqipëri, Banka Serbo-Shqiptare shfaqi shumë interes për posedimin e disa bizneseve, veçanërisht për koncesioniet e bakrit në Pukë, afër Shkodrës në veri të Shqipërisë(55). Derisa depozitat minerare ndodheshin në rrugën Prizren-Shkodër, që ishte me rëndësi të madhe ushtarake dhe strategjike, motivet e zotërimit të këtij konçesioni nuk ishin vetëm ekonomike, por politike gjithashtu. Për këtë arsye, përpjekjet e Bankës u mbështetën nga qeveria jugosllave(56).
Në pranverë të vitit 1925, menjëherë sa u hap filiali i Shkodrës, Banka Serbo-Shqiptare, e mbështetur nga shteti, i hyri punës për të marrë këtë konçesion nga qeveria shqiptare. Në fillim të majit, Nikolla Zuber dhe dy inxhinierë minierash, Malicki dhe Rusovjan, u zhvendosën nga Cetinja për në Shkodër me synim eksplorimin e depozitave(57). Pas suksesit fillestar, në gjysmën e dytë të vitit 1925, pasoi një rënie e ritmit , që pasqyronte marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve. Vetëm pas përcaktimit final të kufirit në Shën Naum dhe Vermosh dhe pasi negociatat u përmbyllën, Puka u rishfaq si një çështje në nivel ndërshtetëror në vjeshtën e vitit 1925. Bazuar në sigurimet e përsëritura të Zogut bërë Lazarevićit, që shprehej se “ne e konsiderojmë këtë çështje të kryer”, dukej se e vetmja gjë që mbetej për t’u bërë, ishte ratifikimi i konçesionit nga Parlamenti dhe Senati shqiptar. Në disa raste, Zogu e siguroi Beogradin, përmes përfaqësuesit diplomatik jugosllav, se çështja e Pukës ishte e zgjidhur dhe se konçesioni do t’i jepej Mbretërisë SKS, por muajt kalonin dhe çështja mbeti në vend(58). Një rol në të luhej nga britanikët, që vepronin sipas interesave të tyre, por gjithashtu edhe italianët, të udhëhequr nga të njëjtat premisa si Beogradi: rëndësia e tij stratgjike dhe tregtare. Vetëm pasi pala jugosllave i premtoi Ahmed Zogut 26% të vlerës së konçesionit, procedura vijoi më tej dhe në pranverë të vitit 1926, kontrata u ratifikua(59); fillimisht nga Parlamenti shqiptar dhe më vonë, në fund të prillit edhe nga Senati.
Banka Serbo-Shqiptare, si poseduese e konçesionit, duhet të krijonte, brenda pesë mujave, një kompani për shfrytëzimin e depozitave të Pukës, sikurse duhej që të ofronte për qytetarët shqiptarë 40% të aksioneve, brenda dy muajve nga regjistrimi. Në rast të shfaqjes së një interesi të pamjaftueshëm, poseduesit të konçesionit i kërkohej të blinte pjesë e mbetur të aksioneve. Eksplorimi duhej të niste tre muaj nga krijimi i kompanisë(60). Sipas Kontratës Konçesionare, poseduesi uhet të paguante një shumë vjetore prej 1.5 franga ari për çdo hektar tokë të marrë me qira. Qeveria shqiptare kërkoi disa privilegje që do të hynin në fuqi sapo të nisnin gërmimet përveç faktit se të gjithë punëtorët do të ishin shqiptarë, përveç “ekspertëve prej të cilëve nuk ka në Shqipëri”(61).
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bëra për të krijuar fondet, vëllezërit Zuber dështuan. Me t’u krijuar, kompania Minierat e Bakrit të Pukës(Copper Mines Puka), diku nga mesi i muajit gusht, filloi periudha dy mujore e regjistrimit të aksioneve. Nga kapitalii i parashikuar prej 5 milionë frangave ari, i ndarë në 200 mijë aksione, në fund të periudhës së paracaktuar ishin rejistruar vetëm 120 mijë të tilla, prej të cilave 79 900 zotëroheshin nga vëllezërit Zuber(62). Kjo ishte qartësisht e pamjaftueshme dhe Banka humbi konçesionin që mori63. Për më tepër, Banka pësoi humbje të mëdha financiare64. Konçesioni iu kthyer zotëruesit origjinal, Boriçi. Në qershor të vitit 1927, ndryshoi sërish duar dhe kaloi tek markezi italian, Gaetano di Suni. Ai ja doli me sukses të krijonte një kompani për eksplorimin dhe shfrytëzimin e Pukës, quajtur Societa Italo-Schipetare per lo Sfruttamento di Minerio Puka(65). Lojërat politike që kishin të bënin me depozitat e bakrit në Pukë, u bënë edhe më të qarta sapo në minierë nisi puna. Cilësia dhe sasia e mineralit nuk mundën të justifikonin interesin ndaj minierës, për shkak të pamundësisë së depërtimit në depozita, për shfrytëzimin e të cilave nevojitej ndërtimi i një hekurudhe. Dhe ky ishte një disavantazh shtesë(66).
Duke u përballur me një numër të madh problemesh në të gjitha fushat e veprimtarisë së vet në Shqipëri, Bordi Menaxhues i Bankës Serbo-Shqiptare vendosi të mbyllte degën e Shkodrës në mbledhjen e tij të datës 1 mars 1927(67). Padyshim që vendimi ndikohej nga një sërë arsyesh të natyrës ekonomike dhe politike, mes të cilëve më i rëndësishmi ishte dështimi i aktivitetit bankar. Sipas vlerësimeve të bordit, Banka pësoi në Shqipëri humbje financiare që arrinin në 5 631 526. 56 dinarë. Si rezultat, kapitali i Bankës ra nga 10 në 5 milionë dinarë(68).
Vendimi për mbylljen e filialit u ndikua na lajmet se Banka Komëbtare Shqiptare, po planifikonte hapjen e një filiali në Shkodër, por gjithashtu nga përkeqësimi i marrëdhënieve politike jugosllavo-shqiptare, kjo në vigjilje të Paktit të Miqësisë dhe Sigurisë, i njohur si Pakti i Parë i Tiranës, të cilin Italia dhe Shqipëria e nënshkruan më 26 nëntor 1926. Ky përkeqësim kulmoi me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në maj të vitit 1927. Vendimi për mbylljen e filialit të Bankës Serbo-Shqiptare në Shqipëri u përfundua përgjatë vitit 1927.
Përktheu: Skerdilajd Zaimi
Materiali në anglisht gjendet këtu: http://www.balkaninstitut.com/eng/online-editions(edicioni i vitit 2007). Kurse këtu- https://www.zuber-gregovic.me/nationalized-enterprises/ - sa për kuriozitet, mund të lexohen pretendimet e pasardhësve të vëllezërve Zuber.
PS: Treguesi numerik në teskt(burimet, bibliografia) nuk është shoqëruar me materialin shpjegues që mund të konsultohet në linkun origjinal.
Add new comment