Tjetër histeri shqiptaro-greke me "zogun" e Lilës
Ballkani mbetet Ballkan, pavarësisht se tenton të moderohet formalisht me këmbënguljen për të qenë me pahir europian, kur akoma frustrohet nga gjestet me natyrë nacional-folklorike. U duk në ndeshjen e Beogradit sa europianë janë serbët dhe po ashtu sa europianë jemi ne shqiptarët. Gjithsekush me mëkatet e veta dhe budallallëkun që udhëhiqet nga politika e raporteve dhe fqinjësisë së mirë. Këto shfaqje vazhdojnë të gjejnë terren në futboll, kur topi i këmbës fillon të ngatërrohet me ngërçet e mendjes si më fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumeve.
Një gjest i Andi Lilës në ndeshjen e kampionatit grek Olimpiakos - Pas Janina ka shkaktuar një tjetër isteri nacionaliste si në një pjesë të mediave greke ashtu dhe në ato shqiptare.
Futbollisti i kombëtares festoi golin e nderit në humbjen 5 me 1 të skuadrës së tij duke kryqëzuar pëllëmbët e duarve në formën e shqiponjës dykrenare, një gjest që ka fituar simbolikën e tij në kuadër të patriotizmit mediatik dhe prodhimeve artsitike kushtuar kësaj jehone. Lila u fërshëllye nga tifozët në Karaiskaki për këtë gjest dhe mediat greke e përcollën si një shfaqje që provokoi tifozët.
Trajneri i Janinës u pyet edhe në konferencën për shtyp lidhur me këtë veprim të Lilës dhe u përgjigj shkurt se i takon presidencës së klubit ta analizojë nëse ka apo nuk ka diçka për t'u bërë çështje në këtë histori.
Në përgjithësi titujt e mediave greke ishin të përmbajtur, duke mbetur në konstatimin "shqiponja e Lilës provokoi tifozët". Kështu shkruan contra.gr një nga gazetat më prestigjoze te shtypit sportiv, po ashtu edhe Proto Thema qëndron në këtë titull. Komentet e lexuesve janë të ndryshme, që përkojnë edhe me nivelin e sportndjekësve, megjithatë kishte një moment kur debati u fokusua mes vetë tifozëve të Olimpioakos që u vunë përballë njëri-tjetrit kur u shtrua pyetja pse shqiponja e Lilës provokoi dhe ajo e Pajtim Kasamit, shqiptarit nga Maqedonia që luan për skuadrën e Pireut dhe festoi në të njëjtën mënyrë nuk u quajt provokim. Këtu doli dhe opsioni i shqiponjës me dy kokë të Bizantit.
Nga ana tjetër mediat sportive shqiptare gjetën rastin të shpërthejnë edhe njëherë me nacionalizëm budalla. Kështu sportal.al duke iu referuar ngjarjes shkruan "Grekët, racistë dhe injorantë" ndërsa Panorama Sport del me titullin "Shqiponja e Lilës tmerron grekët". Kjo çështje mesa duket po kthehet në një luftë zogjsh që nuk merret vesh nga vjen, aq sa edhe dallimet e personazheve të këtij lloj teatri nuk duken të jenë të mëdha, pasi paraardhësit e tyre me shumë gjasë janë përzier shumë me njëri-tjetrin në fluturimet e së shkuarës.
Comments
Mundesi te ndalohet me ligj
Mundesi te ndalohet me ligj ky xhest injorantesh me Shqiponjen. Lojtaret qe bejne kesiso xhestesh nuk kane c'kerkojne ne fushe te lojes. Ose je ektremist e injorant tip shqiptari ose je me kulture dhe ben punen qe te takon a pelqen. Une nuk kam pare lojtar Gjerman apo Spanjoll qe te veje te luaje ne nje klub te huaj dhe te bej cmos te duket Gjerm. apo Spanj. Kaq!
Kujt
po i qethet per gjermanet
Add new comment